Tre t? burgosur nga Venediku takojn? Pap?n, Moraglia: Jubileu, rrug? sh?rimi
R.SH. – Vatikan
"Një takim shumë i përzemërt, shumë vëllazëror, informal. Nuk pati fjalime të përgatitura". Patriarku i Venedikut, imzot Francesco Moraglia, u tregon mediave të Vatikanit për audiencën e sotme, 7 gusht, me Papën Leoni XIV në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, ku Ati i Shenjtë takoi një grup shtegtarësh, përfshirë tre të burgosur nga burgu i Shën Marisë së Madhe në Venedik. Ata mbërritën në Romë dje nga Terni, ku u nisën në këmbë e udhëtuan për pesë ditë drejt kryeqytetit italian. Tre të burgosurit, shpjegon ipeshkvi, mundën të përfitonin nga leja e gjykatësit për të këtë përvojë me vlerë të madhe në udhën e tyre të shërimit e të çlirimit. Në takimin me Papën, i cili u zhvillua pasi kaluan nëpër Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, ishin edhe kapelani i burgut të burrave, don Massimo Cadamuro; drejtori i burgut, Enrico Farina; Vikari ipeshkvnor i ngarkuar me punën bamirëse, imzot Fabrizio Favaro; si edhe drejtori i Karitasit të Venedikut, Franco Sensini.
Shërimi fillon nga burgu
Patriarku i Venedikut nënvizon inkurajimin që mori nga Papa, të cilit të burgosurit i ofruan disa dhurata: një bllok, një ditar të udhëtimit të tyre të fundit në këmbë dhe revistën, që të burgosurit e botojnë në burg. Dioqeza i dhuroi një kelk, një patenë punuar nga mjeshtrat e qelqit të Muranos, ku duket Zoja Nikopeia, që ruhet në Bazilikën e Shën Markut. Papa, tregon Patriarku, na bërë “thirrje të fuqishme për ta shëruar shoqërinë, individët, historinë, marrëdhëniet me të tjerët, shpirtin e secilit, marrëdhëniet me Zotin. Miqtë tanë të burgosur duhet të përpiqen t’i kapërcejnë historitë, që u kanë lënë plagë, nga të cilat mund të shërohen, jo në të ardhmen kur të lirohen, por duke filluar pikërisht nga burgu, çdo ditë”. Leoni XIV, sipas Patriarkut, theksoi pikërisht këtë përmasë. Prekës, çasti kur Ati i Shenjtë shkëmbeu disa fjalë me secilin prej pjesëmarrësve në takim, vazhdon imzot Moraglia, pasi secili nga të burgosurit do të ketë një fotografi për ta mbajtur në qelinë e vet.