Papa: Pag?zimi jep jet?, t? heqim dor? nga "kultura e vdekjes" kaq e p?rhapur sot
R.SH. – Vatikan
Inkurajimi për t’u “lidhur gjithnjë me Zotin”, për t’u “prekur” personalisht nga hiri i Tënzot, përmes Fjalës së Tij dhe dëshmisë së Jezu Krishtit. Kështu “bëhemi të krishterë të vërtetë”, përndryshe do të jemi vetëm “të krishterë për interes, për zakon a për lehtësi”. Kështu u tha Papa Leoni XIV 800 neofitëve dhe katekumenëve francezë, të shoqëruar nga kapelanët dhe katekistët e tyre, si edhe nga ipeshkvi i Nicës, imzot Jean-Philippe Nault, të cilët i priti sot në audiencë në Pallatin Apostolik, në Vatikan. Të gjithë, të pranishëm në Romë për shtegtimin e tyre jubilar, në kuadrin e Jubileut të madh të Rinisë.
“Pagëzimi – u theksoi Ati i Shenjtë katekumenëve të rinj - na bën anëtarë me të drejta të plota në familjen e madhe të Zotit. Iniciativa vjen gjithmonë prej Tij dhe ne i përgjigjemi duke përjetuar dashurinë e Tij shëlbuese. Në rrugëtimin tuaj si katekumenë dhe të sapopagëzuar, secili prej jush bën një takim personal me Zotin në bashkësinë ku ndodhet”.
Me Pagëzimin, heqim dorë nga kultura e vdekjes
Papa Leoni XIV kujtoi se secili prej nesh e sheh veten si bir e bijë nëpërmjet pagëzimit "në emër të Atit", i cili na ofron birësimin; "të Birit", i cili na bën të hyjmë në jetën dhe në marrëdhëniet e tij me Atin; dhe "të Shpirtit Shenjt", burimi i çdo dhurate, siç thekson Shën Pali në Letrën e tij drejtuar Galatasve.
"Pagëzimi na bën të hyjmë në bashkim me Krishtin dhe na dhuron jetën. Na angazhon të heqim dorë nga kultura e vdekjes, shumë e pranishme në shoqërinë tonë. Kjo kulturë vdekjeje shfaqet sot përmes indiferencës, përbuzjes për të tjerët, drogës, ndjekjes së një jete të lehtë, përmes një seksualiteti që bëhet thjesht argëtim dhe përmes kthimit të njeriut në mall, padrejtësisë, etj.".
Të jeni kripa e tokës dhe drita e botës
Duke ndjekur Zotin, vijoi Papa, edhe ju jeni kripa e tokës dhe drita e botës. Leoni XIV i ftoi katekumenët francezë ta dëshmojnë fenë përmes ndihmës për nevojtarët, por edhe duke u bërë misionarë, “ pa u kufizuar në njohuritë teorike, por duke e jetuar fenë konkretisht e duke eksperimentuar dashurinë e Hyjit në jetën e përditshme”. Rruga mund të jetë e gjatë dhe e vështirë, u tha Ati i Shenjtë, por mos u shkurajoni, sepse Zoti është gjithnjë i pranishëm, sidomos në Sakramentet e në jetën e bashkësisë së krishterë.
“Ju inkurajoj të mbeteni të lidhur me Zotin tonë Jezu Krisht. Nuk lindim të krishterë; bëhemi të krishterë kur prekemi nga hiri i Hyjit. Megjithatë, kjo "prekje" shprehet përmes zgjedhjes sonë të menduar me kujdes dhe udhëtimit tonë personal. Pa këto kërkesa të vërteta, do të mbajmë etiketën e të krishterëve, por si të krishterë të interesit, të zakonit, ose të rehatisë. Bëhemi të krishterë të vërtetë kur lejojmë të prekemi personalisht në jetën tonë të përditshme nga fjala dhe dëshmia e Jezusit”.