杏MAP导航

K?rko

2025.09.05 Inaugurazione e benedizione del Borgo Laudato si?

Papa p?ruron Borgon Laudato sì, q? flet vet? p?r Zotin

Leoni XIV bekon nj? projekt t? ekonomis? s? q?ndrueshme, q? shtrihet mbi 55 hektar? tok?, t? cilat m? par? ishin pjes? e Vilave Papnore. Njeriu, n?nvizon Ati i Shenjt?, ?sht? krijesa m? e bukur e Hyjit, krijuar sipas sh?mb?lltyr?s dhe ngjashm?ris? me t?. Por ky privilegj shoq?rohet me nj? p?rgjegj?si t? madhe: at? t? mbrojtjes s? t? gjitha krijesave t? tjera, n? p?rputhje me planin e Krijuesit

R.SH. – Vatikan

“Kujdesi për Krijimin përfaqëson një vokacion të vërtetë për çdo qenie njerëzore, impenjim që duhet realizuar brenda vetë Krijimit, pa harruar kurrë se ne jemi krijesa ndërmjet krijesave e jo krijues. Për këtë arsye, është e rëndësishme, siç shkroi paraardhësi im [Papa Françesku], “të rigjejmë harmoninë me Krijimin, për të reflektuar mbi stilin tonë të jetesës dhe idealet tona, për të kundruar Krijuesin, që jeton ndërmjet nesh dhe në gjithçka që na rrethon” (Laudato Si', 225).

Me këto fjalë, shqiptuar gjatë homelisë së meshës, Papa Leoni XIV përuroi sot pasdite (5 shtator) Borgon Laudato sì, një projekt që shtrihet në 55 hektarë tokë, të cilat dikur bënin pjesë në Vilat Papnore të Castel Gandolfo-s, pranë Romës, vendi ku edhe ai vetë, ashtu si Papë të tjerë, kaloi pushimet verore, gjatë këtij viti të parë të papnisë.

  (@Vatican Media)

Përshëndetja e punonjësve të Borgos dhe familjarëve të tyre

Para se të kremtonte Liturgjinë e Fjalës me Ritin e Bekimit, Ati i Shenjtë bëri një xhiro rreth Borgo-s, duke përshëndetur familjet e 39 punonjësve të tij dhe ata që, edhe vullnetarisht, marrin pjesë në mirëmbajtjen e këtij vendi, lindur me nismën e Papës Françesku më 2 shkurt 2023 për të zbatuar parimet e ekologjisë së gjithanshme, shpjeguar prej atij vetë në enciklikën nga e merr emrin Borgo. Në të ndodhen Qendra e Formimit të Lartë Laudato Si', zemra edukative e iniciativës, si edhe një sistem bujqësor i themeluar mbi parimet e ekonomisë së qëndrueshme. Me dy Kirografë, Papa Bergoglio i pati dhënë Borgos misionin për të promovuar ekologjinë e gjithanshme, duke bashkuar kujdesin për Krijimin me mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Riti i Bekimit të krejt strukturës u paraqit nga kardinali Fabio Baggio, Zv.sekretar i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Formimit të Lartë Laudato Si'. Ndërkaq, Papa mbajti homelinë, ku vuri në dukje rëndësinë e mbrojtjes së natyrës e të gjithësisë krijuar Zoti, si edhe atë të kujdesit për njeriun, përmes një ekonomie, që mban parasysh kriteret ekologjike. Më pas, u tha lutja kushtuar Krijimit, që Papa Françesku e pati shkruar në enciklikën Laudato sì. Papa Leoni XIV dëgjoi, së fundi, këngën "Dolce sentire" nga filmi "Vëllai Diell, motra Hënë" e regjisorit Franco Zeffirelli, interpretuar nga maestro i njohur italian i muzikës operistike Andrea Bocelli dhe nga djali i tij Matteo. 

  (@Vatican Media)

Zoti kujdeset për të gjitha sendet

Ati i Shenjtë, në homelinë e tij, u nis nga një frazë e kreut 6 të ungjillit sipas Mateut, zgjedhur për meshën e sotme: “Shikoni shpendët e qiellit… Shikoni si rriten lilat e fushës” (Mt 6, 26.28). Është Zoti, që na fton ta kundrojmë veprën e Tij; është Hyji, i cili i ka rregulluar të gjitha sendet në mënyrë të tillë që secili të kontribuojë në realizimin e Mbretërisë së Tij, sipas planit të Krijuesit. Në të njëjtën pjesë ungjillore, vërejti Papa, pasi u referohet shpendëve dhe lilave të fushës, Jezu Krishti i pyet dishepujt: “A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata?”, a nuk do të bëjë Zoti më shumë për ju?

“Jezusi – vëren Leoni XIV - nënvizon vendin e veçantë që i rezervohet, në veprën e krijimit, qenies njerëzore: krijesës më të bukur, të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Zotin. Por ky privilegj shoqërohet me një përgjegjësi të madhe: atë të mbrojtjes së të gjitha krijesave të tjera, në përputhje me planin e Krijuesit”.

Para Zojës
Para Zojës   (@Vatican Media)

Thirrja e njeriut për ta ruajtur veprën e Zotit

Prandaj, vijoi Ati i Shenjtë, Borgo Laudato sì është pjesë e nismave të Kishës, që synojnë realizimin e thirrjes së njeriut për ta ruajtur veprën e Zotit, detyrë e vështirë, por e bukur, që përbën një aspekt parësor të përvojës së krishterë. Leoni XIV përmendi paraardhësin e tij, që e la këtë vend si trashëgimi të tij, duke i dhënë mandatin për të qenë një model “mendimi, strukture dhe veprimi, i aftë të nxisë kthesën ekologjike nëpërmjet edukimit dhe katekezës”.

“Ajo që shohim sot – përfundoi Papa Leoni XIV - është një sintezë bukurie të jashtëzakonshme, ku përshpirtëria, natyra, historia, arti, puna dhe teknologjia bashkëjetojnë në harmoni… Dhe e gjithë kjo nuk mund të mos na flasë për Zotin”.

  (@Vatican Media)

Borgo Laudato sì dhe përpjekja për ekonomi të qëndrueshme

Borgo Laudato si' aktualisht mbulon 55 hektarë tokë, që më parë ishin pronë e "Vilave Papnore". Nga këto, afërsisht 30 hektarë përdoren për qëllime bujqësore, në kontekstin e vilës së lashtë romake të Domicianit, ambient me bukuri të pakrahasueshme dhe relike me vlerë të madhe historike dhe arkeologjike. Në këtë realitet ngrihet ky sistem i integruar, i përbërë nga Qendra e Formimit të Lartë “Laudato Si'” dhe nga sistemi i prodhimit bujqësor. Në këtë Borgo, do të formohen rreth dy mijë studentë në vit nga e gjithë bota, përfshirë edhe disa me aftësi të kufizuara, dërguar nga dioqeza të ndryshme. Të rinjtë do të bëjnë një eksperiencë pune në restorantin e Borgos - edhe ai në ndërtim e sipër falë bashkëpunimit me një firmë të madhe amerikane – por si pjesëmarrës në kurset e Qendrës janë parashikuar edhe profesionistë e administrues, përfshirë drejtorë ekzekutivë të ndërmarrjeve të mëdha. Disa prej tyre ishin të pranishëm edhe sot, në përurimin e Papës. I udhëhiqte Paul Polman, ish-drejtor ekzekutiv i firmës shumëkombëshe Unilever, me qendër në Londër. Ai konsiderohet sot një nga shembujt më të shquar të liderëve sipërmarrës, të përkushtuar ndaj ekonomisë së qëndrueshme. 

  (@Vatican Media)

Vreshtat biodinamike dhe sistemi agrovoltaik

Pjesa praktike e formimit do të zhvillohet pjesërisht në vreshtat biodinamike, me mbështetjen shkencore të Universitetit të Udines dhe, pjesërisht, në serrën fotovoltaike, në pritje që të vihet në zbatim edhe një sistem agrovoltaik, i cili kombinon kultivimin dhe prodhimin e energjisë në të njëjtin terren. Sistemi i ujitjes, i realizuar nga inxhinieri Antonino Errigo, sekretar i përgjithshëm i Qendrës, minimizon në maksimum ndikimin në liqenin Albano aty pranë. Të gjitha objektet, përfshirë Borgon, do të jenë të hapura për vizitorët: priten 250.000 njerëz çdo vit. Do të ketë një biletë hyrjeje, por njerëzit me vështirësi financiare mund të hyjnë falas.

05 shtator 2025, 17:45