Papa: Acutis dhe Frassati, d?shmi p?r t? mos e shp?rdoruar jet?n e p?r ta orientuar drejt Zotit
R.SH. – Vatikan
Një udhëkryq hapet para çdo të riu, kur e fillon vërtet jetën e vet: rreziku më i madh është ta lësh atë kohë të ikë, pa marrë vendimet më të rëndësishme. Por ai udhëkryq është preludi i një "aventure", që e fton secilin të bëjë një hap të ri "pa hezitim", të dalë nga vetvetja, nga “sendet” e "idetë", që robërojnë. Mjafton t’i lartojë sytë drejt Qiellit, të shijojë çdo frymëmarrje të ekzistencës dhe të ecë "për të takuar Zotin".
Këtë bënë Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati, dy të rinj italianë, që Papa Leoni XIV i shpalli shenjtorë sot, më 7 shtator, gjatë kremtimit eukaristik të kryesuar prej tij në sheshin para Bazilikës së Shën Pjetrit. Në këtë të diel me diell, besimtarët në festë, ndër të cilën dalloheshin qartë edhe flamujt shqiptarë, ishin korniza për meshën e bashkëkremtuar, ndër të tjerë, edhe nga kardinali Roberto Repole, kryeipeshkëv i Torinos, qyteti i lindjes së Frassati-t, vdekur në moshën 24 vjeçare dhe, nga imzot Domenico Sorrentino, ipeshkëv i Asizit - Nocera Umbra - Gualdo Tadino e Foligno, i cili shoqëroi që në fillim procesin për njohjen zyrtare të shenjtërisë së Carlo Acutis, vdekur në moshën 15-vjeçare.
"Sot është festë e bukur"
Vetëm pak minuta para fillimit të meshës, sheshi u mbush plot. Aty-këtu, parrulla me fjalët plot pasion të dy të rinjve laikë: "Jeto, mos bëj sikur jeton”,??"Të gjithë kemi lindur origjinalë". Papa Leoni XIV del në tremen e bazilikës e i përshëndet të pranishmit me fjalë, që s’ishin parashikuar në program. "Sot është një festë e bukur për gjithë Italinë, për gjithë Kishën, për gjithë botën!", nënvizoi ai, duke vënë në dukje se liturgjia tejet solemne nuk do ta zbehte gëzimin e kësaj dite.
“Dua të përshëndes sidomos të rinjtë e shumtë, që kanë ardhur për këtë meshë shenjte! Është vërtet një bekim nga Zoti të jemi bashkë, ju që keni ardhur nga vende të ndryshme. Është dhurata e fesë, që dëshirojmë ta ndajmë me të tjerët”.
Papa kërkoi "pak durim" nga ata që nuk ishin në rreshtat e parë, duke u premtuar një përshëndetje, kur të kalonte me papamobil në fund të kremtimit, ashtu siç bëri me të vërtetë. Pastaj, u drejtoi një mendim të veçantë familjeve të Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati, duke i ftuar të gjithë t’i ruajnë në zemra dëshmitë e tyre: dashurinë për Krishtin, "veçanërisht në Eukaristi, por edhe në të varfrit, në vëllezërit dhe motrat tona".
“Të gjithë ju, të gjithë ne, jemi të thirrur të jemi shenjtorë. Zoti ju bekoftë! Kremtim të gëzuar! Faleminderit që keni ardhur!”
"Çfarë duhet të bëj që asgjë të mos humbasë?"
Në homelinë e tij, Papa përmendi një pyetje nga Leximi i parë marrë nga Libri i Urtisë, shqiptuar nga Michele Acutis, vëllai i Carlo-s. Pyetje e një të riu tjetër, si dy shenjtorët e sotëm, pyetje e mbretit Salomon: “Kush do ta kishte njohur vullnetin tënd, nëse nuk do t'i kishe dhënë atij urti dhe nuk do t'i kishe dërguar Shpirtin tënd të shenjtë nga lart?” Me vdekjen e të atit, Davidit, Salomoni kishte gjithçka: pushtet, pasuri, shëndet, rini, bukuri, mbretëri. Por ç’duhej të bënte për të mos i humbur? Përgjigja, vërejti Papa Leoni XIV, ishte kërkesa për një dhuratë më të madhe: Urtinë e Zotit, për të kuptuar dhe për t'iu përmbajtur planeve të Tij.
“Në fakt, ai e kishte kuptuar se vetëm në këtë mënyrë gjithçka do të gjente vendin e saj në planin e madh të Zotit. Po, sepse rreziku më i madh në jetë është ta shpërdorosh atë, duke e përjashtuar planin e Hyjit”.
Cili është plani i Zotit për secilin?
Ati i Shenjtë komentoi më pas Ungjillin, ku Jezu Krishti i thotë secilit se kush nuk e mban kryqin bashkë me të, nuk është dishepull i Tij. Është thirrje, shpjegoi Papa, për ta ndjekur Krishtin pa u lëkundur, me "inteligjencë dhe forcë" - dhurata të Shpirtit Shenjt, këto - për ta pranuar, duke u zhveshur nga bindjet tona, "që të dëgjojmë Fjalën e tij". Jo vetëm Salomoni, por edhe Shën Françesku i Asizit, kur u ndodh para udhëkryqit të jetës, pati pyetur “O Zot, ç’dëshiron Ti që unë të bëj?”. E kur e gjeti përgjigjen, u zhvesh nga ari e argjendi i të atit, duke preferuar “dashurinë për vëllezërit, sidomos për më të brishtët e më të vegjlit”. E kështu, edhe shenjtorë të tjerë, që dëgjuan brenda vetes atë thirrje të Zotit, e cila u thoshte “Dua ty”, siç i ndodhi shën Augustinit.
“E kështu, Zoti i jep një drejtim të ri, një rrugë të re, një logjikë të re, në të cilën nuk humbi asgjë nga jeta e tij”.
"Kompania e Transportit Frassati"
Papa foli më pas për jetën e dy shenjtorëve të rinj, Frassati dhe Acutis. Për të parin, theksoi impenjimin në shkollat dhe grupet kishtare - Veprimi Katolik, Konferencat e Shën Vinçenc de Paulit, Federata Universitare Katolike Italiane (FUCI) dhe Urdhri i tretë Dominikan. Pastaj, lutja, miqësitë dhe bamirësia. "Kompania e Transportit Frassati" ishte nofka, që i dhanë shokët e tij, duke e parë t’u çonte ndihma të varfërve në rrugët e Torinos. Dëshmia e tij është "dritë për përshpirtërinë e laikëve", nënvizoi Leoni XIV.
“Për të, feja nuk ishte përkushtim privat: i shtyrë nga forca e Ungjillit dhe nga përkatësia në shoqatat kishtare, ai u impenjua bujarisht në shoqëri, kontribuoi në jetën politike dhe iu përkushtua me zjarr shërbimit për më të varfrit”.
Lutja, sporti, studimi dhe bamirësia
Për Carlo Acutis, Papa kujtoi takimin me Jezusin përmes familjes, duke përmendur Mikelin, Françeskën dhe prindërit e tij, Andrea dhe Antonia, të gjithë të pranishëm në bazilikë; përmes shkollës, por "sidomos, përmes Sakramenteve të kremtuara në bashkësinë famullitare". "Para diellit, nxihemi. Para Eukaristisë, bëhemi shenjtorë", thoshte Carlo. E, edhe:
“Trishtimi është vështrimi që sheh vetëm vetveten, lumturia është vështrimi drejt Zotit. Kthesa nuk është tjetër, veçse zhvendosja e shikimit nga poshtë drejt më të Lartit; mjafton një lëvizje e thjeshtë e syve”.
“Qielli na pret gjithnjë”
Të dy këta shenjtorë të rinj, vërejti Papa, ishin të dhënë pas Sakramentit të Pajtimit e shkonin të rrëfeheshin vazhdimisht. Carlo shprehte gjithnjë çudinë se si njerëzit shqetësohen më tepër për bukurinë e trupit, sesa për atë të shpirtit. Tipar tjetër i përbashkët ishte përkushtimi ndaj Zojës dhe bamirësia. “Rreth të varfërve e të sëmurëve, shoh një dritë që ne nuk e kemi”, thoshte Pier Giorgio Frassati. Si alpinist, ngjitej gjithnjë e më lart, duke pritur takimin përfundimtar me Hyjin, ndërsa Carlo, edhe më i ri, thoshte gjithnjë se “Na pret Qielli” e se sot, duhet përgatitur takimi i nesërm me Hyjin.
"Mos e shpërdoro jetën"
Shenjtorët e rinj bëhen kështu një "ftesë", veçanërisht për të rinjtë, "për të mos e shpërdoruar jetën, por për ta orientuar atë drejt lartësisë e për ta bërë kryevepër". Carlo thoshte:
“Jo unë, por Zoti”.
E Pier Giorgio:
“Nëse e ke Zotin në qendër të të gjitha veprimeve, atëherë do të arrish deri në fund”.
Një formulë tejet e thjeshtë për shenjtërinë e secilit. Por edhe dëshmi për t'u ndjekur, për ta "gëzuar jetën plotësisht dhe për të takuar Zotin në festën e Qiellit".
Ritet e kanonizimit
Kremtimi i ritit të kanonizimit ka çaste të veçanta, siç është Petitio fillestar, gjatë të cilit kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, i shoqëruar nga postulatorët - Nicola Gori për Acutis dhe Silvia Correale për Frassati - i paraqiti Papës kërkesën për shenjtërim. Pas biografive të dy të rinjve, u thanë Litanitë e Shenjtorëve, ndjekur nga formula e kanonizimit:
"Pasi reflektuam gjatë", ishin fjalët e Leonit XIV në latinisht, "pasi kërkuam vazhdimisht ndihmën hyjnore dhe dëgjuam mendimet e shumë vëllezërve tanë ipeshkvinj, i shpallim dhe i përcaktojmë shenjtorë të Lumët Pier Giorgio Frassati dhe Carlo Acutis".
Riti i kanonizimit përfundon me ofertën e kemit për nderimin e relikeve, me Alelujën dhe me falënderimin e kardinalit Semeraro e të postulatorëve drejtuar Papës: “Në emër të Shenjtes Kishë”, tha kardinali, “ju falënderoj me gjithë shpirt për deklaratën e bërë nga Shenjtëria Juaj dhe ju kërkoj me përvujtëri të jepni urdhër që të përgatiten Letrat Apostolike për këtë kanonizim”.