Leoni XIV: jo logjikave t? hakmarrjes, zemrat t? ?lirohen nga urrejtja
R.SH. - Vatikan
Bota është "e plagosur nga luftëra të vazhdueshme", të paktën 56, sipas portalit të pavarur Acled (Armed Conflict Location and Event Data Project). Nga konfliktet më të nxehta, si në Gaza, Ukrainë dhe Sudan, te ato më pak të njohura që shpesh përfshijnë edhe aktorë jo-shtetërorë, deri te luftërat "e ngrira" që mbeten të pazgjidhura, por rrezikojnë gjithmonë të rindizen, siç ndodhi kohët e fundit me mosmarrëveshjen kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias, ose atë midis Pakistanit dhe Indisë në Kashmir.
Është përballë këtij skenari, të kujtuar disa herë në thirrjet e tij, që të mërkurën e kaluar, në fund të audiencës së përgjithshme, Papa Leoni XIV vendosi t'i kushtojë ditën e sotme, 22 gusht – në të cilën Kisha katolike romake kremton festën e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë – lutjes dhe agjërimit për paqen. Në veçanti, në postimin e publikuar sot në platformën sociale @Pontifex, Leoni XIV uron që "zemrat të çlirohen nga urrejtja", "të dalim nga logjikat e ndarjes, përçarjes dhe hakmarrjes e të mbizotërojë vizioni i përgjithshëm i frymëzuar nga e mira e përbashkët".
Urgjenca e paqes
Në nivelin ndërkombëtar, praktikisht të gjitha Konferencat Episkopale dhe dioqezat individuale të Kishave katolike kudo në botë i janë bashkuar ftesës së Leonit XIV. Duke filluar nga Konferenca Episkopale e Shqipërisë, me presidentin imzot Gjergj Meta, i cili menjëherë ftoi organizmat e Kishës katolike në Shqipëri të intensifikojnë lutjet e tyre për “një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse".
Ndër sinjalizimet e veçanta, po përmendim aderimin ndaj thirrjes së Papës, të Vikariatit Apostolik të Arabisë Jugore, i cili në territorin e tij përfshin Jemenin e martirizuar nga mbi 10 vjet luftë civile "e harruar". "Përmes agjërimit dhe lutjes, i kërkojmë Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes, të ndërmjetësojë te Biri i saj Jezus për paqen, veçanërisht në Tokën e Shenjtë, dhe për ngushëllimin e të gjithë atyre që janë prekur nga ky dhe çdo konflikt tjetër kudo", deklaroi Vikari Apostolik i Arabisë, imzot Paolo Martinelli.
Kujdestari i Tokës së Shenjtë, françeskani At Francesco Ielpo, në një letër drejtuar vëllezërve françeskanë, theksoi se "paqja është një dhuratë e pritur dhe thellësisht e dëshiruar, veçanërisht në Tokën e Shenjtë të përshkuar nga konfliktet dhe shpresat". "Të lutemi që komuniteti ndërkombëtar të mos kufizohet vetëm duke parë, por të ndërhyjë për të mbështetur paqen, respektimin e të drejtës ndërkombëtare, sigurinë e civilëve, operatorëve humanitarë dhe gazetarëve", shtoi ai.
Nevojitet një ndryshim perspektive
Nëse ftesa e Papa Leonit XIV është pritur gjerësisht nga Kishatkatolike kudo në botë, mbetet gjithmonë urgjente nevoja për një "ndryshim ritmi e kursi" në nivelin politik dhe diplomatik, për të arritur paqes në vende të ndryshme. Bota është e goditur nga një "luftë e tretë botërore pjesë-pjesë" që vitin e kaluar e çoi shpenzimin për armatime në nivelin rekord prej 2.718 miliardë dollarësh.
Evropa, prej tre vjet e gjysmë, me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt 2022, është zhytur sërish në makthin e një lufte të përgjakshme që në zemër të kontinentit të vjetër mungonte që nga koha e konflikteve ballkanike.
Në kuadrin e kontinentit evropian, nga ana tjetër, mund të theksohen hapat përpara drejt një marrëveshjeje historike paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, e cila mund t'i japë fund mbi 30 vjet gjakderdhjeje dhe keqkuptimesh. Në Gaza, pas sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor 2023, është e qartë për të gjithë një tragjedi humanitare e paprecedentë në shekullin tonë. Ndërsa edhe në Bregun Perëndimor, planet e fundit të qeverisë izraelite na kujtojnë rrezikshmërinë e çështjeve të pazgjidhura për shumë vite.
Po ashtu edhe Libani, ku pas luftës së vjeshtës së vitit të kaluar duket se janë shmangur skenarë më të errët; ndërsa Siria fqinje po kalon një moment të rëndësishëm dhe delikat, e përshkuar nga ndryshime epokale pas rënies së Bashar Al Assad. Konflikte të pazgjidhura në të gjitha kontinentet Afrika mbetet një nga kontinentet me numrin më të lartë të konflikteve.
Duke filluar nga Sudani, ku që nga prilli 2023, përplasja e pushtetit midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), ka prodhuar atë që OKB e ka quajtur krizën më të rëndë të zhvendosjes në botë me 14 milionë njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Por shumë vatra të tjera lufte janë në kontinent: nga lindja e Republikës Demokratike të Kongos, ku qindra grupe të armatosura prej vitesh plaçkitin burimet e vendit duke mbjellë gjak dhe paqëndrueshmëri, në veri të Mozambikut dhe në shumë vende të Sahelit ku po shpërthen dhuna xhihadiste, deri në Etiopi, Somali dhe Libi, e ndarë nga një tjetër luftë "e harruar".
Edhe në kontinentin aziatik nuk mungojnë konfliktet. Në Mianmar, prej mbi katër vjetësh, një konflikt brutal ka vënë përballë juntën ushtarake në pushtet dhe grupet rebele që tani kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit. Gadishulli Korean mbetet i ndarë dhe i përshkuar nga erëra lufte të ankoruara në logjikën e parandalimit bërthamor; ndërsa edhe kufiri midis Pakistanit dhe Afganistanit ka qenë prej kohësh teatër i një konflikti që zvarritet larg vëmendjes. Nuk bën përjashtim as Oqeania, ku në Papua Guinenë e Re herë pas here rindizen dhunat fisnore të pashuara.
Amerika Latine, ndoshta më pak e shënuar nga luftëra të hapura, megjithatë sheh shumë vende ku ende mbretërojnë kriminaliteti dhe dhuna. Duke filluar nga Haiti, shteti më i varfër i Amerikave, ku pothuajse 80 për qind e territorit është nën kontrollin e bandave kriminale mes pafuqisë së qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar.
Rruga e faljes për të arritur paqen
Shumë konflikte, shumë çështje të pazgjidhura, të gjitha të bashkuara nga vuajtja e shkaktuar te popullata civile, veçanërisht te më të cenueshmit e shqoërisë. Bota, siç theksoi Papa Leoni XIV, ka nevojë urgjente për një ndryshim perspektive. sepse "pa falje nuk do të ketë kurrë paqe". "Falja e vërtetë nuk pret pendimin, por ofrohet e para", shpjegoi Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar në Sallën Pali VI, duke vënë në dukje se "të falësh nuk do të thotë të mohosh të keqen, por të parandalosh që ajo të gjenerojë të tjera të këqija".