Papa: t’i ndihmosh t? varfrit ?sht? ??shtje drejt?sie. Siguria nuk arrihet me arm?
R.SH. - Vatikan
"Ta ndihmosh të varfrin" është "çështje drejtësie, para bamirësisë" dhe "të gjitha format e varfërisë, pa përjashtim, janë thirrje për ta jetuar konkretisht Ungjillin e për të dhënë shenja shprese". Kjo, thirrja që bën Papa në Mesazhin e tij për Ditën e IX Botërore të të Varfërve, e cila do të festohet më 16 nëntorin e ardhshëm. I botuar sot, 13 qershor, në kujtim të Shën Antonit të Padovës, Pajtorit të të varfërve, Leoni XIV këmbëngul në rëndësinë e shpresës së krishterë, temë e këtij Viti Shenjt, për të prodhuar vepra konkrete që mund t’i kundërvihen indiferencës, pabarazisë dhe konflikteve, të cilat sot i katandisin mijëra njerëz në mbarë botën në situata varfërie.
Prandaj shpresoj se ky Vit Jubilar do të mund të inkurajojë zhvillimin e politikave për të luftuar format e vjetra dhe të reja të varfërisë, si dhe nisma të reja për të mbështetur dhe për të ndihmuar më të varfrit e të varfërve. Puna, arsimi, strehimi, shëndetësia janë kushte për një siguri, që nuk do të vendoset kurrë me armë.
Të varfrit janë vëllezërit më të dashur të Kishës
Në dokument, Papa shpjegon se Dita është e rëndësishme për të kujtuar "të varfrit, që janë në qendër të gjithë punës baritore" të Kishës, jo vetëm në "aspektin bamirës" por "po aq edhe në atë që Kisha feston e shpall". Të varfrit nuk janë “objekte”, por “vëllezërit dhe motrat më të dashura” e edhe “subjekte krijuese, që na provokojnë të gjejmë gjithmonë mënyra të reja për ta jetuar Ungjillin sot”. “Zoti ka marrë përsipër varfërinë, për të na bërë të pasur nëpërmjet zërave të të varfërve, historive të tyre, fytyrave të tyre”, këmbëngul ai.
Përballë ndjekjes së vazhdueshme të valëve gjithnjë e më të reja të varfërisë, ekziston rreziku të mësohemi me të dhe të dorëzohemi. Çdo ditë takojmë njerëz të varfër ose të varfëruar e, ndonjëherë, mund të ndodhë që ne vetë të kemi më pak, të humbasim atë që dikur dukej e sigurt: shtëpinë, ushqimin e mjaftueshëm për ditën, kujdesin shëndetësor, nivelin e mirë të arsimimit dhe të informacionit, lirinë fetare dhe lirinë e shprehjes.
Për Papën, kjo ftesë për ta jetuar konkretisht Ungjillin në dritën e situatave të varfërisë bëhet edhe më konkrete në këtë Vit Jubilar: “Kur Porta Shenjte të mbyllet, ne duhet t’i ruajmë dhe t’i transmetojmë dhuratat hyjnore që na u derdhën në duar gjatë një viti të tërë lutjeje, kthimi dhe dëshmie”.
Të krijojmë shenja konkrete shprese
Për të ndihmuar ata që ndeshen me të gjitha llojet e varfërisë, Papa thekson se “të gjithë jemi të thirrur të krijojmë shenja të reja shprese, që japin dëshmi për bamirësinë e krishterë” e cila është “nëna e të gjitha virtyteve”. “Atij që i mungon bamirësia”, vazhdon ai, “jo vetëm që i mungon feja dhe shpresa, por ia heq shpresën edhe të afërmit”. Leoni XIV kujton se varfëria “ka shkaqe strukturore, që duhen njohur e duhen hequr” e, në vijim, citon institucione të tilla si shkollat ??dhe spitalet, të cilat u krijuan “për të shprehur pranimin e më të ligshtëve dhe më të flakurve” dhe “tani duhet të jenë pjesë e politikave publike të çdo vendi, por luftërat dhe pabarazitë shpesh e pengojnë këtë”. Ose përmend si “shenja shprese” organe të tilla si “shtëpi familjare, strehë për të mitur, qendra dëgjimi dhe pritjeje, mensa, konvikte, shkolla popullore”.
Sa shumë shenja janë shpesh të fshehura, që ndoshta nuk u kushtojmë vëmendje, edhe pse kaq të rëndësishme për të shkundur indiferencën dhe për të nxitur angazhimin në format e ndryshme të vullnetarizmit!
Të varfrit, dëshmitarë të shpresës
Për Leonin XIV ky angazhim praktik, “në mes të sprovave të jetës”, duhet të jetë i rrënjosur në shpresën e krishterë “si spirancë, e cila i fikson zemrat tona në premtimin e Zotit Jezus, që na shpëtoi me vdekjen dhe ringjalljen e tij dhe që do të kthehet rishtas ndërmjet nesh”. Për Papën, të varfrit mund ta përjetojnë këtë shpresë në një mënyrë të veçantë, pikërisht sepse "përballë dëshirës për ta pasur Zotin shok udhe, pasuria zvogëlohet, mbasi zbulohet thesari, që na nevojitet vërtet".
I varfri mund të bëhet dëshmitar i një shprese të fortë dhe të besueshme, pikërisht sepse është në një gjendje jetese të pasigurt, me mungesa, brishtësi, varfëri. Ai nuk mund të mbështetet në siguritë e pushtetit dhe të pasurisë; përkundrazi, i vuan ato dhe shpesh është viktimë e tyre. Shpresa e tij mund të qëndrojë vetëm dikund tjetër.
Varfëria shpirtërore
Papa nënvizon edhe se "varfëria më serioze është mosnjohja e Zotit", duke cituar edhe Françeskun, që shkroi në Evangelii gaudium se "diskriminimi më i keq që pësojnë të varfrit, është mungesa e vëmendjes shpirtërore".
Është rregull e fesë dhe sekret i shpresës: të gjitha të mirat e kësaj toke, realitetet materiale, kënaqësitë e kësaj bote, mirëqenia ekonomike, sado të rëndësishme, nuk janë të mjaftueshme për ta bërë zemrën të lumtur. Pasuritë shpesh të mashtrojnë dhe të çojnë në situata dramatike varfërie, para së gjithash, në atë të të menduarit se dikush nuk ka nevojë për Zotin dhe se duhet ta jetojë jetën pavarësisht prej Tij.