Papa: asnj? klithm? e viktimave t? pafajshme t? dhun?s nuk do t? mbetet e pad?gjuar
R.SH. - Vatikan
Leoni XIV priti sot në audiencë, në rezidencën papnore Castel Gandolfo, pjesëmarrësit e shtegtimit Ekumenik Ortodokso-katolik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtegtimin e tyre në vendet e Apostujve Pjetër dhe Pal në Romë, dhe të Apostullit Andrea në Kostandinopojë, një shtegtim ky domethënës edhe në dritën e 1700 vjetorit të Koncilit Ekumenik Kishtar të Nikesë. Këtu në Nikea pritet Papa dhe këtu ai shpreson, siç thotë në audiencën e sotme, të shkojë për të "takuar përsëri, pas disa muajsh" këta njerëz dhe të marrë pjesë në Përkujtimin ekumenik pikërisht me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë. Ndërsa dërgon një përshëndetje të veçantë për "vëllain e nderuar Patriarkun Bartolomeu", Leoni XIV thekson se Besojma, simboli i fesë së krishterë miratuar nga Etërit e mbledhur në Koncilin e Nikesë, "mbetet – së bashku me shtesat e bëra nga Koncili i Kostandinopojës i vitit 381 – trashëgimi e përbashkët e të gjithë të krishterëve".
Asnjë klithmë e viktimave të pafajshme të dhunës nuk do të mbetet pa u dëgjuar
Këto fjalë shpallin se errësira e mëkatit dhe e vdekjes është mundur nga Qengji i flijuar, Jezu Krishti, Zoti ynë. Kjo na frymëzon e bën të shpresojmë, sepse e dimë se asnjë klithmë e viktimave të pafajshme të dhunës, asnjë vajtim i nënave që vajtojnë për fëmijët e tyre nuk do të mbetet pa u dëgjuar. Shpresa jonë është te Zoti, dhe pikërisht sepse ne vazhdimisht ushqehemi nga burimi i pashtershëm i hirit të Tij Hyjnor, jemi thirrur të jemi dëshmitarë dhe bartës të tij.
Kisha Katolike po kremton Vitin Jubilar, motoja e të cilit, e zgjedhur nga paraardhësi im Papa Françesku, është Peregrinantes in spem, pra "Shtegtarë të shpresës". Eminencë, Mitropolit Elpidophoros, vetë emri juaj na tregon se ju jeni bartës i shpresës! Shpresoj që shtegtimi juaj t'ju konfirmojë të gjithëve në shpresën që buron nga feja në Zotin e Ngjallur!
Lëvizja ekumenike
Shtegtimi juaj është një nga frytet e begatshme të lëvizjes ekumenike që synon rivendosjen e unitetit të plotë midis të gjithë dishepujve të Krishtit, sipas lutjes së Jezusit Zot në Darkën e Mbrame: «që të gjithë të jenë një» (Gjn 17,21). Ndonjëherë i marrim si të mirëqena këto shenja bashkëndarjeje dhe bashkësie që, megjithëse nuk nënkuptojnë ende unitetin e plotë, tashmë shfaqin progresin teologjik dhe dialogun në dashuri që kanë karakterizuar dekadat e fundit.
Deklarata e Përbashkët profetike e vitit 1965
Më 7 dhjetor 1965, në prag të përfundimit të Koncilit të Dytë të Vatikanit, paraardhësi im Shën Pali VI dhe Patriarku Atenagora nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët, duke fshirë nga kujtesa dhe nga jeta e Kishës dënimet e shkishërimit që pasuan ngjarjet e vitit 1054. Para kësaj, një shtegtim si ky i juaji ndoshta nuk do të ishte as i mundur. Vepra e Shpirtit Shenjt krijoi në zemra gatishmërinë për të bërë ato hapa, si një parashikim profetik i unitetit të plotë dhe të dukshëm ndërmjet të krishterëve. Edhe ne, nga ana jonë, duhet të vazhdojmë t'i lutemi Shpirtit Shenjt, Ngushëlluesit, duke kërkuar hirin për të ndjekur rrugën e unitetit dhe të dashurisë vëllazërore. Uniteti midis besimtarëve në Krishtin është një nga shenjat e dhuratës hyjnore të ngushëllimit; Shkrimi premton se «në Jerusalem do të ngushëlloheni» (Is 66,13).
Roma, Kostandinopoja dhe të gjitha Selitë e tjera të Kishave të krishtera nuk janë thirrur të garojnë për primatin, për të mos rrezikuar të gjendemi si dishepujt që gjatë rrugës, pikërisht kur Jezusi shpallte mundimin e Tij të afërt, diskutonin se kush prej tyre ishte më i madhi (Mk 9,33-37).
Në Bullën e shpalljes së Jubileut 2025, Papa Françesku vuri në dukje se «ky Vit i Shenjtë do të orientojë rrugën drejt një tjetër përvjetori thelbësor për të gjithë të krishterët: në vitin 2033, në fakt, do të festohen dymijë vjetët e Shëlbimit të realizuar përmes mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së Zotit Jezus» (Spes non confundit, 6).
Të kthehemi në Jerusalem, Qytetin e Paqes
Shpirtërisht, të gjithë ne kemi nevojë të kthehemi në Jerusalem, Qytetin e Paqes, ku Pjetri, Andreu dhe të gjithë Apostujt, pas ditëve të mundimeve dhe ngjalljes së Jezu Krishtit Zot, morën Shpirtin Shenjt në Rrëshajë, dhe prej andej dëshmuan Krishtin deri në skajet e tokës. Uroj që kthimi në rrënjët e fesë tonë t'i bëjë të gjithë ne ta përjetojmë dhuratën e ngushëllimit të Zotit dhe të na bëjë të aftë, si samaritani i mirë, të derdhim mbi njerëzimin e sotëm vajin e ngushëllimit dhe verën e gëzimit.