Bamir?sia e Pap?s p?r Ukrain?n, pako me ushqime n? sht?pit? e familjeve t? Kharkivit
R.SH. / Vatikan
Puna ngadalësohet në verë, por jo bamirësia. Pushimi i Papës Leoni në Castel Gandolfo nuk ndikon mbi nismat e solidaritetit të ndërmarra për njerëzit, të cilëve lufta - siç e tha vetë të dielën e kaluar gjatë Meshës në famullinë e Shën Tomës nga Villanova - "ua vret ëndrrat e edhe jetën". Nëpërmjet Lëmoshtarisë Apostolike, Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë, Papa u dërgoi pako ushqimore banorëve të disa zonave të Kharkivit, në Ukrainë, të dërmuara nga sulmet e fundit masive me raketa dhe dronë rusë.
Kamionë, nga Bazilika e Shën Sofisë në Romë
"Ati i Shenjtë na kërkoi të vepronim sa më shpejt të ishte e mundur", shpjegon Kardinali lëmoshtar Konrad Krajewski, duke kujtuar, për mediat e Vatikanit, bisedën e tij me Papën në lidhje me dërgimin e ndihmave. "Bamirësia nuk shkon kurrë me pushime!" - theksoi Kardinali Krajewski - që shpjegoi se ditët e fundit kamionë të ngarkuar me pako të mbushura me ushqime të konservuara, vaj, makarona, mish, peshk, veçanërisht ton, u nisën nga Shën Sofia, në Romë - që nga viti 2022, epiqendër e solidaritetit të një qyteti të tërë me vendin e munduar të Evropës Lindore. Së bashku me këto, u dorëzuan edhe disa gjëra themelore. Destinacioni: fshati Staryi Saltiv dhe qyteti Shevchenkove, të dy në provincën e Kharkiv-it.
Ushqimi u sigurua nga Urdhri i Shenjtë Ushtarak Konstantinian i Shën Gjergjit, organizatë që merret me aktivitete shpirtërore, kulturore dhe bamirëse sipas parimeve të krishtera, në Itali dhe në mbarë botën. Organizata ofroi disa platforma për ta kryer këtë mision të ri. Ky mision vjen pas atij të qershorit, kur anije mallrash të ngarkuara me dyshekë, ushqim dhe lodra për fëmijë u dërguan në Ukrainë, nga Kisha e Shën Sofisë në Romë.
Drejtpërdrejtë në shtëpitë e familjeve
Çdo gjë iu dorëzua drejtpërdrejt familjeve që mbijetuan nga bastisjet, pa asnjë ndërmjetësim apo shpërndarje përmes organizatave të tjera bamirëse. Nga bazilika - në shtëpitë e tyre: ishte udhëtim i drejtpërdrejtë. Mbi kutinë e bardhë lexohej mbishkrimi në gjuhën ukrainase dhe italiane: "Dhuratë e Papës Leoni XIV për popullin e Kharkivit". Fotografitë e ndara nga kardinali Krajewski, dëshmojnë emocionin që ndjenë këta njerëz, kur panë se Leoni XIV, ashtu si Papa Françesku para tij, nuk i harronte vuajtjet e tyre.