杏MAP导航

K?rko

Papa: popujt e zhveshur e t? grabitur nga lufta e varf?ria kan? nevoj? p?r "revolucion dashurie"

Papa Leoni XIV duke kremtuar Mesh?n n? famullin? e Sh?n Tommaso da Villanova, n? Castel Gandolfo, reflektoi mbi sh?mb?lltyr?n e Samaritanit t? Mir?. Pastaj b?ri thirrje p?r "viktimat e sistemeve politike shtyp?se, t? nj? ekonomie q? i detyron njer?zit t? varf?rohen, t? luft?s q? ua vret ?ndrrat", nd?rsa ne, "nevojat" dhe "vuajtjet" e t? tjer?ve "na i thyejn? zemrat".

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV, kremtoi sot paradite Meshën famullinë kishtare të Shën Tomës në Castel Gandolfo. Në homelinë e Meshës duke komentuar pjesën e Ungjillit nga shën Luka që flet për shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, një vështrim i kujdesshëm, i drejtuar poshtë, drejt të gjithë atyre që zhyten çdo ditë në vuajtjet dhe vështirësitë e jetës. Dhembshuri për të tjerët, "kushdo që janë", për nevojat e tyre, përtej çdo përkatësie ndaj një grupi të caktuar shoqëror, kombësie apo feje. Një zemër e shporuar dhe e thyer, ndërsa i shikon ata popuj sot "të plaçkitur e të grabitur, viktima të sistemeve politike shtypëse, të një ekonomie që i detyron të përfundojnë në varfëri; të luftës, që ua vret ëndrrat dhe jetën".

Në një kohë dhune dhe përçarjesh vëllavrasëse, individualizmi dhe indiference, cinizmi që i redukton jetët njerëzore të shkatërruara nga konflikti në numra të thjeshtë, Papa Leoni XIV, në Meshën e kremtuar sot në Castel Gandolfo, kujton një figurë, një ikonë: Samaritanin e Mirë. Domethënë, protagonistin e njërës prej "shembëlltyrave më të bukura dhe më prekëse" në Ungjill i cili, duke i drejtuar sytë dhe zemrën nga njeriu "gjysmë i vdekur" që keqtrajtohej dhe braktisej nga banditët në rrugën për në Jeriko dhe i injoruar nga ata që e kishin paraprirë, i mëson të gjithëve urdhërimin e vetëm e të vërtetë: dashurinë.

"Revolucion dashurie"

Sot kemi nevojë për një "revolucion dashurie" - pohon Papa gjatë homelisë në kremtimin e kryesuar në San Tommaso da Villanova, famulli e vogël papnore, vetëm pak hapa larg Pallatit Apostolik në qytetin e Lazios, vend i pushimeve verore të Papëve. Është paraqitja e parë publike e Robert Francis Prevost që nga fillimi i periudhës së tij të pushimit. Papa mbërrin famullinë kishtare të Shën Tomës në një makinë elektrike të hapur, i mirëpritur nga turma e banorëve, besimtarëve dhe shitësve të mbledhur pas barrierave në korridorin natyror që lidh Vilën Barberini, rezidencën e Papës, me Piazza della Libertà.  Aty, një përshëndetje drejtuar turmës.

Ndërsa në Kishën famullitare, thesar historie dhe arti i projektuar nga Bernini dhe i titulluar nga një augustinian spanjoll, Leoni XIV, para liturgjisë, gjunjëzohet për disa çaste në lutje para të Shenjtnueshmit Sakrament. Ndërkohë, kori intonon himnin "Tu es Petrus". Në homelinë e Meshës - në bashkëkremtim me Kardinalin Michael Czerny, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, - Papa i drejtohet më pas një grupi të vogël besimtarësh: përveç Ipeshkvit Vincenzo Viva dhe bashkësisë famullitare, edhe priftërinjve, rregulltarëve dhe rrregulltareve si dhe autoriteteve civile dhe ushtarake. Por fjalët e Ipeshkvit të Romës - drejtuar turmës, duke krijuar një jehonë sugjestive mbi Liqenin Albano - i drejtohen mbarë botës. Një bote, që duket se e ka harruar empatinë, e që duket se e ka lënë mënjanë mëshirën dhe ka humbur aftësinë për ta "shporuar zemrën" para atyre që jetojnë dhimbje.

Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, sfidë për të gjithë

E prandaj kjo është arsyeja pse Leoni XIV u kujton të gjithëve shëmbëlltyrën - në qendër të Ungjillit të sotëm - të Samaritanit të Mirë, kaq të dashur për Papën Françesku, i cituar në homelinë e tij së bashku me Benediktin XVI dhe Jezusin e tij të Nazaretit.

Ky tregim vazhdon të na sfidojë sot, duke vënë në pikëpyetje jetën tonë, duke tronditur qetësinë e ndërgjegjeve tona të përgjumura ose të shpërqendruara dhe duke na sfiduar t'i rezistojmë rrezikut të një besimi të vetëkënaqur, të rrënjosur në respektimin e jashtëm të ligjit, por të paaftë për të ndjerë dhe për të vepruar me të njëjtën thellësi dhembshurie të Zotit.

 "Shikimi"

Leoni XIV thekson veçanërisht detajin e parë të shëmbëlltyrës, "shikimin", i cili - kujton - "shpreh atë që kemi ndër zemra". Ekziston një "shikim i jashtëm, i shpërqendruar dhe i nxituar", "shikim ndërsa bëjmë sikur nuk shohim", domethënë pa u prekur dhe pa u sfiduar nga situata; e, në vend të kësaj, ekziston një shikim "me sytë e zemrës", "me një simpati që na lejon të hyjmë në situatën e tjetrit", që na prek,   na trondit.

Shikimi i parë është ai që Zoti pati ndaj nesh, pohoi Papa - Samaritani i Mirë është shembëlltyra e Jezusit; ndërsa njeriu që zbriti nga Jerusalemi në Jeriko përfaqëson njerëzimin që zbret "në humnerën e vdekjes" dhe "edhe sot, shpesh duhet të merret me errësirën e së keqes, me vuajtjet, me varfërinë, me absurditetin e vdekjes".

Megjithatë, Zoti na pa me dhembshuri, deshi të hapte rrugën tonë, zbriti mes nesh dhe, në Jezusin, Samaritanin e Mirë, erdhi të shëronte plagët tona, duke derdhur mbi ne vajin e dashurisë dhe të mëshirës së Tij.

Shenjë dhembshurie në Botë

Mëshira dhe dhembshuria janë shenjat dalluese të Zotit - theksoi Papa Leoni: Zoti "është Samaritani i Mirë, që erdhi të na takonte; Ai, thotë Shën Augustini, deshi ta quante veten i afërmi ynë". Të besosh në Të - theksoi Papa - "do të thotë të lejojmë veten të transformohemi në mënyrë që edhe ne të kemi të njëjtat ndjenja: zemër që preket, shikim që sheh dhe nuk kalon, duar që ndihmojnë dhe paqtojnë plagët, shpatulla të forta,  që mbajnë barrën e nevojtarëve".

Të shëruar dhe të dashur nga Krishti, edhe ne bëhemi shenja të dashurisë dhe dhembshurisë së tij në botë.

Shumë popuj sot janë të zhveshur, të grabitur dhe të plaçkitur.

Sot, "ndjehet nevoja për këtë revolucion dashurie", pohoi Leoni XIV. Rruga nga Jeruzalemi në Jeriko "është rruga të cilën përshkojnë të gjithë ata që zhyten në të keqe, vuajtje dhe varfëri". Rrugë "e një mori njerëzish të rënduar nga vështirësitë a të plagosur nga rrethanat e jetës" dhe e "të gjithë atyre që 'zbresin' deri në pikën e humbjes, deri në atë pikë, sa të prekin fundin:

Është rruga e një mori popujsh të shpronësuar, të grabitur dhe të plaçkitur, viktima të sistemeve politike shtypëse, të një ekonomie që i detyron të varfërohen, të luftës që ua vret ëndrrat dhe jetën.

Të ndihmohen të gjithë, jo vetëm kush ka njëjtën kombësi a besim.

Përballë këtyre njerëzve, "çfarë bëjmë ne?" - pyeti Papa. “Shohim dhe shkojmë tutje, apo i lëmë zemrat tona të shporohen si samaritani? Nganjëherë - shton Papa - ne jemi të kënaqur thjesht duke bërë detyrën tonë, ose i konsiderojmë fqinjë vetëm ata që janë në rrethin tonë, ata që mendojnë si ne, ata të së njëjtës kombësi ose fe". Por Jezusi "e përmbys perspektivën, duke na paraqitur një samaritan, një të huaj dhe heretik që bëhet fqinj për atë njeri të plagosur". E "edhe ne na kërkon të bëjmë të njëjtën gjë".

Dashuria është më e fortë se vdekja

Ftesa është atëherë të "shihni pa kaluar përtej, t’i ndaloni garat tona të ngutshme, të lejoni që jeta e tjetrit, kushdo qoftë ai, me nevojat dhe vuajtjet e tij, të na e coptojë zemrën".

Kjo na afron me njëri-tjetrin, krijon vëllazëri të vërtetë dhe rrëzon mure dhe gardhe. E, së fundi, dashuria zë vend, duke u bërë më e fortë se e keqja e se vetë vdekja.

Dhurata e Papës për Famullinë

Në përfundim të kremtimit, Papa i bëri "një dhuratë të vogël" famullitarit të Shën Tomës, salezianit polak Atë Tadeusz Rozmus, në kujtim të ditës së sotme: një patenë e një kelk. "Janë mjete bashkimi" - shpjegoi Leoni XIV - mund të jenë ftesë për të gjithë ne që të jetojmë në bashkim, për të nxitur këtë vëllazëri, që jetojmë në Jezu Krishtin." Një duartrokitje spontane shpërtheu para antifonës Të falem Mbretëreshë, duke vulosur çastin liturgjik. Nga famullia, Papa u zhvendos në qendër të sheshit e Castel Gandolfos, në orën 12:00 për lutjen e  Engjëllit të Zotit.

13 korrik 2025, 14:20