杏MAP导航

K?rko

2025.07.29 Giubileo dei Giovani - Santa Messa di Accoglienza

Papa t? rinjve: qofshi drit? dhe shpres?, ta ngrem? z?rin p?r paqen n? bot?

120 mij? t? rinjve t? mbledhur n? Sheshin e Sh?n Pjetrit dhe n? Via della Conciliazione p?r mesh?n e mbr?mshme, q? hapi Jubileun e Rinis?, kryesuar nga Proprefekti i Dikasterit p?r Ungjill?zimin, imzot Fisichella, Leoni XIV u b?ri nj? surpriz? n? fund t? kremtimit, duke shkuar mes tyre p?r t’i ftuar t? jen? d?shmitar? t? paqes s? Jezu Krishtit dhe t? pajtimit

R.SH. – Vatikan

         “Buonasera! Buenas tardes! Good evening! (Mirëmbrëma) Jezusi na thotë: ‘Ju jeni kripa e tokës’, ‘Ju jeni drita e botës!’” Papa Leoni XIV mbërriti mbrëmë papritur në Sheshin e Shën Pjetrit, në fund të meshës, që hapi Jubileun e Rinisë, kremtim i kryesuar nga proprefekti i Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, përgjegjës për organizimin e Vitit Shenjt. Pas një xhiroje të gjatë në papamobil ndërmjet 120 mijë vetëve, që mbushnin edhe zonën përreth Shën Pjetrit, Leoni XIV përshëndeti ngrohtësisht të rinjtë, në festë kur panë Atin e Shenjtë t’u kalojë pranë me makinën e tij të hapur.

  (@Vatican Media)

Një britmë për paqen në botë

Këngë të hareshme e shoqëruan Papën, që iu përgjigj në spanjisht entuziazmit të të rinjve: "Britmat tuaja, të gjitha për Jezu Krishtin, do të dëgjohen deri në fund të botës". E vazhdoi:

"Bota ka nevojë për mesazhe shprese. Ju jeni ky mesazh dhe duhet të vazhdoni t'u jepni shpresë të gjithëve". "Të jeni gjithmonë shenja shprese në botë!" uroi Leoni XIV, duke u ndalur për çdo brohoritje miratimi dhe duartrokitje. "Sot po fillojmë. Në ditët në vijim, ju do të keni mundësinë të jeni forcë, që mund të sjellë hirin e Tënzot, mesazhin e shpresës, dritën në qytetin e Romës, në Itali dhe në të gjithë botën", shtoi Ati i Shenjtë, i cili më pas ftoi: "Të ecim së bashku me besimin tonë në Jezu Krishtin. Britma jonë duhet të jetë edhe për paqen në botë". E, u kërkoi njerëzve në shesh të përsërisnin: "Duam paqe në botë". Të gjitha zërat rinore ushtuan: "Duam paqe në botë".

  (@Vatican Media)

Mirupafshim në Tor Vergata

"Të lutemi për paqe", përfundoi Papa, duke folur në spanjisht. "Jemi dëshmitarë të paqes së Jezu Krishtit, të pajtimit, të kësaj drite të botës, që të gjithë po e kërkojmë. Motra dhe vëllezër, Zoti është me ne, ndihma jonë është në emër të Zotit. I bekuar qoftë emri i Zotit". Pastaj, pasi dha bekimin, Leoni XIV u dha takim të rinjve të shtunën e të dielën, kur Jubileu i Rinisë zhvendoset në periferi të Romës: “Do të takohemi në Tor Vergata. Javë të mbarë!"

  (@Vatican Media)

Urimi i mirëseardhjes për të rinjtë

Në fillim të liturgjisë — të bashkëkremtuar nga kardinajtë Baldo Reina, Vikar i Përgjithshëm për dioqezën e Romës dhe Marc Ouellet — imzot Fisichella u uroi mirëseardhjen të rinjve, duke i falënderuar që e pranuan ftesën e Papës për të marrë pjesë në këtë Jubile kushtuar brezave të rinj "dhe shpresës, që secili prej nesh mbart brenda vetes". Sheshi i Shën Pjetrit ishte mbushur plot me të rinj nga e gjithë bota, siç dëshmonin flamujt e shumëngjyrshëm, ndërmjet të cilëve edhe ai shqiptar, pasi të shumtë janë të rinjtë, që kanë ardhur në Romë për këtë Jubile, nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë. Imzot Fisichella iu drejtua në veçanti "miqve, që vijnë edhe nga shumë zona lufte".

"Nga Ukraina dhe Palestina, përqafimi i vëllazërimit u shtriftë mbi të gjithë, duke na bashkuar dhe duke na bërë një trup i vetëm", theksoi ai, duke i nxitur të rinjtë të mos i harrojnë shenjat e miqësisë për bashkëmoshatarët e tyre, ardhur nga zona të shkatërruara nga konflikti. Më pas, ftesa për t’i jetuar ditët jubilare me gëzim e përshpirtëri, duke pasur parasysh se Jezu Krishti është ai, që bën gjithmonë hapin e parë në takimin me ta. Feja është zgjedhje e lirë, nënvizoi imzot Fisichella, por nuk jemi kurrë vetëm, Jezu Krishti është shoku ynë i udhës. Duke e ndjekur atë, bëhemi “ndërtues të paqes”, përfundoi proprefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin, mes entuziazmit të përgjithshëm.

30 korrik 2025, 08:40