杏MAP导航

K?rko

FRANCE-EDUCATION-SOCIAL-ENVIRONMENT-SCOUTING

Papa, skaut?ve francez?: edukimi ekologjik ?sht? themelor p?r t? gjith?

Me rastin e takimit "Clameurs!" t? skaut?ve t? Franc?s, i cili p?rfundon sot, m? 28 korrik, Papa Leoni XIV u d?rgoi atyre nj? mesazh. I p?rg?zon p?r angazhimin e tyre n? mbrojtjen e mjedisit dhe p?r sh?rbimin e tyre ndaj s? mir?s s? p?rbashk?t, duke i inkurajuar t? d?shmojn? fen? n? bot? dhe t? jen? protagonist? t? ndryshimit e t? shpres?s n? shoq?ri

R.SH. – Vatikan

            Ju përcjell përshëndetjet e mia të përzemërta me rastin e takimit tuaj të madh “Clameurs”. Këto, fjalët e para të mesazhit papnor drejtuar Skautëve francezë. Ju keni vendosur të takoheni dhe të reflektoni mbi një botë më të drejtë dhe të qëndrueshme, duke i bërë jehonë thirrjeve që ngrihen nga toka – vijon mesazhi papnor, që i referohet takimit 5-ditor të skautëve në Jambville, në perëndim të Parisit, në kuadrin e udhës së tyre dyvjeçare të reflektimit mbi mënyrën e përjetimit të Skautizmit, në dritën e konferencës mbi klimën COP21 dhe të enciklikës “Laudato si'” të Papës Françesku. - E mirëpres këtë iniciativë të mrekullueshme sepse ju doni të jeni agjentë të ndryshimit duke e vënë Skautizmin në shërbim të ndryshimeve klimatike. Në një çast të fuqishëm dhe kolektiv lojërash, diskutimesh dhe reflektimesh mbi çështjet sociale dhe ekologjike, ju doni të kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit dhe të forconi angazhimin tuaj për të Mirën e Përbashkët - shkruan Papa.

Britma e krijimit

Mesazhi papnor vijon me ftesën për ta dëgjuar me vëmendje britmën e krijimit. Kjo urgjencë - kujton Ati i Shenjtë - është e domosdoshme për të gjithë njerëzimin, të cilit Zoti ia ka besuar punën e Tij. Ndërgjegjja jonë është thellësisht e sfiduar nga shkatërrimi gjithnjë e më i rëndë, që po ndodh në të katër anët e tokës. Përballë ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit, keqësimit të jetës dhe degradimit shoqëror, pabarazive globale, mungesës së ujit të pijshëm dhe të energjisë për shumë popullata, edukimi ekologjik është themelor për të gjithë, për të përmbysur rendin aktual të gjërave.

Ta shpëtojmë shtëpinë tonë të përbashkët

Takimi juaj - vijon mesazhi papnor drejtuar Skautëve francezë - ju lejon të dalloni dhe të gjeni shtigje e drejtime të reja për të mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët. Ju jeni të rinj, jeni plot ide dhe entuziazëm. Doni të pushtoni botën, jo për ta nënshtruar, por për t'i shërbyer jetës që vjen nga Zoti. Përvujtëria, fryma e shërbimit dhe marrëdhënia e thellë me Krishtin ju lejojnë t’i rrënjosni vlerat e krishtera në zemrat tuaja. Vetëm kthesa e shpirtit e bën të mundur ndryshimin në zakone e mendësi, duke e përkthyer në një mënyrë të re të jetesës, në bashkësi me mjedisin. Ju, Skautët - vijon t’u shkruajë Ati i Shenjtë Skautëve francezë -  jeni mësuar të jetoni në natyrë, të krijoni objekte, të gjeni rrugën tuaj dhe të krijoni lojëra dhe tubime; kjo ju bën të trajtoni krijimin me respekt. Kjo është arsyeja pse mund të kontribuoni kaq shumë në shoqëri përmes stilit tuaj të jetesës.

Ftesa për të qenë ambasadorë të vëllazërisë dhe të paqes

Jam i bindur – vijon t’u shkruajë Papa Skouts et Guides të Francës se këto çaste intensive që po përjetoni, ju lejojnë të pasuroheni më tej me vlera të tilla si takimi dhe mirëpritja e të tjerëve me dallimet e të përbashkëtat.

Më poshtë, ftesa:

“Të dashur skautë, jini ambasadorë të vëllazërisë dhe të paqes në mjedisin tuaj të jetesës. Vini nga tradita kulturore dhe prejardhje të ndryshme shoqërore; keni personalitete dhe mosha të ndryshme. Lidheni me të rritur e të moshuar. Është pasuri, që ju lejon të shihni ëndrra të mëdha dhe të përfytyroni një botë paqësore të mbrojtur me armët e të krishterit: me fenë, të vërtetën, drejtësinë dhe Ungjillin e paqes (krh Ef. 6:11-17).

Më pas Papa u drejton përshëndetjen të sapo të krezmuarve.

Të dashur miq, shumë prej jush po marrin sot sakramentin e Krezmimit, një shenjë e angazhimit tuaj ndaj Kishës. Në këtë sakrament merrni plotësisht Shpirtin Shenjt, praninë hyjnore që ju udhëzon, ju ndriçon dhe ju ngushëllon në shtegtimin e fesë. Ju ftoj t’i luteni shpesh, që të mbusheni me dhuratat dhe hiret e Tij.

Miqësi me Zotin e lutje

Tashmë ju jeni të shuguruar, të ngarkuar për të dëshmuar fenë tuaj në botë, për të qenë roje të ndryshimit dhe shpresës në shoqëri. Kjo është përgjegjësia e dishepullit aktiv të Krishtit, i përkushtuar për të shpallur Ungjillin dhe për të dashur të afërmin. Megjithatë, e gjithë kjo është e mundur vetëm përmes një jete lutjeje dhe miqësie me Zotin.

Ju inkurajoj – thekson Papa në përfundim të Mesazhit drejtuar Skautëve dhe Udhëzuesve të Francës, me rastin e Takimit të madh “Clameurs!” - të ecni përpara pa humbur shpresën, pa u dekurajuar dhe pa u dorëzuar para pesimizmit. Dijeni se secili prej jush është unik në krijim, i dashur në një mënyrë personale nga Zoti. Mos pushoni së besuari në një botë më të mirë dhe në ardhjen e qytetërimit të dashurisë së vërtetë. Siç thoshte Papa Françesku, edhe ju mund të jeni ndërtues urash ndërmjet brezave, kulturave dhe popujve.

Në përfundim Papa u jep edhe një herë zemër skautëve dhe prijësve me bekimin e tij:

“Duke ju besuar ndërmjetësimit të Shën Gjergjit, Pajtorit tuaj, dhe përkujdesjes amtare të Virgjërës Mari, ju jap me gjithë zemër Bekimin tim Apostolik, të cilin ua shtrij si mbikëqyrësve tuaj, ashtu dhe familjeve tuaja.

28 korrik 2025, 12:16