Papa: n? etjen e Krishtit n? kryq shohim etjen ton? p?r dashuri njer?zore
R.SH. / Vatikan
"Masa e njerëzimit tonë nuk përcaktohet nga ajo që mund të pushtojmë, por nga aftësia për t’i lejuar njerëzit të na duan e, kur është e nevojshme, edhe të na ndihmojnë". Në katekizmin e mbajtur sot, 3 shtator, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në një kohë që vlerëson “vetveten”, “suksesin", "aftësinë", Papa Leoni XIV na fton të njohim kufizimet dhe ligështitë tona njerëzore, në mënyrë që kështu të mund të njohim dashurinë e Zotit.
Para katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa bëri në papamobil një përshkim të Sheshit të Vatikanit në mesin e besimtarëve për të përshëndetur turmën brohoritëse dhe për të bekuar disa fëmijë.
Reflektimi i Atit të Shenjtë, në katekizmin e audiencës së sotme, u frymëzua nga një fragment shkëputur nga Ungjilli i Gjonit (19,28) , në të cilin përshkruhet "çasti më i ndritshëm dhe, në të njëjtën kohë, më i errët i jetës së Jezusit", domethënë, çasti i fundit para vdekjes, mbi kryq, kur ka etje e i jepet një sfungjer i zhytur në uthull. Në atë "britmë të heshtur", shpjegon Papa, ekziston një Zot që "dëshironte të ndante gjithçka në gjendjen tonë njerëzore", ndaj "lejon të përshkohet edhe nga kjo etje".
Në etjen e Krishtit, ne mund ta ndjejmë gjithë etjen tonë. Ta ndjejmë e të mësojmë se nuk ka asgjë më njerëzore, e asgjë më hyjnore, sesa të jesh në gjendje të thuash: “Kam nevojë për diçka”. “Kam etje!”
Të mos kemi frikë, pra, të kërkojmë, veçanërisht kur e dimë se nuk e meritojmë. Të mos turpërohemi të shtrijmë dorën. Pikërisht aty, në atë gjest të përulur, fshihet shpëtimi.
Njeriu nuk realizohet përmes pushtetit
"Në kryq, Jezusi nuk duket si hero fitimtar, por si lypës dashurie" që "nuk e shpall, nuk e dënon as nuk e mbron veten", por kërkon "përvujtërisht" ndihmë, theksoi Papa. Duke pohuar se ka etje, Krishti “shpreh natyrën e tij njerëzore, e edhe tonën", sepse "asnjëri prej nesh nuk është zot i vetvetes. Askush nuk mund ta shpëtojë veten - i vetëm",??këmbëngul Leoni XIV. "Jeta “nuk realizohet” kur jemi të fortë, por kur mësojmë ta jetojmë", e "Jezusi nuk shpëton me një kthesë dramatike të ngjarjeve, por duke kërkuar diçka, që nuk mund ta japë i vetëm".
Ky është paradoksi i krishterë: Zoti shpëton jo duke bërë, por duke lejuar të bëhet. Jo duke e mposhtur të keqen me forcë, por duke pranuar plotësisht ligështinë e dashurisë. Në kryq, Jezusi na mëson se njeriu nuk realizohet përmes fuqisë, por duke u besuar të tjerëve, edhe kur janë armiq e urrejtës kundër nesh. Shpëtimi nuk gjindet në pavarësi, por në njohjen me përvujtëri të nevojës dhe në aftësinë për ta shprehur lirisht.
Etja jonë për dashuri e drejtësi
Më pas Papa Leoni XIV theksoi se si etja e Jezusit në kryq "nuk është thjesht nevojë fiziologjike e një trupi të torturuar", por sidomos "shprehje e një dëshire të thellë: e asaj të dashurisë, të marrëdhënies, të bashkimit". Është britma e "një Zoti, që nuk turpërohet të lypë një gllënjkë, ngaqë me atë gjest na kujton se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të mësojë e të kërkojë, e jo vetëm të japë".
Leoni XIV ripohoi se pasi Jezusi mori sfungjerin e zhytur në uthull, shpalli "u krye" e dha shpirt, duke treguar se "dashuria u bë nevojtare”, pikërisht për këtë arsye e kreu punën e vet".
E këtu hapet një derë për shpresën e vërtetë: nëse edhe Biri i Zotit nuk deshi t’i mjaftonte vetvetes, atëherë etja jonë - për dashuri, për ndjenja, për drejtësi - nuk është shenjë e dështimit, por e së vërtetës.
Të kërkosh është çliruese, e mposht turpin e mëkatit.
Më pas Papa na inkurajon të kërkojmë ndihmë përballë brishtësisë sonë sepse "Jezusi na shpëton duke na treguar se të kërkosh nuk është e padenjë, por çliruese". "Është rruga për të dalë nga fshehja e mëkatit e për të hyrë përsëri në hapësirën e bashkimit. Që nga fillimi, mëkati krijoi turpin", vazhdon Papa. Ndërsa "falja e vërtetë lind kur mund të përballemi me nevojën tonë dhe të mos kemi më frikë të perjashtohemi".
Etja e Jezusit në kryq pra është edhe jona. Është britma e njerëzimit të plagosur, që ende kërkon ujë të gjallë. E kjo etje nuk na largon nga Zoti, por përkundrazi, na bashkon me Të. Nëse kemi guximin ta pranojmë, mund të zbulojmë se edhe brishtësia jonë është urë drejt qiellit. Pikërisht në kërkim - jo në përvetësim - hapet rruga drejt lirisë, mbasi pushojmë së pretenduari se na mjafton vetvetja.
Leoni XIV e përfundoi katekizmin duke përsëritur se "në vëllazëri, në jetën e thjeshtë, në artin e kërkimit pa turp dhe të dhënies pa llogaritje, qëndron një gëzim i panjohur për botën". Gëzim, që na kthen te "e vërteta jonë origjinale", domethënë, se ne jemi "krijesa të bëra për të dhënë e për të marrë dashuri".