杏MAP导航

K?rko

N? Astana,  Kongresi VIII-t? i lider?ve t? feve bot?rore dhe tradicionale N? Astana, Kongresi VIII-t? i lider?ve t? feve bot?rore dhe tradicionale

Papa u drejtohet lider?ve fetar?: sinergji p?r paqen, nj? z? i vet?m p?r dinjitetin njer?zor

N? mesazhin e tij drejtuar pjes?marr?sve t? Kongresit t? VIII-t? t? Astan?s, n? Kazakistan, q? mbahet nga 17 deri m? 18 shtator, Leoni XIV kujton se kur udh?heq?sit e feve t? ndryshme “bashkohen n? mbrojtje t? m? t? cenueshm?ve”, t? sht?pis? s? p?rbashk?t dhe t? dinjitetit t? njer?zve “d?shmojn? t? v?rtet?n se besimi bashkon m? shum? sesa ndan”.

R.SH. – Vatikan

Të impenjohemi pa u lodhur për harmoninë, duke krijuar “një sinergji për paqen”, të çarmatosur dhe çarmatosëse, “të përulur dhe këmbëngulëse, gjithmonë të gatshme për bamirësi dhe afër atyre që vuajnë”. Të lutemi “krah për krah, të shërbejmë krah për krah dhe të flasim me një zë të vetëm kudo ku dinjiteti njerëzor është në rrezik”. Kështu, duke kujtuar fjalët e tij të para si Papë, Leoni XIV u drejtohet me mesazhin e tij, në anglisht, liderëve të feve botërore dhe tradicionale të mbledhur që nga 17 deri më 18 shtator, në Astana, në Kazakistan, për Kongresin e VIII-të. Një ngjarje në të cilën në vitin 2022 mori pjesë edhe Papa Françesku.

Kur liderët fetarë bashkohen në mbrojtje të personave më të cenueshëm, duke mbjellur pemë në shenjë të kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët ose duke ngre zërin të bashkuar në mbështetje të dinjitetit njerëzor, ata dëshmojnë të vërtetën se feja bashkon më shumë sesa ndan.

Feja është burim shërimi dhe pajtimi

Kështu, vazhdon Papa mesazhin e tij, duke cituar temën e Kongresit “Dialogu i Feve: Sinergji për të Ardhmen”, sinergjia “bëhet një shenjë e fuqishme shprese për të gjithë njerëzimin, duke zbuluar se feja, në thelbin e saj, nuk është burim konflikti, por burim shërimi dhe pajtimi”. Ky është, për Papa Leonin XIV, roli jetik i dialogut ndërfetar “në një epokë të shënuar nga konflikte të dhunshme”. Dhe pikërisht për këtë pjesëmarrësit i janë përgjigjur ftesës së presidentit të Republikës së Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, duke u mbledhur “për të rinovuar miqësitë dhe për të krijuar miqësi të reja, të bashkuar nga dëshira e përbashkët për të sjellë shërim në botën tonë të plagosur dhe të copëtuar”.

Harmonia mes nesh, anëtarë të familjes së vetme njerëzore

Papa thekson se “sinergji” do të thotë të punosh së bashku, “si mes nesh ashtu edhe me Hyjnoren” dhe se “çdo impuls i vërtetë fetar nxit dialogun dhe bashkëpunimin”, në vetëdijen “e ndërvarësisë që lidh individët dhe kombet”.

Në këtë perspektivë, të veprosh në harmoni nuk është thjesht një zgjedhje pragmatike, por një reflektim i rendit më të thellë të realitetit. Është një harmoni me vetë strukturën e ekzistencës sonë të përbashkët, si anëtarë të familjes së vetme njerëzore.

Solidariteti është sinergji në veprim

Dhe kjo vetëdije gjeneron në ndërgjegjen tonë, për Leonin XIV, “një ndjenjë të thellë solidariteti – bindjen se jemi përgjegjës për njëri-tjetrin”, siç shkruante Shën Gjon Pali II në Enciklikën Sollicitudo Rei Socialis të vitit 1987. Solidariteti “është sinergji në veprim: shprehja e jetuar e dashurisë për të afërmin si për veten, në shkallë globale”.

Diversitetet burim pasurimi reciprok

Ky bashkëpunim mes feve, vazhdon Papa, “nuk është një ftesë për të fshirë ndryshimet, por më tepër për të mirëpritur diversitetin si burim pasurimi reciprok”. Kisha Katolike, që nga Deklarata konciliare Nostra Aetate, “njeh dhe vlerëson gjithçka që është ‘e vërtetë dhe e shenjtë’ në fetë e tjera”.

Ajo kërkon në fakt të promovojë një sinergji autentike, duke sjellë në tryezën e takimit dhuratat dalluese të çdo tradite, ku çdo fe kontribuon me urtinë dhe dhembshurinë e saj në shërbim të të mirës së përbashkët.

Nga Asizi në Astana, duke kaluar nga Abu Dhabi

Papa Leoni XIV e përfundon mesazhin e tij duke kujtuar se kjo sinergji për të ardhmen ka dhënë tashmë fryte. Në vitin 1986, me takimin historik të lutjes me pjesëmarrje të liderëve fetarë në Asizi, i thirrur nga Papa Gjon Pali II, i cili “tregoi se nuk mund të ketë paqe mes kombeve pa paqe mes feve”. Në vitin 2019, kur Dokumenti mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën e Përbashkët, i nënshkruar në Abu Dhabi në vitin 2019 nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, “ofroi një rrugë të qartë se si sinergjia fetare mund të nxisë paqen dhe bashkëjetesën globale”. Dhe së fundi në vitin 2022, gjatë takimit të fundit të Kongresit të Astanës, “kur liderë të feve të ndryshme, përfshirë Papën Françesku, u bashkuan për të dënuar dhunën dhe ekstremizmin, për të mbrojtur refugjatët dhe për të ftuar të gjithë përgjegjësit të punojnë së bashku për paqen”.

Këto angazhime të nivelit të lartë reflektohen në veprime konkrete: kur ndodhin fatkeqësi natyrore, kur refugjatët detyrohen të ikin, ose kur familjet vuajnë për shkak të varfërisë ekstreme dhe urisë, komunitetet fetare shpesh bashkohen, duke punuar krah për krah për t’u sjellë lehtësim dhe shpresë atyre që kanë më shumë nevojë.

Fryte për të mirën e të gjithë popujve

E ardhmja që ëndërrojmë, përfundon mesazhin Papa Leoni XIV, e paqes, vëllazërisë dhe solidaritetit, “kërkon angazhimin e të gjitha duarve dhe të gjitha zemrave”.

17 shtator 2025, 13:34