Leoni XIV: t? sjellim n? bot? zjarrin e dashuris? q? p?rt?rin, jo at? t? arm?ve
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV mbërriti në këmbë në Shenjtëroren Santa Maria della Rotonda, në Albano ku, së bashku me priftërinjtë, famullitarët dhe punonjësit e Caritas-it, të varfrit vendas, ata që përdorin qendrat e këshillimit, të pastrehët dhe banorët e strehimoreve e shtëpive familjare në dioqezë e prisnin për kremtimin e Meshës të së Dielës.
Në rrugët e Albanos
Papa udhëtoi disa kilometra nga Castel Gandolfo deri në qytetin fqinj. I përshëndetur nga ipeshkvi i dioqezës së Albanos, Imzot Vincenzo Viva, dhe kryetari i bashkisë, Massimiliano Borelli, Papa arriti në vendin e lashtë të adhurimit përgjatë Via della Rotonda, mes turmave të njerëzve mbledhur përgjatë rrugës.
Në oborrin e kishës, e cila u shugurua në shekullin e 11-të dhe ruan një ikonë të Marisë, ardhur nga periudhat më të hershme, sjellë nga murgeshat greke gjatë persekutimeve ikonoklast, Papa mirëpritet nga rektori, Imzot Adriano Gibellini. Shoqërohet, më pas, nga Alessio Rossi, drejtor i Caritas për Dioqezën e Albanos, i cili i prin Papës nën portik për të vizituar ekspozitën fotografike shtegtare "Shenjat e Shpresës", organizuar nga Caritasi dioqezan, me 13 panele që tregojnë histori të vërteta, emocione, numra dhe angazhim të përditshëm ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, duke dëshmuar se të gjithë mund t'u ofrojnë ndihmë, kujdes dhe dashuri të tjerëve. Ndërmjet paneleve të bie në sy edhe mesazhi i Leonit XIV për Ditën Botërore të të Varfërve, e cila do të kremtohet më 16 nëntor.
Papa Leoni hyn në Kishë pak më vonë e, përpara se të përgatitet për Meshën, gjunjëzohet për një çast të shkurtër në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament. Mbi njëqind vetë ulen në stola, ndërsa të tjerë jashtë ndjekin liturgjinë në një ekran gjigant.
Në Kishë jemi Korpi i Krishtit.
Fjalët e Papës në predikim janë përqafim krahapur për të gjithë. "Është gëzim të jemi bashkë", thotë, duke pranuar, megjithatë, se të gjithë shkojmë "në kishë me njëfarë lodhjeje dhe frike - herë më të vogël e herë më të madhe", por menjëherë ndihemi "më pak të vetmuar" duke qenë "së bashku" me të tjerët dhe duke gjetur "Fjalën dhe Korpin e Krishtit". Mbasi nëse "nga jashtë, Kisha, si çdo realitet njerëzor, mund të duket e ashpër", kur kalojmë "pragun" dhe mirëpritemi, "realiteti i saj hyjnor del në pah"- shpjegoi Papa Leoni. "Varfëritë" dhe "ligështitë" tona personale, dhe mbi të gjitha, dështimet për të cilat mund të përçmohemi dhe të gjykohemi" "mirëpriten në forcën e butë të Zotit, dashuri e butë dhe e pakushtëzuar", ndërsa në Marinë "bëhemi Kishë nënë, e cila lind e rilindet ", "jo në sajë të pushtetit të botës", por përkundrazi "me virtytin e bamirësisë".
Zjarri i dashurisë ulet dhe shërben
Duke komentuar Ungjillin e ditës në të cilin Jezusi paralajmëron se ardhja e tij do të sjellë "përçarje", Papa kujton se në Darkën e Mbrame Krishti u jep dishepujve "paqen" e tij, por "jo siç e jep bota". Ai sqaroi se nëse "bota na mëson të shkëmbejmë paqen me ngushëllim, mirësinë me qetësi", Mesia na thotë: "Erdha për të hedhur zjarrin mbi tokë, e sa do të dëshiroja të ishte tashmë i ndezur". E ndërsa disa na këshillojnë "të mos rrezikohemi, ta kursejmë veten, sepse është e rëndësishme të rrimë të qetë dhe të tjerët nuk meritojnë të duhen", Jezusi "u zhyt në njerëzimin tonë me guxim" dhe na foli për "pagëzimin e kryqit, një zhytje e plotë në rreziqet që sjell dashuria". Ne "ushqehemi nga kjo dhuratë e guximshme e tij" kur "marrim kungimin", thekson Papa:
Mesha e ushqen këtë vendim. Është vendimi për të mos jetuar më për veten tonë, për të sjellë zjarr në botë. Jo zjarrin e armëve, as atë të fjalëve që djegin të tjerët. Jo, jo kjo. Por zjarrin e dashurisë, që përulet dhe shërben, që kundërshton indiferencën me kujdes dhe arrogancën me butësi; zjarri i mirësisë, që nuk kushton as armatimet, por e përtërin lirisht botën. Mund të kushtojë keqkuptime, tallje, madje edhe persekutim, por nuk ka paqe më të madhe sesa të kesh flakën e saj brenda vetes.
T’i thyesh muret dhe të jesh dhuratë për të tjerët
E flaka e Krishtit është në veprat bamirëse të Dioqezës së Albanos, vërejti Papa, duke falënderuar Ipeshkvin Vincenzo Viva dhe të gjithë ata që punojnë në 78 famullitë dhe 8 vikariatet e zonës në nisma të ndryshme e duke i inkurajuar ata të kultivojnë vëllazërinë.
Ju inkurajoj të mos bëni dallime ndërmjet atyre që ndihmojnë dhe atyre që ndihmohen, atyre që duket se japin e atyre që duket se marrin, atyre që duken të varfër dhe atyre që ndiejnë se po ofrojnë kohën, aftësitë dhe ndihmën e tyre. Ne jemi Kisha e Zotit, Kishë e të varfërve, të gjithë të çmuar, të gjithë nënshtetas, secili bartës i një Fjale unike të Zotit. Secili, dhuratë për të tjerët. T'i shembin muret.
Mos e lini Zotin jashtë jetës suaj
Falënderimet e Leonit shtrihen edhe ndër "ata që punojnë në çdo bashkësi të krishterë për të lehtësuar takimet ndërmjet njerëzve me prejardhje, situata ekonomike, psikologjike dhe emocionale të ndryshme". "Ne jemi Korpi i Krishtit, Kisha e Zotit", shpjegon Papa, "vetëm duke u bërë një Trup i vetëm, në të cilin edhe më të brishtët marrin pjesë me dinjitet të plotë". Kjo ndodh "kur zjarri që Jezusi erdhi të sillte, i djeg paragjykimet, maturinë dhe frikën që e kanë ende ata, të cilët kanë varfërinë e Krishtit të shkruar në historinë e tyre".
Të mos e lëmë Zotin jashtë kishave, shtëpive dhe jetës sonë. Në vend të kësaj, ta lejojmë të hyjë tek të varfrit, dhe atëherë do të bëjmë paqe edhe me varfërinë tonë, varfërinë që e kemi frikë dhe e mohojmë kur kërkojmë qetësi dhe siguri me çdo kusht.
Takim me të varfrit në shenjtërore
Gjatë momentit të dhuratave të Meshës, Papës ia sollën dhuratat liturgjike disa banorë të shtëpive familjare të dioqezës së Albanos, përfshirë një familje me origjinë peruane, dhe punonjës të Caritas.
Në fund të kremtimit, Papa Leoni përshëndeti të varfrit dhe vullnetarët e pranishëm në Meshë. Pastaj kaloi përsëri përmes turmave përgjatë Via della Rotonda, përpara se të kthehej në makinën e tij për të kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot në Piazza della Libertà, përpara Pallatit Apostolik në Castel Gandolfo.