Papa: "Po"-ja e Maris? jeton n? d?shmitar?t e paqes e i kund?rvihet vdekjes
R.SH. / Vatikan
Është "historia" e të gjithëve, e edhe ajo e "Kishës, me njerëzimin tonë të përbashkët", në Marinë e Nazaretit, sepse “duke u mishëruar" në të, Zoti e mundi vdekjen. Ndaj në solemnitetin e Ngjitjes së Marisë në Qiell, meditojmë "sesi Zoti e mposht vdekjen, po kurrë pa ne", mbasi është "po"-ja jonë ndaj dashurisë së tij, që mund ta ndryshojë gjithçka.
Në këto fjalë e përmblodhi Papa Leoni XIV kuptimin e festës së Marisë të 15 gushtit, gjatë Meshës që e kryesoi në Famullinë Papnore të Shën Tomës nga Villanova, në Castel Gandolfo, ku po kalon një periudhë të dytë pushimi, që nga pasditja e së mërkurës së kaluar. Qindra besimtarë u mblodhën në Piazza della Libertà në Castel Gandolfo që nga orët e para të mëngjesit për të pritur mbërritjen e Papës dhe për të dëgjuar fjalët e tij, falë një ekrani gjigant dhe sistemit të zërit të vendosur përpara kishës së vogël, përplot, që pa filluar ende Mesha.
Gjatë predikimit, Papa Leoni XIV kujtoi edhe "po"-në e Krishtit, që e asgjësoi vdekjen, atë vdekje, e cila nuk është zhdukur ende nga bota për shkak të mëkatit të njerëzve.
Mbi kryq Jezusi shqiptoi lirisht “po”-në që duhej ta boshatiste pushtetin e vdekjes, asaj vdekjeje e cila endet akoma, kur duart tona kryqëzohen e zemrat tona burgosen nga frika e mosbesimi. Mbi kryq feja fitoi, fitoi dashuria që shikon çka nuk është ende, fitoi falja!
"Po"-ja e Marisë në martirët e sotëm
Papa kujtoi se tek këmbët e kryqit të Jezusit, "Maria ishte, ishte aty, bashkë me të Birin", e shtoi se të gjithë mund të identifikohemi me të "kur nuk ikim" dhe "i përgjigjemi me 'po'-në tonë, 'po'-së së saj".
Tek martirët e kohës sonë, tek dëshmitarët e fesë e të drejtësisë, të butësisë e të paqes, ajo "po" jeton e vijon t’i bëjë ende ball vdekjes. Kështu, kjo ditë gëzimi, është ditë që na detyron të zgjedhim si e për kë të jetojmë!
Jeta e Zotit ndërpret dëshpërimin
Në ditën kur festohet "caku" i jetës së Marisë Virgjër, Papa theksoi se "çdo histori mbi dhé, madje edhe ajo e Nënës së Zotit, është e shkurtër dhe përfundon", por edhe se asgjë "nuk duhet të shkojë dëm". E tregon fakti se himni i Madhërimit, shqiptuar nga Virgjëra Mari "tani lëshon dritën e të gjitha ditëve të saj", e Kisha vazhdon ta këndojë "'nga breznia në brezni', në fund të çdo dite". Prej këndej "frytshmëria" e "po"-së së Marisë ndaj Zotit "zgjerohet në frytshmërinë e Kishës dhe të mbarë njerëzimit, kur Fjala përtëritëse e Zotit të mirëpritet".
Ngjallja hyn edhe në botën tonë sot. Fjalët dhe zgjedhjet e vdekjes duket se mbizotërojnë, por jeta e Zotit ndërpret dëshpërimin tonë përmes përvojave konkrete të vëllazërisë, përmes gjesteve të reja të solidaritetit. Në të vërtetë, përpara se të jetë fati ynë i fundit, Ngjallja e ndryshon - me trup e shpirt - banimin tonë mbi tokë.
Siguritë njerëzore ligështojnë besimin
E himni i Madhërimit jo vetëm që të kujton përvojën e Marisë, por edhe "i forcon në shpresë shërbëtorët e përvuajtur, të uritur, punëtorët e Zotit", domethënë ata "që, edhe në vështirësi, tashmë shohin të padukshmen: shohin të fuqishmit të rrëzuar nga fronet; të pasurit, të mbetur duarbosh, premtimet e Zotit, të përmbushura". "Fjala e Zotit del përsëri në dritë - qetëson Papa - kur i kundërvihemi të keqes me të mirën, vdekjes me jetën, atëherë shohim se 'asgjë nuk është e pamundur me Zotin". Megjithatë, nëse "mbizotërojnë siguritë njerëzore, mirëqenia e caktuar materiale dhe ligësia që i lë ndërgjegjet në gjumë, kjo fe mund të plaket", e kështu "të hyjë vdekja në format e dorëzimit e të vajtimit, të nostalgjisë e të pasigurisë".
Në vend që ta shohim fundin e botës së vjetër, vijojmë të kërkojmë ndihmë: ndihmë nga të pasurit dhe të fuqishmit, e cila përgjithësisht shoqërohet me përbuzje për të varfrit dhe të përvuajturit. Kisha, megjithatë, jeton në anëtarët e saj të brishtë, të rinuar falë himnit të Madhërimit (Magnificat-it) të tyre. Edhe sot, bashkësitë e varfra dhe të persekutuara të krishtera, dëshmitarët e butësisë dhe të faljes në vendet e konfliktit, paqedashësit dhe ndërtuesit e urave në një botë të shkatërruar, janë gëzimi i Kishës, frytshmëria e saj e qëndrueshme, frytet e para të Mbretërisë që do të vijë. Shumë prej tyre janë gra!
Në Marinë e ngjitur në Qiell, shohim fatin tonë
Ftesa e Papës është të "pendohemi" e “të kthehemi”, nga "dëshmia" e Elizabetës dhe e Marisë, "gratë e Pashkëve, apostullet e Ngjalljes së Jezu Krishtit". Së fundmi, duke u përqendruar te Virgjëra Maria, Papa Leoni shpjegoi se në të, "të ngjitur në Qiell", nëse "në këtë jetë 'zgjedhim jetën'", mund ta "shohim edhe fatin tonë". Maria - shtoi Papa - na u dhurua si shenjë për të na treguar se Ngjallja e Krishtit nuk është rast i izoluar, përjashtim", e për këtë arsye "të gjithë ne, në Krishtin, mund të fitojmë mbi vdekjen". Ajo "është gërshetim i hirit e i lirisë" që na shtyn të jemi të sigurt dhe të guximshëm. Prej këndej, nxitja për të "zgjedhur jetën", duke kapërcyer frikën dhe pasiguritë e duke i bërë të heshtin "zërat e vdekjes" që na bëjnë të mendojmë për ta, në vend që të mendojmë për “interesat" tona.
“Po ne jemi dishepuj të Krishtit. Është dashuria e tij që na shtyn, korp e shpirt, në kohën tonë”, përfundoi Papa Leoni, duke kujtuar se “si individë e si Kishë, nuk jetojmë më për veten tonë, e kjo përhapet dhe e bën të fitojë “jetën”.