Papa: ipeshkvi ?sht? sh?rb?tor, q? kumton me guxim Ungjillin
R.SH. – Vatikan
Një atmosferë dialogu karakterizon audiencën e sotme (11 shtator) të Papës, në Sallën e Sinodit, me ipeshkvijtë e shuguruar gjatë vitit dhe me ata që shërbejnë në vendet e misionit. Leoni XIV bën shaka për zërin e tij para se të këndojë "Veni Creator" dhe reflekton edhe për ndjenjën e habisë, që e ndien ende katër muaj pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. "Mendova", thekson ai, "se do të vija edhe unë në këtë kurs i veshur me të zeza".
Ati i Shenjtë u drejtohet 192 ipeshkvijve nga pesë kontinente, të cilët, që nga 3 shtatori, marrin pjesë në kurse formimi të organizuara nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin dhe nga ai për Ipeshkvijtë. Fjalët e Papës përqendrohen në identitetin e ipeshkvit, duke shprehur mendimin e tij, por edhe atë të ipeshkvijve të rinj. "Ndoshta disa prej jush ende thonë: 'Si ka mundësi, që më zgjodhën mua?' Unë, të paktën, e bëj këtë pyetje”, pohoi Leoni XIV për veten.
Shërbëtorë të Zotit dhe të popullit
“Para së gjithash, do të doja të kujtoja diçka tejet të thjeshtë, që duhet përsëritur gjithnjë: dhurata që keni marrë nuk është për vetveten, por për t'i shërbyer çështjes së Ungjillit. Ipeshkvi është shërbëtor, ipeshkvi është i thirrur t'i shërbejë fesë së popullit”.
Kjo, këshilla e parë e Papës, i cili kujton se për të kumtuar si duhet Ungjillin është e nevojshme "liria e brendshme, varfëria në shpirt dhe gatishmëria për të shërbyer lindur nga dashuria, që të mishërohet vetë zgjedhja e Jezu Krishtit". Imitimi i Krishtit, vëren Leoni XIV, është stil, që shihet qartë jo përmes ushtrimit të pushtetit, por "në dashurinë e një Ati, që na thërret në bashkim me Të". Duke kujtuar Papën Françesku, Ati i Shenjtë thekson se "autoriteti i vetëm që kemi është shërbimi"; një shërbim i bërë me përvujtëri.
Një stil, që përbëhet nga kujdesi dhe vëmendja për realitetin
Shërbim i afërt me njerëzit, sepse, siç thoshte gjithnjë Papa Françesku, qëndrimi me popullin arrihet "përmes duarve tona të hapura, që përkëdhelin dhe ngushëllojnë; përmes fjalëve tona, të shqiptuara për ta vojuar botën me Ungjillin dhe jo me veten tonë; përmes zemrave tona, kur ngarkohen me ankthin dhe me gëzimet e vëllezërve dhe motrave". Papa i fton ipeshkvijtë e rinj të kuptojnë ç’do të thotë sot të "jenë shërbëtorë të fesë së popullit".
“Sadoqë është e rëndësishme dhe e nevojshme, vetëm vetëdija se shërbesa jonë rrënjoset në frymën e shërbimit, në imazhin e Krishtit, nuk mjafton. Në të vërtetë, ajo duhet të realizohet edhe me stilin e apostullimit, në format e ndryshme të kujdesit dhe të mbarështimit baritor, në etjen për ta kumtuar Ungjillin në mënyra të larmishme dhe krijuese, në varësi të situatave konkrete, me të cilat do të përballeni”.
Sfidat, që kemi përpara
Më pas, Papa e kthen shikimin nga e tashmja, e shënuar nga kriza e fesë e nga vështirësitë në transmetimin e saj – realitet, që "na fton", pohon ai, "të rizbulojmë pasionin dhe guximin për kumtimin e ri të Ungjillit". Nuk duhet t'i harrojmë as ata, që janë larg fesë, por janë në kërkim të Zotit; ata, që trokasin në dyert e Kishës, por, nganjëherë, “nuk gjejnë gjuhën dhe formën e përshtatshme në propozimet e zakonshme baritore".
“Gjithashtu, nuk duhet t'i harrojmë edhe sfidat e tjera, me karakter më kulturor e shoqëror, që kanë të bëjnë me të gjithë, por në veçanti, prekin disa territore: tragjedinë e luftës dhe të dhunës, vuajtjet e të varfërve, aspiratën e kaq shumë njerëzve për një botë më vëllazërore dhe më solidare, sfidat etike që ngrenë pyetje mbi vlerën e jetës dhe të lirisë… e lista sigurisht që mund të jetë më e gjatë”.
Barinj ndërmjet popullit
Për Papën Leoni XIV, misioni i Kishës është i qartë: një Kishë e vëmendshme, e afërt, e gatshme të ndajë dhimbjet dhe gëzimet e njerëzve.
“Kisha ju dërgon si barinj të kujdesshëm dhe të vëmendshëm, që dinë të ndajnë udhën, pyetjet, ankthet dhe shpresat e popullit; barinj, që dëshirojnë të jenë udhërrëfyes, etër dhe vëllezër për meshtarët, si edhe për motrat dhe vëllezërit në fe”.
Ati i Shenjtë përfundoi duke siguruar lutje që "puhia e Shpirtit të mos mungojë, në mënyrë që gëzimi i Shugurimit tuaj, si aromë hyjnore, të përhapet edhe tek ata, të cilëve do t'u shërbeni".