M? 18 gusht, n? Uashington, Trump takohet me Zelenskyn
R.SH. - Vatikan
"Mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. Ukraina theksoi se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel udhëheqësish, edhe pse një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë qëllim". Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shkroi këtë në mediat sociale, një ditë pas takimit të Presidentit të SHBA-së me homologun e tij rus Putin, në Alaskë, vend me vlerë "strategjike" zgjedhur për takimin "e pafrytshëm" midis presidentëve rus dhe amerikan.
Të hënën, në Uashington, takimi Trump-Zelensky
Disa orë pas takimit në Anchorage, vijuan telefonatat. E para ndërmjet Trump-it dhe Zelensky-t, që u zgjerua më pas duke përfshirë edhe Presidenten e Komisionit të BE-së von der Leyen, Macron, Merz, Stubb, Nawrocki, Starmer, Meloni, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Rutte, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Rubio dhe të Dërguarin Special të SHBA-së Witkoff. Në llogarinë e tij X, Zelensky njoftoi se presidenti amerikan e informoi mbi "pikat kryesore" të bisedës së tij me presidentin rus. "Të hënën, do të takohem me Presidentin Trump në Uashington për t’i diskutuar të gjitha hollësirat e për t'i dhënë fund vrasjeve e luftës", tha Zelensky, duke shprehur mirënjohje për ftesën. "Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në çdo fazë për të ofruar garanci të besueshme sigurie, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", vazhdoi ai.
Trump: samit i dobishëm dhe konstruktiv
Ndërkohë, deklaratat e përbashkëta mbi bisedimet tre-orëshe në Alaska zbuluan se ishte samit i dobishëm dhe konstruktiv, i karakterizuar nga një respekt i ndjeshëm. Diskutimet përfshinin marrëveshjet e reja, edhe marrëveshjet e biznesit që do të arriheshin dhe do të rifillonin. Por për një paqe në rrugë e sipër nuk pati shenja në bisedimin ndërmjet Rusisë e Ukrainës. "Nuk ka marrëveshje, derisa të mos ketë marrëveshje", këmbënguli Donald Trump para gazetarëve. Prandaj, nuk ka armëpushim, megjithëse gjatë fluturimit nga Uashingtoni në Anchorage, presidenti amerikan kishte deklaruar se përfundimi i luftës ishte qëllimi i samitit dhe po të mos e arrinte, "nuk do të ishte i lumtur".
"I lodhur, i zhgënjyer, por edhe zhgënjyes", kështu e përshkruan mediat amerikane Trumpin menjëherë pas takimit, ndërsa Putinin e pranuan si fituesin e vërtetë të takimit, të cilit Trump i kishte dhuruar që nga mëngjesi e tutje qilimin e kuq, avionë luftarakë dhe shumë mirësi.
Putin: në Ukrainë, kërcënime përtej sigurisë sonë
Putin foli për një atmosferë konstruktive, duke njoftuar fillimin e një dialogu të ri me Shtetet e Bashkuara. Trump shtoi se prania e tij "nuk do ta kishte shkaktuar kurrë shpëthimin e luftës". Megjithatë, konflikti nuk do të ndalet ende, mbasi një marrëveshje për t'i dhënë fund armiqësive me Kievin, "komb vëlla, me të njëjtat rrënjë", sipas fjalëve të udhëheqësit të Kremlinit, nuk është arritur ende. "Siç thashë," theksoi Putin, "situata në Ukrainë përfshin kërcënime shumë më të mëdha se ato që kanë të bëjnë me sigurinë tonë".
Trump shprehu dëshirën për një takim të ri me Putinin, i cili menjëherë e ftoi që të zhvillohej në Moskë. "Është interesante. Do të kritikohem pak për këtë, por mendoj se mund të ndodhë" - u përgjigj presidenti amerikan.
Takimi përfundoi me një shtrëngim të fundit të duarve të dy udhëheqësve para kamerave, ndjekur më pas edhe nga një foto e fundit e të dyve duke u larguar nga skena e duke mbartur mbi shpatulla temën e zgjedhur për takimin: "Të ndjekim paqen".