Papa p?rsh?ndet ?iklist?t e Giro d'Italia, q? kalojn? n?p?r Vatikan
R.SH. / Vatikan
Një nga fotografitë më të famshme në historinë e çiklizmit përjetëson Fausto Coppi-n dhe Gino Bartali-n, kampionë dhe rivalë, në aktin e kalimit të një mence. Ky gjest, kaq i thjeshtë, është bërë ikonë e një njerëzimi që di ta njohë veten edhe në garë: një pakt i heshtur ndërmjet profesionistëve. Këta padyshim nuk janë rivalë, por një jehonë e asaj vëllazërie mund të ndihet sot, të dielën, 1 qershor, rreth orës 15:30, në zemër të Vatikanit, kur Papa Leoni XIV do të përshëndesë kalimin e çiklistëve të Giro d'Italia, duke i mirëpritur si shtegtarë të lodhjes dhe të bukurisë. Një "kalim i stafetës", mund të thotë dikush, për një iniciativë të mirëpritur fillimisht nga Papa Françesku, me propozimin e Kardinalit José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturë dhe Arsim, dhe të kryer në përkim me Guvernatoratin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Athletica Vaticana.
Përshëndetja e Papës
Takimi i pritur kalon nëpër Piazzale Petriano: ndërmjet çiklistëve dhe Papës. Ritmi është i qetë, rruga pa shqetësimin e konkurrencës. Asnjë sprint, asnjë ndjekje: një garë e kundërt, në të cilën fituesi është ai që arrin të ngadalësojë, pothuajse të ndalet, të takojë shikimin dhe gjestin e bekimit të Leonit. Papa i shoqëron në mënyrë ideale, me buzëqeshje dhe shenja kryqi, duke i nxitur me forcën e heshtur të pranisë së tij.
Etapat e itinerarit në Vatikan
Etapa e fundit e edicionit të 108-të të Giro-s nuk është thjesht sport: është një shtegtim mbi dy rrota. Më shumë sesa në garë, është simbol. Këtë vit, vit i Jubileut, i kushtohet Papës Françesku e vazhdon të mbledhë mijëra besimtarë - edhe çiklistë - nga e gjithë bota. Itinerari në Vatikan përbëhet nga tre kilometra përshkuar ndërmjet historisë dhe heshtjes, gurit dhe frymëmarrjes, duke anashkaluar Bazilikën e Shën Pjetrit dhe sakristinë e saj, pastaj duke u ngjitur butësisht drejt Kopshteve të Vatikanit, në një itinerar që kalon përpara kishës së Shën Shtjefnit të Abissinëve, stacionit të trenit dhe zonës së Pallatit të Governatoratit. Që atje, edhe më lart. Pedalet prekin vende paqeje dhe kujtese: manastirin Mater Ecclesiae, Shpellën e Zojës sonë të Lurdës, Kullën e Shën Gjonit dhe heliportin. Më pas, duke ndjekur “rrugën mariane”, përkëdhelin muret e Vatikanit: një shtegtim shpirtëror përmes pamjeve të Nënës së Zotit, të nderuar si Pajtore në skaje të ndryshme të planetit.
Mozaiku i Nënës së Këshillit të Mirë, i lidhur me traditën augustiniane aq të dashur për Leonin XIV, e përuron atë. Udhëtimi vazhdon drejt Giardino Quadrato dhe Muzeve të Vatikanit, ku një rrugë kushtuar sportit kujton garat e themeluara nga Papa Piu X në agim të shekullit të njëzetë. Çiklistët më pas vijojnë përgjatë Via delle Fondamenta - nën hijen solemne të Kapelës Sikstine dhe, pasi prekin apsidën e Shën Pjetrit, arrijnë në sheshin e Shën Martës, prej ku largohen nga Vatikani për fillimin zyrtar të etapës. Lidhja e Papëve me çiklizmin
Lidhja e Papës Leoni XIV dhe sportit është zbuluar tashmë në pamje domethënëse: kujtojmë takimin me kampionin Jannik Sinner dhe ekipin e Napolit, fitues të kampionatit të futbollit të Serie A. Por historia e çiklizmin dredh fije më të vjetra. Që nga 26 qershori 1946, kur Papa Piu XII mirëpriti çiklistët e Giro d'Italia, në Cortile di San Damaso, përpara fillimit të etapës së nëntë Romë-Perugia (191 km), ky sport gjeti një shtëpi në Vatikan. Pastaj, çuditërisht, ishte Gino Bartali ai që triumfoi. Edhe nga Piu XII deri te Pali VI, duke kaluar nëpër Gjon Palin II, shumë ishin Papët që u kryqëzuan me Giro në rrugët e besimit dhe të shpresës. Gjithashtu ia vlen të kujtohen fjalët e Patriarkut të Venedikut, Albino Luciani, i cili më 20 maj 1972 - gjashtë vjet para se të bëhej Papë me emrin Gjon Pali I – pati kujtuar:
"Nëse i gjithë sporti është njerëzor, për ne italianët Giro d'Italia është shumë njerëzor".