Papa: f?mij?ve t? qendr?s verore, jini t? gjith? miq, nd?rtues t? paqes
R.SH. / Vatikan
Një paradite në shoqërinë e më të vegjëlve, ai i kaluar sot, më 3 korrik, nga Papa Leoni XIV: së pari, me rreth 300 fëmijë dhe të rinj nga Ukraina, të pritur për verën nga Caritasi Italian; më pas, me 310 fëmijë dhe të rinj që marrin pjesë në Qendrën Verore "Estate Ragazzi in Vaticano" në Sallën Pali VI. Papa i arriti pak para orës 12, në fund të audiencave të ditës së sotme.
I mirëpritur nga animatorët e qendrës verore – informon një njoftim i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – Papa bisedoi me fëmijët dhe iu përgjigj disa pyetjeve. Leoni XIV foli për fëmijërinë e tij, për pjesëmarrjen në Meshë, ku takonte fëmijë të tjerë, miq të tjerë, por mbi të gjitha vendin ku takonte "mikun më të mirë, Jezusin". Më pas Papa foli për diversitetin dhe mikpritjen, duke u drejtuar fillimisht disa fjalë mirëseardhjeje në anglisht fëmijëve ukrainas, dhe duke shtuar se "është e rëndësishme të respektojmë njëri-tjetrin, të mos ndalemi te dallimet, por të ndërtojmë ura, miqësi, të gjithë mund të jemi miq, vëllezër, motra".
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi luftën, Papa Prevost shpjegoi se edhe si të vegjël, është e nevojshme të mësohet të jesh ndërtues i paqes dhe miqësisë, të mos hysh në luftë dhe betejë, të mos nxisësh kurrë urrejtje dhe zili: "Jezusi na thërret të jemi të gjithë miq" sepse është e rëndësishme "të mësojmë që të vegjël të kemi respekt të ndërsjellë, të shohim te tjetri një si unë".
Fëmijët dhe të rinjtë i sollën Papës dhurata, ndër të cilat objekte të bëra prej tyre gjatë Qendrës Verore, si dhe pajisje të "Estate Ragazzi", vizatime dhe vepra të realizuara nga fëmijët ukrainas. Në fund, pas fotove të bëra së bashku, Papa Leoni i ftoi të gjithë të luten së bashku lutjen drejtuar Zojës Mari "Ave Maria", dhe bekoi të pranishmit.