Bangladesh, ngush?llimet e Pap?s p?r viktimat e rr?zimit t? avionit mbi nj? shkoll?
R.SH. – Vatikan
Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Leoni XIV shpreh trishtimin e tij të thellë për humbjen e jetëve, shkaktuar nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak në Daka të Bangladeshit. Ndër viktimat, edhe nxënës nga shkolla fillore dhe kolegji Milestone. Ati i Shenjtë Prevost "ia beson të ndjerët dashurisë së mëshirshme të Atit të Gjithëpushtetshëm". Duke u lutur "që familjet dhe miqtë të gjejnë ngushëllim për dhimbjen e tyre dhe që të plagosurit të shërohen e ngushëllohen”, shkruhet në mesazh, Papa kërkon prej Zotit "bekime hyjnore paqeje dhe force mbi të gjithë bashkësinë shkollore dhe mbi të gjithë ata, që janë goditur nga kjo tragjedi".
Ndërkohë, numri i të vdekurve nga aksidenti i shkaktuar nga një avion për stërvitje i Forcave Ajrore të Bangladeshit, që u rrëzua dje në kampusin e shkollës, është rritur në 31 vetë, ndërsa të plagosurit janë 165. Ndër viktimat, edhe 25 nxënës të shkollës fillore, nga 8 deri në 12 vjeç, piloti dhe një mësues, i cili shpëtoi më se 20 nxënës nga shkolla që po digjej, por, më vonë, vdiq nga djegie të rënda. Avioni F-7 BGI i prodhimit kinez u rrëzua e ra mbi shkollë, ndërsa nxënësit po ndiqnin mësimet, menjëherë pas ngritjes. Bangladeshi po mban një ditë zie kombëtare, me flamuj të ulur në gjysmë shtizë në të gjithë vendin.