杏MAP导航

K?rko

Papa Leoni n? P?rkujtimin e martir?ve t? rinj t? shekullit XXI dhe martir?ve t? fes? Papa Leoni n? P?rkujtimin e martir?ve t? rinj t? shekullit XXI dhe martir?ve t? fes?

Papa kujton martir?t, persekutimi kund?r t? krishter?ve ?sht? rritur

“Persekutimi i t? krishter?ve n? disa pjes? t? bot?s ?sht? rritur”. K?shtu pohoi Leoni XIV n? P?rkujtimin e martir?ve t? rinj dhe d?shmitar?ve t? fes? n? Bazilik?n e Sh?n Palit, n? Rom?. Papa kujton ata q? d?shmojn? “fen? pa p?rdorur kurr? arm?t e forc?s dhe t? dhun?s, por duke p?rqafuar forc?n e dob?t dhe t? but? t? Ungjillit”

R.SH. – Vatikan

Sot pasdite, Papa Leoni XIV, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, në Romë, në prani të rreth 4 mijë besimtarëve, kryesoi Përkujtimin e Martirëve dhe Dëshmitarëve të Fesë të shekullit XXI, së bashku me Përfaqësuesit e Kishave dhe Bashkësive të tjera të Krishtera. Janë histori, fytyra, rrugë jete të shënuara nga gjaku, por që nuk përfundojnë me vdekje të dhunshme dhe të padrejtë. Dëshmitarë të një rezistence të pafuqishme dhe të butë që mbijeton dhe shumëfishohet edhe pse në sytë e botës martirët janë “të mundur”, Libri i Urtësisë i përcakton ata në të vërtetën: sepse “shpresa e tyre mbetet plot pavdekësi”. 

“Jemi të bindur – tha Papa në fillim të homelisë – se martyria (fjala "martirizim" vjen nga greqishtja martyria, që do të thotë dëshmi) deri në vdekje është «bashkimi më i vërtetë që ekziston me Krishtin që derdh gjakun e Tij dhe, në këtë sakrificë, i bën të afërt ata që dikur ishin larg. Edhe sot mund të pohojmë me Gjon Palin II se, aty ku urrejtja dukej se përshkonte çdo aspekt të jetës, këta shërbëtorë të guximshëm të Ungjillit dhe martirë të fesë kanë dëshmuar qartë se dashuria është më e fortë se vdekja”.

“Shumë vëllezër e motra, edhe sot, për shkak të dëshmisë së tyre të fesë në situata të vështira dhe kontekste armiqësore – shtoi Ati i Shenjtë Prevost – bartin të njëjtin kryq të Zotit Jezus: si Ai janë të persekutuar, të dënuar, të vrarë. Janë gra dhe burra, rregulltarë dhe rregulltare, laikë dhe meshtarë, që paguajnë me jetë besnikërinë ndaj Ungjillit, angazhimin për drejtësinë, luftën për lirinë fetare aty ku ajo ende shkelet, solidaritetin me më të varfrit”.

Gjatë Jubileut – vuri në dukje sërish Papa në homeli – “ne kremtojmë shpresën e këtyre dëshmitarëve të guximshëm të fesë. Është një shpresë plot pavdekësi, sepse martirizimi i tyre vazhdon të përhapë Ungjillin në një botë të shënuar nga urrejtja, dhuna dhe lufta; është një shpresë plot pavdekësi, sepse, edhe pse u vranë në trup, askush nuk mund t'ua shuajë zërin apo të fshijë dashurinë që kanë dhuruar; është një shpresë plot pavdekësi, sepse dëshmia e tyre mbetet si profeci e fitores së të mirës mbi të keqen. Ajo e tyre është një shpresë e çarmatosur. Ata dëshmuan besimin pa përdorur kurrë armët e forcës dhe dhunës, por duke përqafuar forcën e dobët dhe të butë të Ungjillit”.

Papa Leoni XIV më pas renditi disa martirë dhe karakteristikat e tyre: “forcën ungjillore të Motrës Dorothy Stang, Atë Ragheed Ganni, meshtarit kaldeas nga Mosuli në Irak, i cili refuzoi të luftonte për të dëshmuar se si sillet një i krishterë i vërtetë. Vëllai Francis Tofi, anglikan dhe anëtar i Vëllazërisë Melaneziane, i cili dha jetën për paqen në Ishujt Solomon. Shembujt do të ishin të shumtë, sepse fatkeqësisht, pavarësisht fundit të diktaturave të mëdha të shekullit të njëzetë, edhe sot persekutimi i të krishterëve nuk ka përfunduar, madje, në disa pjesë të botës është rritur”.

“Nuk mundemi, nuk duam të harrojmë. Duam të kujtojmë. E bëjmë këtë – theksoi Leoni XIV – të sigurt se, ashtu si në shekujt e parë, edhe në mijëvjeçarin e tretë gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj. Duam të ruajmë kujtesën së bashku me vëllezërit dhe motrat tona të Kishave dhe Bashkësive të tjera të krishtera. Prandaj dëshiroj të theksoj angazhimin e Kishës Katolike për të ruajtur kujtesën e dëshmitarëve të fesë të të gjitha traditave të krishtera”.

“Ekumenizmi i gjakut – përfundoiPapa – bashkon të krishterët me përkatësi të ndryshme që së bashku japin jetën për fenë në Jezu Krishtin. Dëshmia e martirizimit të tyre është më elokuente se çdo fjalë: uniteti vjen nga Kryqi i Zotit. Qoftë gjaku i kaq shumë dëshmitarëve të afrojë ditën e bekuar kur do të pimë nga i njëjti kelkë shpëtimi”.

Ndër përfaqësuesit e ndryshëm të Kishave dhe Komuniteteve të krishtera morën pjesë në ritine kremtuar pasdite në Bazilikën e Shën Palit për Patriarkanën Ekumenike Kryepeshkopi Elia i Helsinkit, për Patriarkanën e Moskës Mitropoliti Antonij, për Bashkësinë Anglikane i Nderuari Anthony Ball, Drejtor i Qendrës Anglikane në Romë, për Këshillin Botëror Metodist i Nderuari Reynaldo Ferreira Leão Neto, Sekretar i Përgjithshëm.

 

14 shtator 2025, 19:44