Leoni XIV: Kisha qoft? drit? shprese p?r kombet
R.SH. – Vatikan
Kisha si dritë e botës. Kjo është thirrja themelore e Papës në videomesazhin e publikuar sot, më 6 gusht, drejtuar 350 pjesëmarrësve (delegatë dhe përfaqësues nga e gjithë kontinenti dhe nga Kisha globale) në Kongresin e tretë Katolik pan-afrikan mbi teologjinë, shoqërinë dhe jetën baritore, i cili hapet sot dhe vazhdon deri më 10 gusht në Abidjan, Bregu i Fildishtë. I titulluar "Duke ecur së bashku në shpresë si Kishë, familje e Zotit në Afrikë", takimi - mbledhja më e madhe e teologëve katolikë afrikanë, ekspertëve, ipeshkvijve dhe laikëve - po mbahet në Universitetin Katolik të Afrikës Perëndimore (UCAO) në Abidjan Cocody. Është një nga pikat kulmore të kremtimeve të Jubileut për Kishën në Afrikë, mundësi për të shprehur ëndrrat për të ardhmen e saj.
Ndërtoni rrjete, që përkrahin
Leoni XIV kujton "përgjegjësinë e kujdesit për njëri-tjetrin" si përmasë themelore të jetës kishtare. Edhe më shumë në një kontekst si ai i kontinentit afrikan, i cili "përballet me një sërë vështirësish të veçanta".
“Ju inkurajoj të vazhdoni ndërtimin e familjes së Kishave lokale në vendet dhe zonat tuaja të ndryshme, në mënyrë që rrjetet përkrahëse të jenë në dispozicion të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në Krishtin, si edhe të shoqërisë në përgjithësi, veçanërisht të atyre, që jetojnë në periferi".
Shpresa është jetike
Papa shpjegon vlerën e shpresës: "Ajo luan një rol jetësor në shtegtimin tonë tokësor". Përmes saj, arrijmë plotësinë e "lumturisë në Qiell". Ajo na frymëzon dhe na mbështet "për t’u afruar gjithnjë e më shumë me Zotin, edhe kur përballemi me vështirësitë e jetës".
“Përballë këtyre sfidave dhe me perceptimin se gjërat mbeten të pandryshuara, është e lehtë të shkurajohemi. Megjithatë, është pikërisht roli i Kishës të jetë drita e botës, një qytet i vendosur mbi kodër, për të qenë fanar shprese për kombet”.
Një mori historish dhe dëshmish në kongres
Nën kujdesin e Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SECAM), në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë dhe me organizatat të tjera, universitetet dhe agjencitë katolike, programi i pasur i këtyre ditëve përfshin histori e dëshmi, projekte misionare dhe përvoja kishtare, edhe nga një perspektivë ekumenike, të treguara nga të rinj, gra dhe krerë afrikanë, që punojnë në pjesë të ndryshme të kontinentit. Qëllimi është të propozohen "hapa dhe veprime konkrete në mënyrë që Kisha në Afrikë, krerët e saj dhe populli të mund të realizojnë mandatin misionar të Zotit" dhe "ta thyejnë ciklin e vuajtjes dhe të varësisë".