Papa, augustinian?ve: dashuria ?sht? qendra e gjith?kaje, t? mos shuhet fryma misionare
R.SH. – Vatikan
Papa Leoni XIV shprehu "lumturinë" dhe faktin se ndihej "si në shtëpi" ndërmjet augustinianëve të mbledhur në Institutin Patristik Augustinianum, për Kapitullin e 188-të të Përgjithshëm të Urdhrit, ku morën pjesë rreth 100 rregulltarë nga 46 vende të ndryshme. Sot paradite, Ati i Shenjtë mbërriti në Institutin Papnor, vetëm pak hapa larg rezidencës së tij aktuale në Pallatin e ish-Sant’Uffizio, për të marrë pjesë – fizikisht e shpirtërisht - në punimet, që po mbahen nga 1 deri më 18 shtator, përuruar nga ai vetë. Ishte rasti edhe për të marrë urimet e ditëlindjes së 70-të, festuar dje.
"Thirrja", "formimi", "dashuria", e cila është "qendra e gjithçkaje", ishin temat e fjalimit, që Papa u mbajti sivëllezërve të tij, të cilëve u kërkoi të mos e harrojnë frymën misionare, që e ka karakterizuar Urdhrin për shekuj me radhë. Që nga viti 1533, datë e misionit të parë të augustinianëve, rregulltarët vijojnë ta shpallin Ungjillin në pjesë të ndryshme të botës, “me pasion dhe bujari, duke u kujdesur për bashkësitë lokale të krishtera, duke iu përkushtuar edukimit dhe mësimdhënies, duke u impenjuar për të varfrit dhe duke kryer vepra shoqërore dhe bamirësie”, pohoi Leoni XIV.
Të rigjallërohet fryma misionare
"Kjo frymë misionare nuk duhet të shuhet, sepse edhe sot ka nevojë të madhe për të", i inkurajoi Papa. "Ju nxis ta ringjallni".
“Misioni ungjillëzues, në të cilin jemi të gjithë të thirrur, kërkon dëshminë e gëzimit të përvuajtur e të thjeshtë, gatishmërinë për të shërbyer dhe ndarjen e jetës me njerëzit tek të cilët jemi dërguar”.
Ati i Shenjtë nuk harroi t’i bëjë urimet eprorit të ri të përgjithshëm, atë Jospeh Farrell, amerikan, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të. Pastaj, vijoi t’u fliste augustinianëve, duke përmendur shpesh atin e tyre shpirtëror e atin e madh të Kishës, Shën Augustinin.
Jeta shpirtërore nuk është ikje nga përgjegjësitë
Jeta shpirtërore, një nga gurët themelorë të mësimit të Ipeshkvit të Iponës, "nuk është ikje nga përgjegjësitë personale dhe komunitare, nga misioni që Zoti na ka besuar në Kishë dhe në botë, nga pyetjet dhe problemet urgjente", sqaroi Leoni XIV. "Ne kthehemi te vetja për të dalë më pas edhe më të motivuar dhe më entuziastë në mision".
“Depërtimi në vetvete ripërtërin shtysën tonë shpirtërore dhe baritore: kthehemi te burimi i jetës rregulltare dhe i shugurimit, për t'u ofruar dritë atyre, që Zoti i vendos në rrugën tonë. I rizbulojmë marrëdhëniet me Zotin dhe me vëllezërit e motrat në familjen tonë rregulltare, sepse nga kjo bashkësi dashurie mund të frymëzohemi dhe t'i përballojmë më mirë çështjet e jetës komunitare dhe sfidat apostolike”.
"Në qendër të gjithçkaje është dashuria"
Në këtë kuadër, Papa foli mbi thirrjen e formimin. Duke kujtuar thënien e Shën Augustinit: "Duaje atë që dëshiron të jesh", Leoni XIV nënvizoi:
“Në qendër të gjithçkaje është dashuria. Thirrja e krishterë, e ajo rregulltare në veçanti, lind vetëm kur ndihesh i tërhequr nga diçka e madhe, nga një dashuri, që mund ta ushqejë dhe ta ngopë zemrën”.
Papa bëri thirrje të ndihmohen të rinjtë ta shohin bukurinë e thirrjes në jetën rregulltare e ta përqafojnë atë. "Thirrja dhe formimi nuk janë realitete të paracaktuara", pohoi Papa. "Ato janë një aventurë shpirtërore, që përfshin të gjithë historinë e një personi". "Një aventurë dashurie me Zotin", tek i cili nuk mund të arrijmë thjesht përmes arsyes e informimit. Duhet “të mahnitemi” nga madhështia e Hyjit, duke vënë në diskutim vetveten dhe gjërat që njohim, vërejti Leoni XIV. Kjo bëhet me përvujtëri e bujari, të cilat – edhe këto – lindin nga dashuria. “Bujari në komunikimin e rezultateve të reflektimit personal, që ai t’i sjellë dobi fesë së të tjerëve, sidomos të atyre që studiojnë; përvujtëri, për të mos rënë në kotësinë e atyre, që kërkojnë vetëm dijen në vetvete, duke u ndjerë superiorë ndaj të tjerëve, thjesht për faktin se e zotërojnë atë”.
Dhurata e bamirësisë
Njëkohësisht, Papa Leoni XIV i nxiti augustinianët të shikojnë drejt "dhuratës së bamirësisë hyjnore", që të jetojnë më mirë në bashkësi dhe në veprimtarinë apostolike, duke ndarë së bashku të mirat "materiale", "njerëzore" dhe "shpirtërore".
“T'i qëndrojmë besnikë varfërisë ungjillore dhe të sigurohemi që ajo të bëhet kriteri për të jetuar gjithçka jemi dhe kemi, përfshirë mjetet dhe strukturat tona, në shërbim të misionit tonë apostolik”.