Papa: polifonia, nj? form? muzikore plot kuptim p?r jet?n e krishter?
R.SH. – Vatikan
Polifonia, stili kompozicional që parashikon bashkësinë e njëkohshme të më shumë zërave, “është një formë muzikore e ngarkuar me kuptim, për lutjen dhe për jetën e krishterë”. Këtë e theksoi Leoni XIV në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të ngjarjes, së promovuar nga Fondacioni ‘Domenico Bartolucci’, në 500-vjetorin e lindjes së Giovanni Pierluigi da Palestrina, kompozitor i madh i muzikës së shenjtë polifonike të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, drejtor i institucioneve si Kapela Muzikore Papnore “Sistina”, Kapela Pia Lateranense dhe Kapela Liberiana.
Në fjalën e tij mbajtur mbrëmë, më 18 qershor, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, në Vatikan, Papa theksoi rëndësinë e polifonisë si formë muzikore për të sjellë tekstet liturgjike në zemrat e besimtarëve dhe kujtoi figurën dhe veprat e Palestrinës.
"Pasi dëgjuam këto zëra engjëllorë, do të ishte pothuajse më mirë të mos flisnim dhe të mbeteshim me këtë përvojë të bukur", tha me shaka Papa, pasi dëgjoi korin e Fondacionit të këndonte Missa Papae Marcelli të Palestrinës. Ngjarja e organizuar nga Fondacioni ‘Domenico Bartolucci’ parashikoi një koncert më 15 qershor dhe një emetim zyrtar filatelik në bashkëpunim me Postat e Vatikanit, shoqëruar me një CD, kopja e parë e së cilës iu dhurua Papës nga presidenti i nderit i organizatës, kardinali Dominique Mamberti.
Polifonia, unitet në diversitet
Polifonia propozon "të veshë me melodi të përshtatshme" "Tekstin e shenjtë" në mënyrë që ai të arrijë "më mirë inteligjencën e besimtarëve", thekson Papa Prevost. Këtë e bën "duke ua besuar fjalët shumë zërave, të cilët i përsërisin ato secili në mënyrën e vet dhe origjinale, me lëvizje melodike dhe harmonike të ndryshme dhe plotësuese". E gjithë kjo harmonizohet më pas "falë aftësisë me të cilën kompozitori zhvillon dhe ndërthur meloditë - shpjegon Ati i Shenjtë - në respekt të rregullave të kontrapunktit, duke i bërë jehonë të njëra-tjetrës, ndonjëherë duke krijuar edhe disonanca, të cilat më pas gjejnë zgjidhje në akorde të reja". Për Leonin XIV, dëgjimi i kësaj muzike na ndihmon të hyjmë në marrëdhënie me Zotin. Efekti i këtij uniteti dinamik në diversitet – metaforë e rrugëtimit tonë të përbashkët të fesë nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt – është të ndihmojë dëgjuesin të hyjë me thellësi gjithnjë e më të madhe në misterin e shprehur nga fjalët, duke iu përgjigjur, kur është e përshtatshme, me responsorë ose në alternatim..
Kontributi i Giovanni Pierluigi da Palestrina
Papa nënvizoi se "falë kësaj pasurie të formës dhe përmbajtjes", tradita polifonike romake - e zhvilluar nga shekulli XVI deri në shekullin XVII dhe e lidhur ngushtë me figurën e Palestrinës - ka "lënë një trashëgimi të pafundme arti dhe spiritualiteti". Ajo vazhdon të jetë sot "në fushën muzikore, një pikë referimi për t'u parë, megjithë përshtatjet e duhura, në kompozimin e shenjtë dhe liturgjik" për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të besimtarëve "me përfshirje të thellë të zërit, të mendjes dhe të zemrës". Papa thekson se Missa Papae Marcelli e Palestrinës është "një shembull par excellence" në llojin e saj. Për Leonin XIV "në historinë e Kishës" ky kompozitor është një nga ata "që kanë kontribuar më shumë në promovimin e muzikës së shenjtë, për 'lavdinë e Zotit dhe shenjtërimin e besimtarëve' në kontekstin delikat, dhe në të njëjtën kohë emocionues, të Kundër-Reformës"..
Kompozimet e tij, solemne dhe rigoroze, të frymëzuara nga kënga gregoriane, bashkojnë ngushtësisht muzikën dhe liturgjinë, 'duke i dhënë lutjes një shprehje më të ëmbël dhe duke favorizuar unanimitetin, si dhe duke pasuruar me solemnitet më të madh ritet e shenjta'.
Papa Leoni XIV kujton gjithashtu kompozimet dhe kontributin në muzikën e shenjtë të kardinalit Domenico Bartolucci, "kompozitor i shquar dhe për gati pesëdhjetë vjet drejtor i Kapelës Muzikore Papnore 'Sistina'", i cili vdiq në vitin 2013 dhe nga i cili merr emrin edhe Fondacioni.