M? 21 n?ntor, takimi i par? dixhital i Pap?s me t? rinjt? amerikan?
R.SH. / Vatikan
Më 21 nëntor, Papa do të marrë pjesë në një takim të transmetuar drejtpërdrejtë me Federatën Kombëtare për Baritorinë Rinore Katolike (NFCYM) gjatë seancës plenare të Konferencës Kombëtare të të Rinjve Katolikë (NCYC) në Shtetet e Bashkuara. Lidhja, e para e këtij lloji për Leonin XIV, do të nisë në orën 10:15 të mëngjesit (Ora Lindore SHBA).
Papa do t'u drejtohet 15,000 të rinjve amerikanë
Federata e mirëpret lajmin me "nderim të thellë". Parashikohet që Papa t'u drejtohet afërsisht 15,000 të rinjve nga lëvizjet rinore katolike në të gjithë vendin, të regjistruar të moshës 14 deri në 18 vjeç, e të shkëmbejë me ta një dialog të drejtpërdrejtë, 45-minutësh. Do të jetë mundësi e rëndësishme, sipas një deklarate të organizatës, që të rinjtë ta jetojnë shqetësimin dhe vëmendjen e Kishës Universale për zërat, përvojat dhe shpresat e tyre. Christina Lamas, drejtoreshë ekzekutive e Grupit të Rinisë Katolike (NFCYM), thekson se prania e Papës "është thirrje e fuqishme që të kujton faktin se të rinjtë janë në zemër të Kishës dhe se zërat e tyre vlerësohen". Kjo ngjarje vjen pas Jubileut të parë të Ndikuesve Dixhitalë, zhvilluar më 28 dhe 29 korrik në Romë.
Imzot Pérez: si Françesku, Leoni XIV i ka në zemër të rinjtë
"Zgjedhja e Atit të Shenjtë për t'u takuar me të rinjtë amerikanë në këtë mënyrë", thotë Kryeipeshkvi Nelson J. Pérez, Kryeipeshkëv i Filadelfias, Këshilltar Ipeshkvnor dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të NFCYM, "është shprehje e afërsisë së tij me katolikët e rinj, duke ndjekur gjurmët e paraardhësit, Papës Françeskut, i cili i quajti të rinjtë 'e sotmja e Zotit'". Gjatë seancës, një grup i zgjedhur të rinjsh do të dialogojnë drejtpërdrejt me Papën Leoni. Rrjeti Televiziv i Fjalës së Përjetshme (EWTN) do të jetë partneri ekskluziv për transmetimin televiziv e streaming. Seanca plenare do të ndiqet nga mijëra katolikë të rinj, përgjegjës të baritorisë, klerikë dhe vullnetarë nga të katër anët e Shteteve të Bashkuara mbledhur për tri ditë lutjeje, formimi, bashkimi dhe kremtimi, në Indianapolis.