Papa: Ungjilli i familjes, p?r ta mb?shtetur at? n? plag? dhe kriza
R.SH. / Vatikan
Është thirrje për të shkuar te burimi, për të ndeshur shikimin e dashur të Jezusit mbi burrat dhe gratë e kësaj kohe, që lodhen për ta jetuar bashkimin e tyre, ndiejnë peshën e vetmisë, e kërkojnë atë dëshirë për fenë “që banon në zemrën e secilit”. Ky është kuptimi i mesazhit të Papës Leoni XIV për seminarin që po mbahet në Palazzo San Callisto të Romës deri nesër, 3 qershor, i organizuar nga Dikasteri të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën me temë: “Ungjillëzimi me familjet e të sotmes dhe të së nesërmes. Sfidat kishtare dhe baritore”. Një nismë e lindur pas Jubileut të familjeve, fëmijëve, gjyshërve dhe të moshuarve.
Papa ofron një reflektim mbi rreziqet që familjet i vërejnë e, megjithatë, i lënë të zvarriten “në detin e kërkesave të kësaj bote”, duke kërkuar “modele iluzore të një jete, ku nuk ka hapësirë për fenë”, e që përhapen me anë të mjeteve “potencialisht të mira në vetvete - siç janë mediat sociale - por të dëmshme, kur bëhen mjete të mesazheve mashtruese”.
Atësia e Zotit
Leoni XIV niset nga zemra e njeriut, nga ajo “pyetje e thellë e pafundësisë, e shkruar në zemrën e secilit” që u ngarkon nënave dhe baballarëve “detyrën për t’i bërë fëmijët e tyre të vetëdijshëm për atësinë e Zotit”. Në kërkimin e rëndësishëm të përshpirtërisë, veçanërisht ndërmjet të rinjve që kërkojnë “marrëdhënie të vërteta” dhe “mësues të jetës”, është e nevojshme që bashkësia e krishterë të bëhet “mbrojtëse” dhe, për këtë arsye, veçanërisht pranë atyre, që janë shpirtërisht larg ose që ndjehen të përjashtuar:
Sa njerëz sot e injorojnë ftesën për të takuar Zotin!
Dëshmitarë të martesës së krishterë
“Për fat të keq, përballë kësaj nevoje - shkruan Papa Prevost - një ‘privatizim gjithnjë e më i përhapur i fesë na pengon të njohim pasuritë dhe dhuratat e Kishës’, vend hiri, vëllazërie, dashurie!”. Ekziston rreziku i “kapaciteteve të rreme” që na bëjnë të rrokullisemi poshtë e më poshtë. Por edhe ftesa drejtuar Kishës për “ta peshkuar” këtë njerëzim, “e për ta shpëtuar nga ujërat e së keqes dhe të vdekjes nëpërmjet takimit me Krishtin”.
Ndoshta shumë të rinj, të cilët sot zgjedhin bashkëjetesën - në vend të martesës së krishterë - në të vërtetë kanë nevojë për dikë që u tregon në një mënyrë konkrete dhe të kuptueshme, veçanërisht me shembullin e jetës, çka është dhurata e hirit sakramendor dhe e forcës që buron prej saj.
Fe e parealizueshme
Për Leonin XI ka rëndësi që bashkësia të jetë mbështetje për edukimin e fëmijëve në fe, sepse “besimi - thekson ai - është para së gjithash përgjigje që i jepet një shikimi dashurie, ndërsa gabimi më i madh që mund të bëjmë si të krishterë është, sipas fjalëve të Shën Augustinit, ‘të pretendojmë se hiri i Krishtit duhet kërkuar në shembullin e tij dhe jo në dhuratën e Vetjes së tij’”:
Sa herë, në një të kaluar ndoshta jo shumë të largët, e kemi paraqitur jetën e krishterë kryesisht si një sërë parimesh që duhen respektuar, duke zëvendësuar përvojën e mrekullueshme të takimit me Jezusin, me Zotin që na dhurohet, me një fe moraliste, të rëndë, të pahijshme dhe, në disa mënyra, të paarritshme në konkretësinë e jetës së përditshme.
Ungjilli i Familjes
Në këto rrethana, është themelore që e gjithë Kisha të përfshihet në misionin e “peshkatarëve” të familjeve që nuk afrohen më vetë, duke krijuar një zinxhir familjesh që e përhapin takimin me butësinë e Zotit. “Mos u çkurajoni nga situatat e vështira - lexojmë në tekst - që do të gjeni para jush. Është e vërtetë, sot njësitë familjare janë të plagosura në shumë mënyra, por ‘Ungjilli i familjes ushqen edhe ato farë, që presin ende të piqen’”.
Identiteti i besimtarëve
Për Papën Leoni, nuk duhet t’u japim përgjigje të nxituara pyetjeve sfiduese, por të afrohemi më shumë, duke u përpjekur të kuptojmë mënyrat për të kapërcyer vështirësitë, “të gatshëm për t’u hapur, kur është e nevojshme, ndaj kritereve të reja të vlerësimit dhe mënyrave të ndryshme të veprimit, sepse çdo brez është i ndryshëm nga tjetri dhe paraqet sfidat, ëndrrat dhe pyetjet e veta”.
Nëse duam t’i ndihmojmë familjet të jetojnë shtigje të gëzueshme bashkimi dhe të jemi farë besimi për njëri-tjetrin, është e nevojshme, para së gjithash, të kultivojmë dhe të ripërtërijmë identitetin tonë si besimtarë.
“T’i ndihmojmë, pra, familjet të dëgjojnë me guxim propozimin e Krishtit dhe ftesat e Kishës!” përfundon Papa, i cili siguron se do të lutet për t’i dhënë përgjigje pyetjeve më të rëndësishme si besimtarë: “Çfarë është parajsa? Ku është?”...
Parajsa nuk është as sipër as poshtë, as djathtas as majtas; Parajsa është pikërisht në qendër të kraharorit të njeriut që beson! Ku banon vetë Zoti!