Papa Leoni XIV dhe nj? bot? n? nivelin e f?mij?ve
R.SH. – Vatikan
Pamjet e dy muajve të parë të papnisë së Leonit XIV janë të shumta dhe të pasura me kuptim. Disa do të mbeten në kujtesën kolektive për një kohë të gjatë, siç janë lotët e mbajtur në Lozhën qendrore të Bazilikës Pjetrine, ndërsa Ati i Shenjtë Prevost shikonte njerëzit në festë në Sheshin e Shën Pjetrit pasditen e 8 majit të kaluar, në mesazhin e tij të parë Urbi et Orbi pas zgjedhjes. Ka një imazh, që nuk është shumë i njohur, por, natyrshëm, mbart me vete një mesazh dhe një vizion për të ardhmen. Është ai në të cilin Papa Leoni XIV është ulur gati në gjunjë pranë një vajze të vogël nga Qendra Verore e Vatikanit, e cila i tregon një vizatim.
Buzëqeshjet e të dyve janë mbresëlënëse: Papa duket qartë se po shikon drejt objektivit të fotografit. Vajza e vogël duket e “magjepsur” nga ky gjest, prandaj, nuk kthehet nga fotografi, por shikon buzëqeshur Leonin XIV. Pse është kaq e rëndësishme kjo pamje? Sepse me atë përkulje të thjeshtë, Papa na tregon një drejtim, që duhet ndjekur nga të gjithë dhe, në veçanti, nga ata që sot mbajnë fatin e botës në duart e tyre: të vendosemi në të njëjtën lartësi me fëmijët, ta shikojmë botën me sytë e tyre. Si do të ndryshonte fati i njerëzimit nëse secili prej nesh do të kishte guximin ta ulte veten, siç bëri Jezusi kur - duke qortuar dishepujt, që donin t’i largonin fëmijët “e bezdisshëm” - shqiptoi atë frazë të pavdekshme: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë”.
Sot, sa i lejojmë fëmijët të vijnë tek ne? E sidomos, sa shkojmë drejt tyre? Drejt fëmijëve të tronditur nga lufta, drejt fëmijëve të uritur, për shkak të egoizmit të të tjerëve, drejt atyre të abuzuar nga një mijë forma dhune. Logjika, para se të flasim për ndjenja, do të kërkonte që të rriturit t’i mbrojnë të vegjlit. Por, ndodh pikërisht e kundërta. Në luftërat e filluara nga të rriturit, të parët që vuajnë janë pikërisht ata: të vegjlit. Çfarë do të shihnim nëse do të uleshim në të njëjtin nivel me fëmijët e Gazës, Kharkivit, Gomës dhe të shumë e shumë vendeve të shkatërruara nga konfliktet e armatosura. Ndoshta, nëse do ta bënim këtë, diçka do të ndryshonte.
“Nëse duam t’u mësojmë të tjerëve paqen e vërtetë në këtë botë”, thoshte Gandi, “dhe nëse duam vërtet ta luftojmë luftën, duhet të fillojmë me fëmijët”. Imagjinoni për një moment nëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të merrnin pjesë fëmijët nga kombet e Fuqive të Mëdha. Kush e di si do të ndryshonin marrëdhëniet ndërkombëtare! Fatkeqësisht, duhet ta pranojmë me hidhërim se realiteti i luftës na injektohet, si helm, që në vitet e para të jetës. Bertold Brecht e shpjegon atë në mënyrë dramatike, por tejet efektive, në një poezi të shkruar ndërsa po afrohej fillimi i zymtë i Luftës II Botërore: “Fëmijët luajnë luftash. Ata rrallë bëjnë lojën e paqes, sepse të rriturit gjithmonë kanë bërë luftë”.
Kjo është arsyeja pse ndoshta e vetmja mënyrë për ta ndryshuar rrjedhën e historisë është vërtet ajo, që duket më e pamundura: ta ulim veten, të zbresim nga niveli i bidnjeve dhe i interesave tona prej të rriturisht dhe t’ua marrim hua sytë (dhe akoma më shumë zemrat) fëmijëve. Papa Leoni, si misionar dhe ipeshkëv në Peru, u ul shpesh për të qenë në nivelin e fëmijëve. Ka imazhe të shumta, që na e dëshmojnë këtë. Tani që ai është Ipeshkëv i Romës, stili i tij nuk ka ndryshuar, siç na "konfirmoi" ajo pamje nga Qendra Verore e Vatikanit, në Sallën Pali VI. Të bëhemi të vegjël, pra, për ta bërë humanizmin tonë më të madh. Një mësim, për të cilin sot kemi nevojë të jashtëzakonshme.