Sudani, At? Luke, viktim? e fundit e nj? lufte t? harruar
R.SH. / Vatikan
Ishte lutja e Leonit XIV, dje gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, që rizgjoi vëmendjen ndërkombëtare lidhur me një konflikt mbi të cilin, për njëfarë kohe, dritat e vëmendjes ishin shuar: konfliktin e Sudanit, tronditur "nga më shumë se dy vjet" luftë ndërmjet ushtrisë së Khartumit dhe paraushtarakëve të Forcave të mbështetjes së shpejtë (RSF). Viktimë e kësaj dhune dhe klime pasigurie, që përshkon të gjithë vendin afrikan që nga 15 prilli 2023, është edhe Atë Luke Jumu, famullitar i El Fasher, i vrarë nga një bombardim - kujtoi Papa - duke u lutur për meshtarin dhe për të gjitha viktimat e konfliktit dhe duke bërë thirrje për ndërprerjen e luftimeve, për mbrojtjen dhe ndihmën e popullsinë dhe për dialogun e paqes.
Alarmi i ipeshkvijve
Ditët e fundit, agjencia e shtypit Aci Africa përhapi lajmin e parë për sulmin që kishte goditur shtëpinë ku jetonte Atë Luke, i cili më 12 qershor ndodhej në kryeqytetin e Shtetit të Darfurit të Veriut. Incidenti u njoftua nga ipeshkvi i El Obeid, Imzot Yunan Tombe Trille Kuku Andali, pasi kishte paralajmëruar një prelat tjetër, Imzot Eduardo Hiiboro Kussala, të dioqezës së Sudanit të Jugut të Tombura-Yambio, meqë në ato çaste flitej për një sulm, në të cilin meshtari kishte mbetur "i plagosur rëndë".
Rajoni i Darfurit
El Fashir është bastioni i fundit i ushtrisë në Darfur, ku zhvillohet ofensiva nga paraushtarakët, që kontrollojnë pjesën më të madhe të rajonit të gjerë perëndimor të vendit. Për më tepër, në periferi të qytetit ndodhet kampi i madh Zamzam për njerëzit e zhvendosur, nga i cili të paktën 400,000 vetë u larguan për shkak të sulmeve të përsëritura që i atribuohen RSF-së. Tani, sipas OJQ-ve të ndryshme, është bërë bazë për operacione paraushtarake.
Kontradiktat e Vendit: ari dhe varfëria
Lufta në Sudan, me një numër viktimash të vështirë për t'u verifikuar në terren, shkaktoi dhjetëra mijëra vdekje dhe mbi 13 milionë refugjatë, me pasojë urinë në pjesët e mëdha të vendit e duke nxitur një epidemi të rrezikshme kolere. Me këtë konflikt, prodhuesi i tretë më i madh i arit në Afrikë, e zhyti popullsinë e tij në varfëri: sipas një raporti të kohëve të fundit, Banka Botërore njofton se në vitin 2024, 71% e banorëve jetonin me më pak se 2.15 dollarë (1.75 euro) në ditë, krahasuar me 33% në vitin 2022. Për t’u kujtuar, edhe dëmet e shkaktuara nga operacionet e luftës në sektorin bujqësor, tradicionalisht jetik për Vendin.