Castel Gandolfo n? fest? p?r t? p?rsh?ndetur Pap?n
R.SH. / Vatikan
Britma gëzimi, këngë dhe duartrokitje mbushin Corso della Repubblica në Castel Gandolfo ndërsa kalon makina e zbuluar. Leoni XIV hyn në këtë rrugë të ngushtë, por që i krijon makinës mundësinë të kalojë ndërmjet dy rreshtave të besimtarëve të rreshtuar pas barrierave, të cilat lidhin selinë papnore të Castel Gandolfo - me Piazza della Libertà. Papa kremtoi Meshën e së Dielës në Famullinë e Shën Tomës nga Villanova dhe kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot në orën 12:00 të mesditës. Ishte paraqitja e parë publike e Papës Leoni që nga mbërritja e tij në Castel Gandolfo, më 6 korrik ndaj ndiqej nga çdo kënd, duke përfshirë ballkonet dhe dritaret e ndërtesave shumëngjyrëshe, ku shiheshin grupe njerëzish duke përshëndetur Papën.
Ai shtrin duart, duke u përpjekur të përqafojë dhe të përshëndesë gjithë të pranishmit. Barrierat për të mbajtur mijëra njerëz që janë mbledhur në rrugë për të parë Papën janë pak më shumë se një metër larg nga hyrjet e shtëpive dhe dyqaneve, e banorët e qytetit dhe pronarët e bizneseve janë të parët që duartrokasin nga dritaret e tyre ose përkulen nga dyqanet, ndërsa turistët dhe shtegtarët që mbajnë kapele Jubileu nxitojnë në rrugë për të ndjekur çdo hap të Papës së buzëqeshur në automjetin e ri elektrik, dhuruar më 3 korrikun e kaluar.
Njerëzim i larmishëm
Kori shpërthen nga altoparlantët e shpërndarë në të gjithë rrugën, duke kënduar këngën për hapjen e Meshës dhe herë pas here makina ngadalësohet, ndërsa Papa përkulet për të bekuar disa fëmijë dhe për të përshëndetur besimtarët që janë shumë afër. Ndëgjohen fraza në anglisht, portugalisht, italisht e gjuhë të tjera. Shihen fëmijë nga famullitë, skautë, priftërinj, murgesha, grupe motoçiklistësh, njerëz me qen në krahë ose me çanta, e edhe amerikanë që valëvisin flamujt e vendit të Papës, turma e popullit në Corso della Repubblica dhe Piazza della Libertà. Emocioni është i prekshëm, si për ata që kalojnë nëpër qytetin e Lacios, ashtu edhe për ata që kanë jetuar këtu brez mbas brezi. "Papa është si fqinj për ne", thotë Assunta Ferrini, familja e së cilës zotëron restorantin Sor Capanna, vetëm pak hapa larg famullisë papnore që nga viti 1948. "Është një emocion i madh, sepse ai kaloi pikërisht mes njerëzve; ai është fare pranë", thekson ajo për mediat e Vatikanit, duke u emocionuar ashtu si të gjithë banorët e tjerë.
"Shpresoj që Leoni XIV do të vijë të na vizitojë"
"Shumë bukur!" shprehet Pierluigi Fortini, edhe ai pronar i një restoranti me emrin La Scarpetta. "Është e mrekullueshme të shohësh kaq shumë njerëz këtu që nga orët e para të mëngjesit", shpjegon. Ai e hapi restorantin më 1 mars dhe kurrë nuk e kishte përfytyruar se disa muaj më vonë Papa do të kalonte aty pranë. Mbrëmë, ata e mbyllën vonë për të pastruar të gjitha tavolinat dhe karriget që zakonisht rreshtohen në Corso della Repubblica, por "pavarësisht lodhjes, është një emocion i madh të shohësh këtu Papën, i cili do të mbetet me ne përgjithmonë", komenton Pierluigi. "Shpresoj që Leoni XIV ta vlerësojë Castel Gandolfon dhe do të vijë të na vizitojë më shpesh", shton ai, duke pohuar se mezi pret që Papa të ulet në restorantin e tij.
Nga viset e largëta - në Castel Gandolfo
Për Megan dhe Paul Llanos, një çift amerikan nga Nju Jorku që u martuan në maj dhe tani janë në Itali për muajin e mjaltit, pamja e Papës nga afër në Castel Gandolfo ishte si bekim për bashkimin e tyre. "Është magjike, nuk mund ta besoj", shprehet Megan. Ajo ka lindur në Çikago dhe për këtë arsye, ndjen një lidhje edhe më të veçantë me Papën Amerikan. Ati Richard Strazza da Silva, prift brazilian që erdhi në Romë për një shtegtim Jubileu me dy priftërinj të tjerë, nuk e kishte parë kurrë më parë Castel Gandolfon, e aq më pak kishte qenë kaq afër Leonit XIV. "Kjo ditë është e veçantë dhe e pashembullt për ne", thekson. "Mundësia për të parë këtë vend të bukur të rrethuar nga natyra dhe për të dëshmuar katolicitetin e Kishës që mblidhet këtu, në këtë hapësirë të vogël, është gëzim i madh".
Faleminderit Leonit XIV për misionin e tij
Carmela Umana, 74 vjeç, ka jetuar në këtë qytet për 40 vjet dhe është anëtare e Lëvizjes Focolare, e cila e ka qendrën e saj Mariapolis në Castel Gandolfo. "Meqenëse Papa do të vinte, nuk mund të qëndroja e mbyllur në qendër; doja të isha këtu për ta mirëpritur, për ta përshëndetur dhe për ta falënderuar për këtë 'po' që tha në udhëheqje të Kishës". "Duke e ditur se ai ka nevojë për lutjet dhe mbështetjen tonë - shton Carmela – ndjehem e lume që jam këtu. Ai është si banori i parë; nëse kryetari i bashkisë është i rëndësishëm, Papa është edhe më shumë, sepse ai përfaqëson të gjithë njerëzimin".