Papa, t? rinjve: g?zohuni s? bashku, mos kini frik? t? qani me ata q? qajn?
R.SH. - Vatikan
Vala e gjatë e Jubileut të Rinisë nuk përplaset mbi shkëmbinjtë e kohës. Vetëm një ditë pas përfundimit të tij, Papa Leoni XIV u drejtohet brezave të rinj. U beson atyre fjalë që nuk kanë frikë nga brishtësia, që dinë t’i mirëpresin emocionet: gëzimin, po, por edhe trishtimin: "Mos kini frikë të qani, me ata që qajnë". Është një rrugë për t'u përshkuar së bashku, që nuk ka frikë nga dallimet kulturore, duke folur "gjuhën më të fortë", atë të fesë. Kjo është zemra e mesazhit që Papa nënshkroi më 9 korrikun e kaluar në Castel Gandolfo, drejtuar pjesëmarrësve në Festivalin e 36-të të Rinisë, planifikuar në Medjugorje, Bosnje-Hercegovinë, nga 4 deri më 8 gusht.
"Do të shkojmë në Shtëpinë e Zotit"
Duke u nisur nga motoja e zgjedhur për ngjarjen - "Do të shkojmë në Shtëpinë e Zotit", marrë nga Psalmi 122 - Papa përshkruan një udhëtim të përbashkët, "një dëshirë që na çon drejt Zotit": "shtëpia" e vërtetë, sepse atje na pret Dashuria e Tij". E drejtimi që duhet ndjekur është ai i caktuar nga Jezusi: "rruga".
Është Ai Vetë që na shoqëron, na udhëzon dhe na forcon gjatë rrugës. Fryma e Tij na hap sytë dhe na lejon të shohim atë, që nuk do të ishim në gjendje ta kuptonim vetëm.
"Jemi bërë për takim"
Në rrugën e jetës, shkruan Leoni XIV, "askush nuk ecën kurrë vetëm". Çdo hap lidhet me atë të të tjerëve, sepse "ne jemi bërë për takim, për të ecur së bashku dhe për të zbuluar një qëllim të përbashkët, së bashku". Ky koncept gjen shprehje në fjalët e Shën Agustinit, i cili nuk flet për shtëpinë e Zotit si "qëllim i largët", por përkundrazi, na nxit ta jetojmë "gëzimin" e jetëve, të jetuara krah për krah.
Le të shkojmë, të shkojmë! Flasin kështu me njëri-tjetrin dhe, duke ndriçuar njëri-tjetrin, si të thuash, formojnë një flakë të vetme. Është kjo flakë e vetme, lindur nga ata që, duke folur, i komunikojnë tjetrit zjarrin që digjet.
"Ndriçojmë njëri-tjetrin"
Ne kurrë nuk ecim vetëm: e inkurajojmë njëri-tjetrin, "e ndriçojmë njëri-tjetrin". E çdo flakë që lind në zemrat tona, bashkohet me të tjerat, duke u bërë "zjarr i madh, që ndriçon rrugën".
Edhe ju, të rinj, nuk jeni shtegtarë vetmitarë. Kjo rrugë drejt Zotit duhet përshkuar së bashku. Është kjo bukuria e fesë së jetuar në Kishë.
"Asnjë algoritëm nuk mund të zëvendësojë kurrë një përqafim"
Në mesazhin e tij, Leoni XIV i kushton më pas një pasazh Inteligjencës Artificiale. I njeh "një mijë mundësitë që ofron" por, në të njëjtën kohë, paralajmëron:
Asnjë algoritëm nuk mund të zëvendësojë kurrë një përqafim, një vështrim, një takim të vërtetë. As me Zotin, as me miqtë tanë, as me familjen tonë.
"Takime të vërteta"
Shembulli që duhet ndjekur është ai i Marisë, e cila përballoi një udhëtim të vështirë, për dashurinë e kushërirës së saj, Elizabetës. Rezultati? Gëzimi i Gjon Pagëzuesit, i cili hovi në barkun e nënës së tij, duke njohur - në Virgjërën - "praninë e gjallë të Zotit".
Duke ndjekur shembullin e Marisë, ju inkurajoj të kërkoni takime të vërteta. Gëzohuni së bashku, e mos kini frikë të qani me ata që qajnë, siç na thotë edhe Shën Pali: "Gëzohuni me ata që gëzohen, qani me ata që qajnë".
"Gjuha e fesë"
Të rinj nga e gjithë bota do të vijnë në Medjugorje, siç ndodhi në Romë këto ditët e fundit.
Ndoshta ju duket se gjuha ose kultura janë pengesë për t'u përballur: merrni guxim. Ekziston një gjuhë më e fortë se çdo pengesë, gjuha e fesë, e ushqyer nga dashuria e Zotit. Ju të gjithë jeni anëtarë të Korpit të Tij, që është Kisha: Takohuni, njihuni, ndani gjithçka me njëri-tjetrin!
Kjo, shkruan Papa, është udha që të çon "në shtëpinë e Zotit". Një cak që duhet arritur me gëzimin se dini të prisni, e me vetëdijen se kjo arrihet së bashku.
"Zoti i flet zemrës sonë"
Së fundi, Leoni XIV shkruan lidhur me thirrjet. "Ju inkurajoj të mos keni frikë të përgjigjeni", pohon. Emocioni, dridhja, ftesa që ndjehet "vjen nga Zoti, i cili u flet zemrave tona".
Dëgjojeni me besim: fjala e Zotit, jo vetëm na bën vërtet të lirë dhe të lumtur, por edhe na realizon sakaq si qenie njerëzore dhe si të krishterë.