Papa: asnj? popull nuk mund t? detyrohet t? shkoj? n? m?rgim
R.SH. / Vatikan
Të gjithë popujt, madje edhe më të vegjlit e më të ligshtit, duhen respektuar nga më të fuqishmit në identitetin dhe të drejtat e tyre, veçanërisht në të drejtën për të jetuar në tokat e veta, e askush nuk duhet t'i detyrojë të shkojnë në mërgim të padëshiruar.
Fjalë të rëndësishme këto, të shqiptuara frëngjisht, që Papa ia drejtoi delegacionit Grupi i Refugjatëve Chagos, pritur sot, 23 gusht, në Vatikan, që po punon për kthimin e Ishujve Chagos, në Republikën e Mauritiusit. Ngjarje, që përfundoi në maj 2025 me nënshkrimin, nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, e një traktati që parashikonte dorëzimin e arkipelagut vendit afrikan dhe mirëmbajtjen e një baze ushtarake amerikane në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian. Për Papën, është "shenjë inkurajuese", "me forcë simbolike në skenën ndërkombëtare".
Hap i rëndësishëm
Leoni XIV, më pas, kujtoi inkurajimin e Papës Françesku për të ecur përpara me negociatat gjatë një takimi në qershor 2023 dhe shprehu kënaqësinë e tij për marrëveshjen e arritur: "hap i rëndësishëm", deklaroi, "drejt kthimit tuaj në shtëpi". "Falënderoj të gjitha palët e përfshira që, duke hapur zemrat, kuptuan vuajtjet e popullit tuaj dhe e arritën këtë marrëveshje". Dialog e respekt për vendimet e së drejtës ndërkombëtare, siç bëri thirrje Françesku pas kthimit të tij nga Ishujt Mauritius, që mundën "më në fund të korrigjonin një padrejtësi të rëndë".
I shpreh kënaqësinë vendosmërisë së popullit Chagossian, e veçanërisht asaj të grave, për të kërkuar me rrugë paqësore të drejtat e tyre – kujtoi Papa.
Shërimi nga plagët
Ati i Shenjtë shpreson që kthimi "të mund të ndodhë në kushtet më të mira të mundshme". E siguron angazhimin dhe kontributin, veçanërisht shpirtëror, të Kishës lokale, të pranishme edhe "në ditët e sprovave".
Këto vite mërgimi shkaktuan shumë vuajtje ndërmjet jush. Ju njohët varfëri, përbuzje dhe përjashtim. Zoti, në perspektivën e një ardhmërie më të mirë, i shëroftë plagët tuaja dhe ju dhëntë hirin e faljes për ata që ju dëmtuan. Ju ftoj të shikoni me vendosmëri drejt së ardhmes.
Një histori e gjatë
Arkipelagu i Ishujve Chagos, vend në Oqeanin Indian, është territor Britanik i Përtejdetit që nga viti 1965, vit kur Ishujt Mauritius pranuan të shkëputeshin, në shkëmbim të pavarësisë. U bë pikë strategjike kur, disa vjet më vonë, në Diego Garcia u krijua baza amerikane. Baza u përfshi në operacione ushtarake në Vietnam, në vitet 1970 dhe më vonë në Afganistan dhe në Irak. Afërsisht dy mijë njerëz u detyruan të largoheshin, për të lejuar ndërtimin e bazës ushtarake.
Me kalimin e kohës, çështja arriti para shumë gjykatave britanike; në vitin 2019, një vendim jo-detyrues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konsideroi "të paligjshëm" sovranitetin e Mbretërisë së Bashkuar mbi arkipelagun. Po atë vit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar për t'ia kthyer arkipelagun Mauritiusit dhe, në vitin 2021, Gjykata Detare e OKB-së mori vendim në favor të kthimit të pronës. Negociatat filluan në vitin 2022 dhe nënshkrimi i një traktati po këtë vit i dha fund kësaj çështjeje.