Plazhet, sipas fjal?ve t? Pap?ve: reflekse t? Ungjillit drejt Amshimit
R.SH. - Vatikan
Plazhi është rrip rëre, që ndan tokën nga deti: kufi që duket se na fton t’ia ngulim sytë horizontit. Është edhe vendi, veçanërisht gjatë kësaj vere, i zgjedhur nga shumë familje për të kaluar çaste pushimi e harrese. E, në veçanti, hapësirë ku shumë fëmijë që - të rrethuar nga kokrriza të vogla rëre - duan të vrapojnë, të luajnë, të ndërtojnë kështjella dhe të grumbullojnë kujtime të paharruara. Kujtimet e plazhit, nga më të ndryshmet që të lënë kaltërsia e valët bregdetare, pasqyrohen edhe në reflektimet e Papëve. Ky vend merr, kështu, pamje të veçanta dhe të larmishme, në varësi të hapësirës së tij gjeografike dhe historike.
Çlodhje e lojëra
Plazhet, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, shoqërohen me vendpushime bregdetare të mbushura me radhë çadrash. Pranë valëve, koha zakonisht kalon ndërmjet zhytjeve në ujë dhe takimit me rrezet e diellit. Të vegjlit bëhen "inxhinierë" të aftë të rërës. Më të rriturit, në këtë mjedis të qetë, duan të provojnë shfletimin e librave që, më në fund, nxirren nga një sirtar ku pothuajse ishin harruar gjatë një viti të tërë! Këto janë skena të zakonshme në shumë vende si Riviera e Riminit - a si Liqeni i Shkodrës. Papa Gjon Pali II i vizitoi të dy këto vende e u mahnit nga kaltërsia, siç e vërejmë në falënderimin e mëposhtëm:
“Ju shpreh falënderimet dhe përshëndetjet e mia të sinqerta të gjithëve ju, qytetarëve të Riminit të bukur dhe të dashur, si dhe juve, mysafirëve nga vende të ndryshme të Italisë dhe të botës, që keni ardhur për të kërkuar pushim në plazhet simpatike të kësaj toke”.
Përshëndetje pushuesve në plazhe e kudo janë!
Pushimet, kohë prehjeje nga puna, zakonisht fillon me një udhëtim drejt vendit të zgjedhur të pushimeve. Gjatë kësaj kohe, mendimet e Papëve janë gjithashtu mundësi për t’i përshëndetur pushuesit, siç pati bërë Pali VI në Lutjen e Engjëllit, më 6 gusht 1967. Një përshëndetje që mirëpritet kudo.
Juve, të shumëdashur Bij, urimet Tona më të mira për pushime të lumtura. Urime që shtrihen kudo, në fshat, në plazhe, në male, kudo ka njerëz që pushojnë, duke kërkuar çaste paqeje dhe qetësie, gjallërim të korpit e të shpirtit, kontakt me natyrën dhe bisedë me miq të mirë.
Vende dhimbjeje dhe martirizimi
Megjithatë, plazhet janë edhe vende dramatike ku, për fat të keq, shpresat e shumë emigrantëve që kërkojnë një jetë më të mirë, shpesh shuhen. Ka shumë tragjedi në det, si ajo që ndodhi në vitin 2023 në Steccato di Cutro. Jo shumë larg atij plazhi kalabrez, një anije u mori jetën 94 personave, përfshirë 34 fëmijë.
"Udhëtimet e shpresës", pati thënë Papa Françesku në Lutjen e Engjëllit më 5 mars 2023, duke iu referuar asaj tragjedie, "mos u bëfshin kurrë më udhëtime vdekjeje. Ujërat e pastra të Mesdheut mos u njollosshin kurrë më me gjak nga aksidente të tilla tragjike".
Plazhi mund të bëhet edhe vend martirizimi, si në historinë e kohëve të fundit, në fillim të mijëvjeçarit të tretë. Një episod dramatik ndodhi më 15 shkurt 2015, kur njëzet egjiptianë dhe një ganez u masakruan në plazhin në Sirte të Libisë, ku punonin. Ata u vranë nga militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik. Njëzet burrat, të gjithë egjiptianë, ndiqnin Kishën Ortodokse Kopte. Ganezi nuk ishte i krishterë, por kur iu kërkua të hiqte dorë nga Krishti, gjegji: "Zoti i tyre, është Perëndia im". Ata u përfshinë në Martirologjinë Romake si shenjë e bashkimit shpirtëror që bashkon Kishat Katolike dhe Ortodokse. Në një mesazh video, në kujtim të tyre, më 15 shkurt 2021, Papa Françesku theksoi se këta "vëllezër të guximshëm" kishin "zbardhur jetën e tyre në gjakun e Qengjit".
Të masakruar nga brutaliteti i ISIS-it, ata vdiqën duke thënë: "Zoti Jezus!", duke rrëfyer emrin e Jezusit. E vërtetë se është tragjedi humbja e jetës së këtyre njerëzve në plazh; por është edhe e vërtetë që plazhi u bekua nga gjaku i tyre.
Plazhet dhe punëtorët
Edhe në verë, plazhet janë vende të njohura nga shumë punëtorë, veçanërisht ata që merren me peshkim. Profesion që i tejkalon kufijtë dhe shekujt. Në Ungjill, për shembull, na kujtohet se apostujt Simoni, Andrea, Jakobi dhe Gjoni ishin peshkatarë, të zënë me punën e tyre të përditshme. Ata hedhin rrjetat e tyre e i riparojnë ato. Edhe sot, puna e peshkatarëve vazhdon sipas ritmeve të zakonshme. Pasi peshkimi i tyre mbaron, këta detarë drejtohen me varkat e tyre përsëri në breg për t'u kthyer në shtëpi. Edhe atyre, peshkatarëve, iu drejtuan fjalët e Piut XII në mesazhin e tij radiofonik të vitit 1957, me rastin e 450-vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Paolës.
Ju, peshkatarë të përulur të plazheve të Italisë, punëtorë të zellshëm në porte dhe kantiere detare; të gjithë ju që e bëni detin shtëpinë tuaj dhe që deti i përqafon, si nëna e një familjeje të madhe, duke i siguruar secilit punë dhe jetesë...
Një vend ungjillor
Plazhet janë edhe vende ungjillore të predikimit të Birit të Perëndisë. Një ditë, siç kujton Shën Mateu, Jezusi "doli nga shtëpia dhe u ul pranë detit. Një turmë e madhe u mblodh rreth tij, saqë ai hipi në një barkë dhe u ul, ndërsa e gjithë turma mbeti në plazh". Një tjetër pasazh ungjillor i vendosur në këtë skenar, është ai i shumëzimit të bukëve dhe peshqve. Gjoni Ungjilltar shkruan se Jezusi ishte në bregun e Detit të Galilesë, i rrethuar nga një turmë e madhe. Kjo është një skenë e kujtuar më 9 korrikun e kaluar nga Papa Leoni XIV, gjatë Meshës së Shenjtë kushtuar ruajtjes së Krijimit.
Jezusi kishte jetuar dhe ishte lutur rreth Detit të Galilesë. Atje i kishte thirrur dishepujt e tij të parë në vendet e tyre të jetës dhe punës. Shëmbëlltyrat me të cilat shpalli Mbretërinë e Perëndisë, zbulojnë një lidhje të thellë me atë tokë e me ato ujëra, me ritmin e stinëve dhe jetën e krijesave.
Plazhi nuk është vetëm hapësirë për rikrijim e për pushim, i dashur dhe i lakmuar veçanërisht gjatë sezonit të festave. Mund të jetë edhe një vend që fton reflektim për jetën - për çastet e saj më të lehta, më intensive ose më të dhimbshme - për të dalluar thellësinë dhe thelbin e saj.
"Do ta dëgjoj gjuhën e shpirtit tuaj", pati thënë Khalil Gibran, "ashtu si dëgjon bregu historinë e valëve".