Z?ri i Pap?ve p?r paqen e popujve
R.SH. / Vatikan
"Ndërsa toka jonë vazhdon të jetë e plagosur nga luftërat në Tokën Shenjte, Ukrainë dhe shumë vise të tjera të botës, i ftoj të gjithë besimtarët ta jetojnë 22 gushtin në agjërim e uratë, duke iu lutur Zotit të na japë paqe dhe drejtësi e t’i terë lotët e atyre që vuajnë për shkak të konflikteve të armatosura e të vazhdueshme". Me këto fjalë, në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, më 20 gusht, Papa Leoni XIV i nxiti besimtarët të luten për dhuratën e pajtimit, në një botë që po shkatërrohet gjithnjë e më shumë nga dhuna.
Sot, në ditën kur Kisha katolike romake kremton përkujtimin e Zojës Mari, Mbretëreshë e Qiellit, Papa i inkurajoi të gjithë t’i drejtohen Asaj, që "thirret edhe Mbretëreshë e Paqes", në mënyrë që nëpërmjet ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, popujt të gjejnë rrugën drejt pajtimit.
Të bëhen të gjithë burra e gra të pajtimit
Nisma e Papës Prevost vjen pas atyre të paraardhësit të tij Françeskut i cili, gjatë dymbëdhjetë vjetëve të papnisë, bëri vazhdimisht thirrje për paqe, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në "Ukrainën e martirizuar". Që në shtator 2013, gjashtë muaj pas zgjedhjes së tij në papni, Bergoglio shpalli një Ditë lutjeje dhe pendese për të lypur nga Zoti "dhuratën e madhe" të paqes për Sirinë, Lindjen e Mesme dhe mbarë botën.
Mbrëmësorja e Lutjes u kremtua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 7 shtator, në pragun e festës të Lindjes së Marisë, Mbretëreshë e Paqes e, në predikimin e tij, Papa Françesku i pati nxitur të gjithë të bëhen "burra dhe gra të pajtimit dhe paqes".
Lufta është çmenduri
Në dy raste të tjera, Bergoglio i ftoi njerëzit të luten për Lindjen e Mesme: më 27 tetor 2023, njëzet ditë pas shpërthimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, në Bazilikën e Vatikanit u kremtua një orë lutjeje dhe adhurimi eukaristik, i quajtur Pacem in Terris, i emëruar sipas enciklikës historike të Gjonit XXIII, botuar 60 vjet më parë.
"Kjo është orë e errët, o Nënë" - u lut Papa – E, në këtë orë të errët, ne pasqyrohemi në sytë tuaj të ndritshëm dhe ia besojmë gjithë vetveten zemrës sate, në mënyrë që ajo t'i mësojë njerëzimit ‘ta flakë tutje marrëzinë e luftës, e cila mbjell vdekjen dhe e fshin të ardhmen’".
Një vit më vonë, më 6 tetor 2024, Françesku shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, ku u lut për paqen; për më tepër, ditën tjetër, saktësisht një vit pas fillimit të konfliktit, shpalli një Ditë të veçantë Lutjeje dhe Agjërimi.
Lutja drejtuar Marisë, Mbretëreshës së Paqes
Posaçërisht për Ukrainën, më pas, Papa kërkoi lutje të veçanta më 2 mars 2022, të Mërkurën e Përhime: një javë pas sulmeve të Moskës kundër Kievit, iu lut Virgjërës Mari, Mbretëreshë e Paqes, "ta ruaj botën nga marrëzia e luftës".
Kjo lutje u përsërit më 25 marsin pasues kur, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Françesku ia besoi Ukrainën dhe Rusinë Zemrës së Papërlyer të Marisë, në mënyrë që konflikti të mund të mbaronte sa më shpejt.
Një paqe e qëndrueshme bazohet në drejtësi
Nisma në favor të pajtimit në botë u ndërmorën edhe nga pasardhësit e fundmë të Pjetrit: më 23 korrik 2006, për shembull, gjatë keqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, Benedikti XVI shpalli lutje dhe pendesë të veçantë për të "kërkuar nga Zoti dhuratën e çmuar të paqes".
Së fundi, kujtimi kolektiv i Ditës së Agjërimit dhe Lutjes, i shpallur nga Papa Shën Gjon Pali II më 14 dhjetor 2001, vetëm tre muaj pas sulmit të 11 shtatorit mbi Kullat Binjake në Nju Jork: nismë që synonte "lutje të zjarrtë drejtuar Zotit, që t'i dhurojë botës paqe të qëndrueshme, bazuar mbi drejtësinë".