Papa: t’i l?sh njer?zit t? vdesin nga uria, ?sht? m?nyr? ekonomike p?r t? b?r? luft?
R.SH. / Vatikan
Uria, armë lufte dhe “mënyrë shumë e lirë” për të zhvilluar luftëra. Tragjedia e madhe e njerëzve të vrarë ndërsa presin në radhë për ushqim, e kequshqyerjes për fëmijët, të porsalindurit dhe nënat e tyre, e korrupsionit që përhapet mbi dobësinë e njerëzve, e tregtisë së armëve që devijon burimet financiare dhe teknologjike nga qëllimi i zhdukjes së varfërisë: për këto ngre zërin Papa Leoni XIV.
Ati i Shenjtë Leoni XIV i dërgon një mesazh - mesazhin e tij të parë - FAO-s, Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, e cila këtë vit feston tetëdhjetë vjetorin e themelimit dhe, nga 28 qershori deri më 4 korrik, angazhohet në sesionin e saj të 44-të të Konferencës, organ suprem drejtues.
Papa Prevost e denoncon këtë front të ri konfliktesh, vdekjeje nga uria, ndërmjet sulmeve nga grupe të armatosura civile, që i vënë zjarrin tokave, vjedhin bagëti dhe bllokojnë ndihmat në mënyrë që të “kontrollojnë të gjithë popullsinë e pambrojtur”, ose sulmeve ushtarake kundër rrjeteve të furnizimit me ujë dhe rrugëve të komunikimit. Kjo çon në një numër të madh njerëzish që i nënshtrohen plagës së urisë dhe vdekjes, keqësuar nga fakti se, ndërsa civilët dobësohen nga varfëria, udhëheqësit politikë lulëzojnë nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.
Për të mos përmendur se, në këtë kohë, “burimet financiare dhe teknologjitë inovative po devijohen nga qëllimi i zhdukjes së varfërisë dhe urisë në botë, për t’u përdorur në vend të saj, në prodhimin dhe tregtinë e armëve”.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mundësinë që m’u dha për t'iu drejtuar për herë të parë Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO), e cila këtë vit feston tetëdhjetë vjetorin e themelimit. Përshëndes përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit në këtë sesion të dyzet e katërt të Konferencës, organin e saj suprem drejtues dhe në veçanti Drejtorin e Përgjithshëm, z. Qu Dongyu, duke shprehur mirënjohjen time për punën që Organizata kryen çdo ditë në kërkimin e përgjigjeve të përshtatshme për problemin e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes, e cila vazhdon të përfaqësojë një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë.
Kisha katolike, pohon Leoni XIV, inkurajon të gjitha iniciativat për t'i dhënë fund shkandullit të urisë botërore, duke i bërë të sajat ndjenjat e Zotit të vet, Jezusit, i cili, siç na tregojnë Ungjijtë, si pa një turmë të madhe që i afrohej për t’ia dëgjuar fjalën, u shqetësua mbi të gjitha për t'i ushqyer ata dhe, për këtë qëllim, u kërkoi dishepujve të tij të merrnin përsipër problemin, duke i bekuar begatisht përpjekjet e tyre. Megjithatë, kur lexojmë historinë e asaj që zakonisht quhet "shumëzimi i bukëve", kuptojmë se mrekullia e vërtetë e kryer nga Krishti ishte të tregonte se çelësi për të mposhtur urinë qëndron më shumë në ndarje, sesa në grumbullim lakmitar. Kjo është diçka që ndoshta e kemi harruar sot, sepse, pavarësisht disa hapave të rëndësishëm të ndërmarrë, siguria globale ushqimore vazhdon të keqësohet, duke e bërë gjithnjë e më të pamundur arritjen e qëllimit "Zero Uri" të Axhendës 2030. Kjo do të thotë se jemi larg përmbushjes së mandatit, që e lindi këtë institucion ndërqeveritar në vitin 1945.
Ka njerëz që vuajnë mizorisht dhe duan që nevojat e tyre të shumta të plotësohen pa tjetër. Ne e dimë se ata nuk mund t'i zgjidhin problemet vetëm. Tragjedia e vazhdueshme e urisë dhe kequshqyerjes së përhapur, e cila vazhdon sot në shumë vende, është më e trishtueshme e edhe më e turpshme, kur kuptojmë se, ndonëse toka është e aftë të prodhojë ushqim të mjaftueshëm për të gjitha qeniet njerëzore, dhe pavarësisht angazhimeve ndërkombëtare për sigurinë ushqimore, është e mjerueshme që shumica e të varfërve të botës vazhdojnë të mos kenë bukën e përditshme. Për më tepër, ne sot dëshmojmë, me hidhërim, përdorimin e padrejtë të urisë si armë lufte.
T’i bësh të vdesin njerëzit nga uria është mënyrë shumë e lirë për të zhvilluar luftë. Prandaj, sot, kur shumica e konflikteve nuk luftohen nga ushtri të rregullta, por nga grupe civilësh të armatosur me pak burime, djegia e tokës, vjedhja e bagëtive dhe bllokimi i ndihmës po përdoren gjithnjë e më shumë nga ata që kërkojnë të kontrollojnë popullsi të tëra të pambrojtura.
Kështu, në këto lloj konfliktesh, objektivat e para ushtarake bëhen rrjetet e furnizimit me ujë dhe rrugët e komunikimit. Fermerët nuk mund t'i shesin produktet e tyre në mjedise të kërcënuara nga dhuna, ndaj inflacioni rritet ndjeshëm. Kjo çon në një numër të madh njerëzish që i nënshtrohen plagës së urisë dhe të vdekjes, gjë që keqësohet nga fakti se, ndërsa civilët dobësohen për shkak të varfërisë, udhëheqësit politikë lulëzojnë nga korrupsioni dhe paprekshmëria. Prandaj, është koha që bota të miratojë kufij të qartë, të dallueshëm dhe të përbashkët për t’i sanksionuar këto abuzime dhe për të ndjekur penalisht autorët e tyre.
Shtyrja e zgjidhjes së kësaj situate shkatërruese nuk do të shërbejë për asnjë qëllim; përkundrazi, ankthi dhe vështirësitë e atyre që kanë nevojë do të vazhdojnë të grumbullohen, duke e bërë rrugën edhe më të vështirë e më komplekse. Prandaj, është e domosdoshme të kalojmë nga fjalët - në vepra, duke u përqendruar në masa efektive që u lejojnë këtyre njerëzve të shikojnë të tashmen dhe të ardhmen me besim dhe qetësi, e jo vetëm me dorëzim, duke i dhënë kështu fund epokës së sloganeve dhe premtimeve mashtruese.
Në këtë drejtim, nuk duhet të harrojmë se herët a vonë do të na duhet t'u përgjigjemi brezave të ardhshëm, të cilët do të marrin një trashëgimi padrejtësie dhe pabarazie, nëse nuk veprojmë me mençuri tani. Krizat politike, konfliktet e armatosura dhe trazirat ekonomike luajnë një rol qendror në përkeqësimin e krizës ushqimore. Duke penguar ndihmën humanitare dhe duke kompromentuar prodhimin bujqësor vendas, mohojnë kështu jo vetëm sigurimin e ushqimit, por edhe të drejtën për një jetë dinjitoze plot mundësi. Do të ishte gabim fatal të mos shëroheshin plagët dhe thyerjet e shkaktuara nga vitet e egoizmit dhe të sipërfaqësisë. Për më tepër, pa paqe dhe stabilitet, nuk do të jetë e mundur të garantohen sisteme agro-ushqimore elastike ose të sigurohet ushqim i shëndetshëm, i arritshëm dhe i qëndrueshëm për të gjithë.
Prej këndej, nevoja për dialog, në të cilin palët e përfshira kanë jo vetëm vullnetin për të folur, por edhe për të dëgjuar, për të kuptuar njëra-tjetrën dhe për të vepruar së bashku. Pengesat nuk do të mungojnë, por me një ndjenjë humanizmi dhe vëllazërie rezultatet mund të jenë vetëm pozitive. Sistemet ushqimore kanë një ndikim të fortë në ndryshimet klimatike dhe anasjelltas.
Padrejtësia sociale e shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore dhe humbja e biodiversitetit duhet të përmbyset, për të arritur një tranzicion të drejtë ekologjik që i vë njerëzit dhe ambientin në qendër. Për të mbrojtur ekosistemet dhe bashkësitë në disavantazh, përfshirë popujt indigjenë, duhet të mobilizojmë burimet e qeverive, subjekteve publike dhe private, si dhe organizatave kombëtare dhe lokale, për të miratuar strategji që i japin përparësi rigjenerimit të biodiversitetit dhe pasurisë së tokës. Pa veprime vendimtare dhe të koordinuara për klimën, do të jetë e pamundur të sigurohen sisteme ushqimore, që mund të ushqejnë një popullsi globale në rritje.
Të prodhosh ushqim nuk është e mjaftueshme; është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që sistemet ushqimore të jenë të qëndrueshme dhe të ofrojnë dieta të shëndetshme e të arritshme për të gjithë. Prandaj, është çështje e ripërcaktimit dhe ripërtëritjes së sistemeve tona ushqimore, në një perspektivë solidariteti, duke kapërcyer logjikën e shfrytëzimit të egër të krijimit dhe duke e drejtuar më mirë angazhimin tonë për kultivimin dhe kujdesin e mjedisit dhe burimeve të tij, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të ecur drejt ushqyerjes së mjaftueshme dhe të shëndetshme për të gjithë.
Zoti President, në këtë çast po dëshmojmë polarizimin e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare për shkak të krizave dhe konflikteve të vazhdueshme. Burimet financiare dhe teknologjitë inovative po devijohen nga qëllimi i zhdukjes së varfërisë dhe urisë në botë, për t'u përdorur, në vend të kësaj, për prodhimin dhe tregtinë e armëve. Në këtë mënyrë, ideologjitë e dyshimta po ushqehen dhe marrëdhëniet njerëzore po ftohen, gjë që degradon bashkimin dhe distancon vëllazërinë e miqësinë shoqërore.
Asnjëherë më parë nuk ka qenë më urgjente të bëhemi artizanë të paqes, duke punuar për të mirën e përbashkët, për atë që u sjell dobi të gjithëve dhe jo vetëm disave, të cilët janë gjithmonë të njëjtë. Për të garantuar paqen dhe zhvillimin, kuptuar si përmirësim i kushteve të jetesës së popullatave që vuajnë nga uria, lufta dhe varfëria, nevojiten veprime konkrete, të bazuara në veprimtari serioze dhe largpamëse. Prandaj, duhet ta lëmë mënjanë retorikën sterile dhe, me vullnet të patundshëm politik, siç ka deklaruar Papa Françesku, t’i zbutim "dallimet për të nxitur klimën e bashkëpunimit dhe të besimit të ndërsjellë, për përmbushjen e nevojave të përbashkëta".
Zonja dhe zotërinj, për të arritur këtë kauzë fisnike, dëshiroj t'ju siguroj se Selia e Shenjtë do të jetë gjithmonë në shërbim të harmonisë ndërmjet popujve dhe nuk do të lodhet kurrë së bashkëpunuari për të mirën e përbashkët të familjes së kombeve, me një konsideratë të veçantë për njerëzit më të varfër, që vuajnë nga uria e nga etja, si dhe për ato rajone të largëta, të cilat nuk mund të ngrihen përsëri në këmbë nga rënia, për shkak të indiferencës së atyre, që duhet të kenë si emblemë në jetë ushtrimin e solidaritetit të palëkundur. Me këtë shpresë, dhe duke folur si zëdhënës i të gjithë atyre që në botë ndihen të dërmuar nga varfëria, i lutem Zotit të Gjithëpushtetshëm që puna juaj të jetë e pasur me fryte e plot përfitime për të pafavorizuarit dhe për mbarë njerëzimin.