Papa: shum? t? pafajsh?m po vdesin, ta k?rkojm? paqen s? bashku
R.SH. - Vatikan
"Dëshiroj ta ripërtërij këtë thirrje kushtuar paqes për shmangien me çdo kusht të përdorimit të armëve", duke e kërkuar "dialogun përmes mjeteve diplomatike". Një ballafaqim i bërë "së bashku" në kërkim të "zgjidhjes" së asaj tragjedie të "shumë të pafajshmëve, që po vdesin".
Pak më tej pragut të Qendrës së Transmetimit Santa Maria di Galeria - ku Papa kishte kaluar një pjesë të mëngjesit duke zbuluar pajisjet që shoqëruan më shumë se 90 vjet punë të Radio Vatikanit dje e sot - Leoni XIV u ndal për disa minuta para mikrofonit të korrespondentit të Vatikanit pranë Tg1, Ignazio Ingrao, që t’i riafirmonte thirrjet për paqe, për një botë gjithnjë e më të tronditur nga tërbimi i armëve.
Një "fjalë e bukur" gjithmonë, nga Radio Vatikani
Papa u ndalua edhe në historinë e ardhmërinë që e pret Qendrën Transmetuese, dëshiruar në vitin 1957 nga Piu XII, sot e paracaktuar të japë përgjigje për rreziqet që sjellin me vete ndryshimet klimatike.
"Nuk e njihja këtë Qendër, antenat e Radio Vatikanit" - kujtoi Leoni XIV - i cili dje, gjatë vizitës në Santa Maria di Galeria, theksoi se sa e dobishme ishte për të, misionar në Amerikën Latine, t’i kishte kapur me një "radio të vogël" transmetimet me valë të shkurtra të transmetuesit papnor, "shumë herë edhe në male ku nuk kishte mundësi të tjera". E pastaj njëlloj edhe në Afrikë, gjatë vizitave të tij si epror i augustinianëve, duke shtegtuar "në vise të ndryshme. "Natën - kujton - i ndoqa gjithnjë lajmet, një fjalë e bukur për këtë shërbim shumë të rëndësishëm të Radio Vatikanit".
Sistemi fotovoltaik, shembull për botën
Qendra e Santa Maria di Galeria është tani në rrugën e përvijuar pak kohë më parë nga Papa Françesku i cili, vetëm para një viti, me motu proprio-n Fratello sole (Vëlla diell), kishte vendosur të pajiset me një sistem agrovoltaik për autonominë energjetike të Shtetit të Vatikanit. Për Leonin XIV është "mundësi e bukur" e edhe "angazhim nga ana e Kishës" për t'i ofruar "botës një shembull shumë të rëndësishëm". Të gjithë, përsëriti ai, "i dinë efektet e ndryshimeve klimatike, e ne duhet të kujdesemi vërtet për të gjithë botën, për të gjithë krijimin, siç na e ka mësuar qartësisht Papa Françesku".
Radio Vatikani për shqiptarët, dje e sot
Kujtimi mirënjohës i Papës Prevost, shtegtar nëpër viset e përhumbura të botës, për rolin e Radio Vatikanit ndër vite, na sjell ndër mend edhe ne, shqiptarëve, kujtimin e pranisë së RV-së në viset e Shqipërisë, të sunduara nga komunizmi, armik i betuar i Papës dhe i Radios së tij.
Ndërsa sundimtarët e kuq e quanin armike, për të krishterët Radio Vatikani ishte gurrë shprese, që u fliste në emër të Zotit e u kujtonte se një ditë do të mund ta dëgjonin rishtas, lirisht, zërin e Zotit! Një ditë, e cila tani quhet “Sot”.