Papa: ’Kombet p?rgjegj?se t? d?gjojn? britm?n e f?mij?ve t? pafajsh?m, paqja ?sht? e mundur’
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni i ka nxitur të gjithë Kishën të marrë përsipër "dhimbjen kolektive të popullsive të tëra që, të shtypura nga pesha e dhunës, urisë dhe luftës, luten për paqe". Kështu tha në homelinë e takimit të lutjes me rastin e Jubileut të Ngushëllimit, që u mbajt pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit. "Është një klithmë e madhe, që na detyron të lutemi dhe të veprojmë, që të ndërpritet çdo dhunë dhe kush vuan të mund të gjejë paqe e qetësi", bëri thirrje Leoni XIV: "Ngushëllimi i vërtetë që duhet të jemi në gjendje të transmetojmë është të tregojmë se paqja është e mundur, dhe se ajo lulëzon në secilin prej nesh nëse nuk e mbytim atë". "Përgjegjësit e kombeve - bëri thirrje Papa Prevost – duhet ta dëgjojnë në mënyrë të veçantë klithmën e shumë fëmijëve të pafajshëm, për t'u garantuar atyre një të ardhme që t'i mbrojë dhe t'i ngushëllojë. Mes kaq shumë dhune, jemi të sigurt, Zoti do të bëjë që mos mungojnë zemra dhe duar që sjellin ndihmë dhe ngushëllim, punëtorë paqeje të aftë të ngushëllojnë ata njerëz që janë në dhimbje dhe trishtim. Dhe së bashku, siç na ka mësuar Jezusi, do të thërrasim me më shumë vërtetësi: 'Ardhtë Mbretëria jote!'"
Papa e lidhi denoncimin e dhunës që shtyp njerëz dhe popuj të pafajshëm me temën e faljes që duhet t'u jepet edhe shtypësve për t'i konvertuar ata. "Dhimbja - shpjegoi Ati i Shenjtë - nuk duhet të gjenerojë dhunë; dhuna nuk është fjala e fundit, sepse ajo mposhtet nga dashuria që di të falë". "Çfarë çlirimi më të madh mund të shpresojmë të arrijmë, nëse jo atë që vjen nga falja, e cila në saje të hirit të Zotit mund të hapë zemrën pavarësisht se ka pësuar çdo lloj brutaliteti?", pyeti Leone, i cili shpjegoi: "Dhuna e pësuar nuk mund të fshihet, por falja e dhënë atyre që e kanë gjeneruar dhunën është një parapërgatitje në tokë e Mbretërisë së Zotit, është fryt i veprimit të Tij që i jep fund të keqes dhe vendos drejtësinë. Shëlbimi është mëshirë dhe mund ta bëjë të ardhmen tonë më të mirë, ndërsa ne ende presim kthimin e Zotit. Vetëm Ai do të thajë çdo lot dhe do të hapë librin e historisë duke na lejuar të lexojmë faqet që sot nuk mund t'i justifikojmë as t'i kuptojmë".
Më pas Papa iu drejtua viktimave të dhunës dhe abuzimit. "Edhe juve, vëllezër e motra që keni pësuar padrejtësinë dhe dhunën e abuzimit, Zoja Mari ju përsërit sot: 'Unë jam nëna juaj'", fjalët e saj: "Dhe Zoti, në fshehtësinë e zemrës, ju thotë: 'Ti je biri im, ti je bija ime'. Askush nuk mund ta heqë këtë dhuratë personale që i ofrohet secilit". "Dhe Kisha, nga e cila disa anëtarë fatkeqësisht ju kanë lënduar, sot gjunjëzohet bashkë me ju para Nënës", mea culpa e Leonit XIV: "Që të gjithë të mund të mësojmë prej saj t’ ruajmë më të vegjlit dhe më të brishtët me butësi! Që të mësojmë të dëgjojmë plagët tuaja, të ecim së bashku. Që të mund të marrim nga Virgjëra Maria, Zoja e Dhimbshme forcën për të njohur se jeta nuk përcaktohet vetëm nga e keqja e pësuar, por nga dashuria e Zotit që nuk na braktis kurrë dhe që udhëheq gjithë Kishën".
Mendimi i Papa Prevost, së fundi, shkoi te prindërit që qajnë një fëmijë që kanë humbur. "Sa shumë i duam dhe na janë marrë nga motra vdekje nuk humbasin dhe nuk zhduken në asgjë. Jeta e tyre i përket Zotit që, si Bari i Mirë, i përqafon dhe i mban ngushtë pranë vetes, dhe do të na i kthejë një ditë që të mund të gëzojmë një lumturi të përjetshme dhe të përbashkët", garantoi Papa në homelinë e vigjiljes së lutjes me rastin e Jubileut të ngushëllimit, mbajtur në Bazilikën e shën Pjetrit.