Papa fal?nderon L’Osservatore di Strada: b?jini t? d?gjohen z?rat e atyre q? nuk kan? z?
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV deshi të merrte pjesë, me një mesazh, në festimet për tre vjetët e L'Osservatore di Strada (Vëzhguesit të Udhës), revistës mujore të L'Osservatore Romano, lindur më 29 qershor 2022. Të mbledhur në selinë e Mediterranea Rete të Shoqërisë së Shën Vinçenc de’ Paolit në Via della Nocetta, 191, anëtarët e stafit editorial të revistës mujore, të koordinuar nga Piero Di Domenicantonio, së bashku me shumë miq, patën mundësi të dëgjonin mesazhin e Atit Shenjt, shqiptuar nga prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim, Paolo Ruffini i cili, së bashku me sekretarin, Imzot Lucio Ruiz dhe Andrea Monda, drejtor i L'Osservatore Romano, hapën festimet me përshëndetjet e tyre fillestare, shoqëruar nga ato të Giuliano Crepaldit, kryetar i Shoqërisë së Shën Vinçenc de’ Paolit.
Më poshtë, mesazhi i Atit të Shenjtë
Të dashur miq të L'Osservatore di Strada, që sot festoni tre vjetorin e lindjes së revistës mujore, numri i parë i së cilës u botua më 29 qershor 2022, “urimet më të mira”! Dua të marr pjesë në festën tuaj me disa fjalë, të cilat mund të përmblidhen në një të vetme: "faleminderit!". Faleminderit të gjithë juve, që e vazhduat këtë përvojë të vogël, por domethënëse, për tre vjet. Faleminderit për këtë gazetë tuajën, në të cilën, siç pati thënë paraardhësi im i dashur, Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Zotit, më 29 qershor, tre vjet më parë, "të fundit bëhen protagonistë".
Jeni ju që, me talentet tuaja, kontribuoni në krijimin e kësaj gazete unike; e gjithnjë ju, që e shpërndani falas çdo të diel ndërmjet shtegtarëve të pranishëm në shesh, duke e shoqëruar kështu Papën me praninë tuaj të kujdesshme, para dhe pas çastit të lutjes së Engjëllit të Zotit. Puna juaj është e rëndësishme, ngaqë na ndihmon të kujtojmë se bota duhet të shihet edhe nga rruga, duke pasur guximin për të ndryshuar perspektivën, duke thyer modelet dhe konvencionet që shpesh na pengojnë të shohim dhe të dëgjojmë vërtet e më thellë zërin e atyre që nuk kanë zë. Urimet më të mira dhe guxim!
Të ecim përpara, së bashku, me besim, duke vazhduar t'i sjellim qytetit të njerëzve edhe çaste të qytetit të Zotit. Faleminderit! Zoti qoftë gjithmonë me ju, vëllezërit dhe motrat tona më të dashura. Le ta njohim gjithmonë Atë, në ju. Dora e Zotit në historitë tuaja është dëshmia më e gjallë që tregon se si gjithçka shpengohet dhe asnjë histori nuk është pa shpresë nëse besojmë në dashurinë e Zotit. Shën Agustini na kujton: "Të lumtur janë ata që kanë dhembshuri për të tjerët, sepse do të marrin dhembshuri" (Shën Augustini, Fjalimi 53/A, Tetë Maksimat e Lumturive të Ungjillit).
Dhembshuria dhe përvujtëria juaj janë dhuratë e çmuar për të gjithë ne. Shpresa juaj, edhe në vështirësi, është shembull për Kishën dhe për botën. Faleminderit.