Papa n? telefon me Buzz Aldrin, p?r 56-vjetorin e uljes n? h?n?
R.SH. / Vatikan
Pesëdhjetë e gjashtë vjet pas uljes të Apollo-s 11 në hënë, Papa Leoni XIV foli mbrëmë me astronautin Buzz Aldrin. E Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë dha njoftimin, duke shpjeguar se Papa Prevost me Aldrin kujtuan "këtë arritjeje historike, dëshmi e gjenisë njerëzore".
Me fjalët e Psalmit 11, njofton më tej Salla e Shtypit, medituan mbi misterin e Krijimit, madhështinë dhe brishtësinë e tij. Para përfundimit të telefonatës, Papa bekoi astronautin, familjen dhe bashkëpunëtorët. Duhet kujtuar se Buzz Aldrin, përpara se të kthehej në Tokë, zgjodhi për lexim një fragment nga Psalmi 8, gjatë një transmetimi televiziv të drejtpërdrejtë, më 23 korrik 1969:
"Kur e sodis qiellin - vepër e gishtave të tu,/ hënën dhe yjet, që i vendose në kaltërsi,/ çka është atëherë njeriu, që ti ta kesh ndërmend/ biri i njeriut, që ti ta kesh në kujdes?".
Edhe Pali VI, duke folur për këtë sipërmarrje spaziale gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit , më 13 korrik 1969, një javë para uljes në hënë, citoi Psalmin 8, duke e komentuar me këto fjalë:
"Njeriu, kjo krijesë e Zotit, edhe më shumë se hëna misterioze, në qendër të kësaj sipërmarrjeje, na zbulon veten. Zbulohet si gjigant. Zbulohet hyjnor, jo në vetvete, por në zanafillën e në fatin e tij. Nderim njeriut, nderim dinjitetit të tij, shpirtit të tij, jetës së tij".
Vizita në Observator
Dje, pasi tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV vizitoi teleskopët dhe instrumentet në kupolat e Observatorit të Vatikanit, në Castel Gandolfo. Një vizitë, kjo, për të kujtuar edhe përvjetorin e pesëdhjetë e gjashtë të atij 20 korriku, kur dy astronautët amerikanë, Aldrin dhe Neil Armstrong, anëtarë të misionit Apollo 11, arritën për herë të parë në sipërfaqen hënore.