Leoni XIV do t? kremtoj? nj? Mesh? p?r Kujdesin ndaj Krijimit m? 9 korrik
R.SH. / Vatikan
Më 9 korrik 2025, Papa Leoni XIV do të kremtojë "Meshën e parë për Kujdesin ndaj Krijimit", me një formular të ri të Mesharit Romak, me lexime bible dhe lutje përkatëse, përgatitur nga Dikasteri i Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe Dikasteri për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, dhe të prezantuar të enjten, më 3 korrik, gjatë një konference shtypi në Vatikan.
Papa do ta kremtojë këtë Meshë, në formë private gjatë pushimeve të tij, me stafin e "Borgo Laudato Sì" ("Fshati Laudato Sì"), një qendër edukative e vendosur në rezidencën Papnore në Castel Gandolfo. Me këtë formular të ri të leximeve biblike dhe lutjeve të Meshës "Kisha ofron mbështetje liturgjike, shpirtërore dhe komunitare për kujdesin që të gjithë duhet të ushtrojmë ndaj natyrës, shtëpisë sonë të përbashkët.
Një shërbim i tillë është vërtet një akt i madh feje, shprese dhe dashurie", tha Kardinali Michael Czerny, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor gjatë konferencës së shtypit. Kjo Meshë kushtuar kujdesit ndaj krijimit "na thërret të jemi kujdestarë besnikë të asaj që Zoti na ka besuar – jo vetëm në zgjedhjet e përditshme dhe politikat publike, por edhe në lutjen tonë, adhurimin tonë dhe mënyrën tonë të jetesës në botë".
Një mënyrë për të promovuar një ekologji integrale
Në Mesharin Romak ka 49 Mesha dhe lutje për nevoja dhe raste të ndryshme. Prej tyre, 17 i janë kushtuar nevojave civile dhe ky tekst i ri liturgjik tani do të bëhet pjesë e kësaj kategorie. Një dekret zyrtar nga Dikasteri i Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, i miratuar nga Papa Leoni XIV, m datë 8 qershor, u botua gjithashtu, duke shënuar kështu pasurimin e formularit të lutje për raste të ndryshme në Mesharin Romak. Ky tekst liturgjik u përpilua në bashkëpunim me disa Dikastere të Vatikanit dhe u frymëzua fuqishëm nga enciklika e Papa Françeskut Laudato Si', e cila këtë vit shënon 10-vjetorin e botimit të saj.
Botimi i formularit të lutjeve bie gjithashtu në vitin e 35-vjetorit të mesazhit të Shën Gjon Palit II të vitit 1990 për Ditën Botërore të Paqes, me titull "Paqe me Zotin Krijues, Paqe me gjithë Krijimin". "Mesha për Kujdesin ndaj Krijimit" merr disa nga fragmente kryesore të përmbajtura në enciklikën Laudato Si' dhe i shpreh ato në formën e një lutjeje brenda kornizës teologjike që enciklika përmban", shpjegoi Kryeipeshkvi Vittorio Francesco Viola, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, gjatë konferencës për shtyp.