Jehona nga Jubileu i t? rinjve: "T? prekur nga v?llaz?ria"
R.SH. / Vatikan
Romë, 3 gusht. Mbrëmje e së dielës. Rrugët zbrazen ngadalë, ndërsa metrotë dhe autobusët mbushen me të rinj që nisen, në përfundim të Jubileut. Rruga për në shtëpi është ende e gjatë, ndërsa autobusët, të rrallë të dielave në mbrëmje. Ndërmjet mijëra të rinjve ka edhe shumë të kushtuar: murgesha, priftërinj e edhe shoqërues. Kanë ndarë me të gjithë shumë më tepër sesa vallëzimi, flash mobs, pritja, vapa dhe lodhja. Janë në turmë, shpesh të padukshëm, si kripa. Por gjithnjë duke dëgjuar. Ndërmjet tyre është edhe Irene Scifoni, misionare. Shoqëron një grup prej dyqind të rinjsh nga vende të ndryshme: Ekuadori, Koreja e Jugut, Italia, Spanja, Japonia, Hondurasi, Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbia. I afrohem dhe e pyes: "Çfarë patë, duke kaluar ditë e natë me këta djelmosha?".
Diçka e papërmbajtshme
"Është vërtet një kaskadë hiri, siç tha Papa" - kujton Irene. E menjëherë sqaron: "Me 'hir', dua të them me fytyra të lumtura, vëllazëri të vërtetë, barrë të përbashkëta, lot mirënjohjeje, zemra të etura. Të rinj që e lënë veten të preken thellë, që bëjnë pyetje radikale, që e përqafojnë mesazhin si diçka të papërmbajtshme".
Ata, në pjesën më të madhe, siç e përshkruan ajo, janë të rinj pa ndonjë fe të trashëguar ose praktikë fetare, larg famullive e institucioneve. Përkatësia e tyre është më e lidhur me frymën e jetuar brenda një oratorie ose shoqate, sesa me pjesëmarrjen në rite. Ata mund të besojnë në Zotin, por pa lidhje me lutjen ose format tradicionale të fesë, veçanërisht në kontekstin evropian.
"Nuk e dija se e kisha këtë etje"
Historia e saj tregon qartë se si këta të rinj janë zbuluar si protagonistë të një ndryshimi që nuk mund të shtyhet më. "Ditë pas dite," vazhdon ajo, "zbulojnë se janë të aftë për dëshira të mëdha".
E pyes: "Çfarë të habiti? Të habiti dhe të ungjillëzoi?". Ajo përgjigjet: "Disa më thonë: 'Nuk e dija që kisha këtë etje'. E edhe unë vetë i shoh duke bërë zgjedhje të forta dhe të vërteta. Ata nuk janë këtu rastësisht: janë protagonistë shndërrimi, që e ndiejnë se po i pret".
Rrëfyestore nën qiell
Edhe Roma, në sytë e të rinjve, ka marrë një fytyrë të re. "Romakët e rinj befasohen. Ata më thonë: 'A është vërtet ky, qyteti ynë?'. Morën pjesë në Dialoget me Qytetin në një seminar, ofruar nga shoqata jonë Idente Youth, 'Thyeje rrethin': një hapësirë për takim dhe diskutim të thellë në kontekstin e përditshëm të rrugëve romake. Dhe atje - shton - ndodhi diçka. Një çast heshtjeje. Thotë kështu e pastaj vazhdon: "Ishte një si lloj rrëfyestoreje në ajër të hapur. Të rinjtë që takuam në rrugë, më ungjillëzuan. Seriozisht. Me plagët e tyre, pyetjet e tyre, lirinë e tyre".
Përtej ngjarjes: përgatitja e një toke shenjte
Nuk mungojnë vlerësimet më të gjera mbi jetën e shenjtëruar dhe sfidën e dëshmisë. "Të shuguruarit, rregulltarët dhe priftërinjtë, shpresojnë se asnjë Jubile nuk do të reduktohet në një seri ngjarjesh. Shpresa nuk mund të jetë slogan". Nuk bënin përjashtim as barrët organizative dhe vështirësitë logjistike: pritje të gjata, vapë, udhëtim i lodhshëm. Por, siç tregon Irene, "Çdo vështirësi ishte e mbushur me hir të heshtur, duke më ftuar të çmoja çdo çast. Nuk doja që të rinjtë të humbisnin asgjë nga ajo që po ndodhte. Kujtoj se çka po përgatitnim ishte tokë e shenjtë, vend ku Zoti zbret për të takuar një zemër të plagosur dhe të etur që, ndoshta, as nuk e di se kush po e kërkon".
Ujëvarë hiri
Papa Leoni XIV i quan këto ditë "ujëvarë hiri". Irena ripohon: "Po, ujëvarë: e freskët, e fuqishme, e plotë". Ajo është ende e prekur në zemër nga shtegtimi, por në sytë e saj reflektojnë ditët intensive, të paparashikueshme.