Papa: kujdesi, dhurimi dhe besimi, themelet e nj? ekonomie q? nuk e vret, por e p?rmir?son jet?n
R.SH. – Vatikan
"Vëlla, motër, ku je?"
Kjo është pyetja për ata, që vuajnë dhunën e luftës, që detyrohen të largohen nga atdheu, "të refuzuar e të mënjanuar" në kufijtë e botës; për ata, që mbajnë barrën e varfërisë dhe fajësohen për të, për shkak të logjikës "që vlerëson fitimin mbi njerëzit". Është pyetja edhe për ata që, megjithëse të lidhur gjithnjë në rrjet, jetojnë në vetminë e një heshtjeje, që nuk shihet nga askush. Kësaj heshtjeje, duhet t'i përgjigjemi me guximin e një "drejtimi të ri në jetë". "Biznesit të luftës", duhet t'i kundërvihemi me një ekonomi, që lind nga kujdesi, dhurimi dhe besimi i ndërsjellë.
Kjo është thirrja, që Papa Leoni XIV u drejtoi sot pjesëmarrësve në edicionin e tretë të Takimit Botëror mbi Vëllazërimin Njerëzor, i cili vazhdon deri nesër, 13 shtator. I organizuar nga Bazilika e Shën Pjetrit, në të përfshihen 15 tryeza tematike dhe laboratore dialogu, me pjesëmarrjen e figurave me rëndësi ndërkombëtare - edhe laureatë të Çmimit Nobel - për t’i thënë “jo” luftës e konflikteve, që kanë përfshirë botën.
Dhuna nuk është normë
Konflikti, kujtoi Ati i Shenjtë, ka qenë i pranishëm që nga origjina e marrëdhënieve njerëzore, në historinë biblike të Kainit dhe Abelit. Megjithatë, nuk mund të kthehet në justifikim për të thënë "gjithmonë ka qenë kështu".
“Sado e lashtë, sado e përhapur, dhuna e Kainit nuk mund të tolerohet si normale. Përkundrazi, norma tingëllon në pyetjen hyjnore drejtuar fajtorit: "Ku është vëllai yt?"”
Një pyetje që bëhet "thirrje", "rregull", "kanun drejtësie". Logjikës së hakmarrjes, pohoi Papa, Zoti i kundërvë "atë pyetje, që shoqëron gjithë rrjedhën e historisë".
““Vëlla, motër, ku je?” Ku je në këtë biznes lufte, që shkatërron jetën e të rinjve të detyruar të mbajnë armë, që godet civilë, fëmijë, gra dhe të moshuar të pambrojtur, që shkatërron qytete, fshatra dhe ekosisteme të tëra, duke lënë pas vetëm rrënoja dhe dhimbje? Vëlla, motër, ku je midis emigrantëve të përçmuar, të burgosur dhe të refuzuar, midis atyre që kërkojnë shpëtim dhe shpresë, por gjejnë mure dhe indiferencë? Ku je, vëlla, kur të varfrit fajësohen për varfërinë e tyre, harrohen dhe mënjanohen, në një botë që më shumë vlerëson fitimin sesa njerëzit? Vëlla, motër, ku je në një jetë hiper-të lidhur në internet, por ku vetmia gërryen lidhjet shoqërore dhe na bën të huaj edhe për vetveten?”
"Një e vetme është origjina e popujve të ndryshëm"
Leoni XIV vuri në dukje se nuk jemi të vetëm në këtë botë e se nuk lidhemi me të tjerët vetëm për interesa e as vetëm për hir të etnisë a të gjakut: këto, denoncoi ai, janë "vëllazëri", që kujdesen vetëm për ata, që janë të ngjashëm me grupin, por jo për të ndryshmit. Historia e krijimit të botës dhe gjenealogjitë, që përshkruhen në Bibël, dëshmojnë se popujt e ndryshëm kanë të njëjtën origjinë, prandaj Toka është për të gjithë e jo vetëm për disa.
“Ka një vetëdijësim bazë, themelor, që duhet arritur për të ecur drejt miqësisë shoqërore dhe vëllazërimit universal: - citoi Ati i Shenjtë enciklikën e Papës Françesku “Fratelli tutti” - të kuptojmë sa vlen një qenie njerëzore, sa vlen një person, gjithmonë dhe në çdo rrethanë”.
“Aleanca e njerëzores”
Vëllazërim, vijoi më tej Leoni XIV, do të thotë afërsi, sidomos me të varfërit, refugjatët, edhe me kundërshtarët, sepse në të gjithë banon misteri i Hyjit. Papa kërkoi të gjenden udhë lokale e ndërkombëtare për t’i përfshirë edhe të varfërit në proceset e zhvillimit, pasi ata duhen trajtuar jo thjesht si nevojtarë për ndihmë, por edhe si subjekte, që mund të vendosin për fatin e tyre.
“Kemi nevojë për një "aleancë të njerëzores", bazuar jo mbi pushtetin, por mbi kujdesin; jo mbi fitimin, por mbi dhurimin; jo mbi dyshimin, por mbi besimin. Kujdesi, dhurimi dhe besimi nuk janë virtyte për kohën e lirë: janë shtylla të një ekonomie që nuk vret, por intensifikon dhe zgjeron pjesëmarrjen në jetë”.
Vëllazërimi shtohet bashkë me kulturën
Papa përfundoi duke falënderuar artistët pjesëmarrës në këtë ngjarje, por sidomos fituesit e Çmimit Nobel të pranishëm në dy ditët e Romës, të cilët hartuan Deklaratën e Vëllazërimit Njerëzor më 10 qershor 2023 dhe e përhapën atë në botë. "Vazhdoni të nxisni përshpirtërinë e vëllazërimit përmes kulturës, marrëdhënieve të punës dhe veprimit diplomatik", bëri thirrje Papa, duke i ftuar të mbajnë në zemër fjalët e Jezusit në Ungjillin sipas Gjonit:
“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si unë ju kam dashur ju, ashtu edhe ju duhet ta doni njëri-tjetrin”.