Papa u drejtohet universiteteve katolike: n? nj? epok? k?ng?sh sirene, jini shtigje drejt Zotit
R.SH. – Vatikan
Universitetet katolike janë të thirrura të bëhen "shtigje të mendjes drejt Zotit", sepse, siç e kuptoi Shën Toma i Akuinit, në "Krishtin-Dije bashkohen çka është e mirëfilltë për fenë dhe çka është më universale nga inteligjenca njerëzore". Pikërisht për këtë arsye, dija, e kuptuar në këtë mënyrë, "është vendi natyror i takimit dhe i dialogut me të gjitha kulturat dhe me të gjitha format e mendimit". Papa Leoni XIV e thekson këtë në mesazhin e tij, në spanjisht, drejtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e 28-të të Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike (FIUC), e cila u hap më 28 korrik, në Guadalajara, Meksikë. I organizuar nga Universiteti i Valle de Atemajac (Univa), takimi do të vazhdojë deri më 1 gusht dhe kremton 100-vjetorin e FIUC, duke reflektuar mbi temën "Universitetet Katolike, koreografe të dijes".
Universitetet katolike si "udhëtim i mendjes drejt Zotit"
Papa e konsideron këtë "shprehje shumë të bukur, që fton për harmoni, unitet, dinamizëm dhe gëzim". Por në këtë kuadër, vazhdon ai, "duhet ta pyesim veten se çfarë muzike po ndjekim".
“Në kohën tonë, ndoshta më shumë se në epoka të tjera, shumohen "këngët e sirenave", që duken tërheqëse për risinë, për popullaritetin e tyre, ose, në raste të tjera, për sigurinë në dukje që ngjallin. Por përtej përshtypjeve të tilla, sipërfaqësore në vetvete, universitetet katolike janë të thirrura të bëhen "rrugë e mendjes drejt Zotit"”.
Kjo, kujton Leoni XIV, është një shprehje e Shën Bonaventurës, e cila na lejon të realizojmë "në vetvete këshillën e përshtatshme të Shën Augustinit", i cili, në Komentet e tij mbi Psalmet, shkruan se shpirti njerëzor "në vetvete nuk ka dritë" dhe se rrënjët e dijes janë në "zonën e së vërtetës së pandryshueshme: duke u larguar nga kjo zonë, shpirti errësohet; duke iu afruar asaj, ai shndritet".
Ambienti universitar dhe veprimi i Kishës
Ambienti universitar, me dialogun e tij karakteristik ndërmjet botëkuptimeve të ndryshme, vazhdon Papa, "nuk është i huaj për jetën dhe veprimin e Kishës". Kjo dëshmohet nga përvoja e të krishterëve të parë, "që në fillim të ungjillëzimit"...
“…ata e kuptuan qartë se Lajmi i Mirë nuk mund të shpallej pa sqaruar se në çfarë mase ishte i pajtueshëm me mënyra të tjera të këndvështrimit mbi botën dhe me perspektiva të tjera mbi kuptimin e të qenit njeri dhe të jetës në shoqëri”.
Botës klasike i mungonte Krishti, vëren më pas Ati i Shenjtë, ndërsa Etërit e Kishës e edhe krishterëimi i sotëm e di mirë se “nuk duhet të distancohet nga Krishti, as të relativizojë vendin e tij unik dhe të mirëfilltë, për të biseduar me respekt e frytshëm me shkolla të tjera të dijes, ato të lashta dhe ato të kohëve të fundit”.
Krishti-Dije si shtysë për një ungjillëzim të ri
Urimi i fundit i Papës, përpara bekimit të tij, është që "Krishti-Dije - e Vërteta bërë Njeri, që e tërheq botën drejt vetes - të jetë busulla, që udhëheq punën e institucioneve universitare, si edhe që njohja e tij të përbëjë shtysën për një ungjillëzim të ri brenda arsimit të lartë katolik".