Papa n? Rr?shaj?: Shpirti Shenjt thyen zinxhir?t e brendsh?m dhe na shnd?rron
R.SH. - Vatikan
Vëllezër dhe Motra,
“Agoi për ne dita, në të cilën […] Zoti Jezu Krisht, i lumnuar me ngjitjen e tij në qiell pas ringjalljes, dërgoi Shpirtin Shenjt” (SHËN AUGUSTINI, Predikimi 271, 1). E edhe ringjallet çka ndodhi në Çenakull: si erë e furishme që na tund, si gjëmim që na zgjon e si një zjarr që na ndriçon, dhurata e Shpirtit Shenjt zbret mbi ne (krh. Veprat 2:1-11).
Këto, fjalët e para të homelisë predikuar nga Papa gjatë Meshës në Solemnitetin e Rrëshajëve.
Si e dëgjuam në Leximin e parë - vijoi Ati i Shenjtë - Shpirti krijon diçka të jashtëzakonshme në jetën e Apostujve. Pas vdekjes së Jezusit, ata qenë mbyllur në frikë e në trishtim, por tani fitojnë, më në fund, shikimin e ri dhe mençurinë e zemrës, që i ndihmon t’i interpretojnë ngjarjet e ndodhura dhe të kenë përvojën intime të pranisë së të Ngjallurit:
“Shpirti Shenjt ua mposht frikën, ua këputë zinxhirët e shpirtit, ua shëron plagët, i vajos me forcë dhe u jep guximin të dalin në mes të të gjithëve, për t’i shpallur veprat e Zotit”.
Shpirti Shenjt i hap kufijtë
Fragmenti nga Veprat e Apostujve - vijoi Papa - na tregon se në Jeruzalem, në atë kohë, kishte një mori ardhanikësh të ndryshëm, e megjithatë, "secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet" (v. 6).
“Pra, ndër Rrëshajë, dyert e Çenakullit hapen sepse Shpirti Shenjt hap kufijtë. Siç pohon Benedikti XVI: “Shpirti Shenjt të pajisë me kuptim. E kapërcen përçarjen filluar në Babel - konfuzionin e zemrave, që na vë kundër njëri-tjetrit - dhe hap kufijtë. […] Kisha duhet të bëhet gjithmonë nga e para, çka është tani: duhet t’i hapë kufijtë ndërmjet popujve dhe të shembë barrierat ndërmjet klasave dhe rracave. Në të nuk mund të ketë as të harruar, as të përbuzur. Në Kishë ka vetëm vëllezër dhe motra të lira të Jezu Krishtit” (Homelia e Rrëshajëve, 15 maj 2005)”.
Shpirti i Zotit na mëson ta rizbulojmë jetën
Ja një figurë kuptimplote e Rrëshajëve, mbi të cilën dëshiroj të mendoj bashkë me ju - shpjegoi në vijim Papa - që përshkroi sakaq një pamje sa tronditëse, aq edhe të shumëpritur:
“Shpirti i hap kufijtë para së gjithash brenda nesh. Është dhurata, që ia hap jetën tonë dashurisë. E kjo prani e Zotit shkrin akullnajën tonë, mbylljet tona, egoizmin tonë, frikën që na bllokon, narcizizmat që na bëjnë të rrotullohemi vetëm rreth vetes. Shpirti Shenjt vjen për të sfiduar, brenda nesh, rrezikun e një jete që atrofizohet, e zhytur në individualizëm”.
Është e trishtueshme - vijoi Papa - të vëzhgosh se si në një botë ku mundësitë për t'u shoqëruar shumohen, rrezikojmë të jemi paradoksalisht edhe më të vetmuar, gjithmonë të lidhur, e megjithatë, të paaftë për të "krijuar rrjete"; gjithmonë të zhytur në turmë, por duke mbetur të çorientuar dhe udhëtarë vetmitarë.
Shpirti Shenjt hap kufijtë drejt takimit me Zotin
Po Shpirti i Zotit na bën të zbulojmë një mënyrë të re për ta parë dhe për ta jetuar jetën: na hap rrugën për takimin me veten, përtej maskave që mbajmë;
“...na çon në takimin me Zotin, duke na mësuar të jetojmë gëzimin e tij; na bind - sipas të njëjtave fjalë të Jezusit që sapo i shpalli - se vetëm nëse mbetemi në dashuri, marrim edhe forcën për ta zbatuar Fjalën e tij dhe për këtë arsye për t'u shndërruar prej saj. Ai hap kufijtë brenda nesh, në mënyrë që jeta jonë të bëhet hapësirë ??mikpritëse. Shpirti Shenjtë hap edhe kufijtë në marrëdhëniet tona”.
Dashuria ndërmjet Birit e Atit vjen të banojë ndër ne
Jezusi thotë se kjo Dhuratë është dashuria ndërmjet Tij dhe Atit, e cila vjen të banojë ndër ne – vijon Papa – që në vijim të homelisë shpjegoi:
E kur dashuria e Zotit banon në ne, ne bëhemi të aftë t’ua hapim zemrën vëllezërve tanë, të shkrijmë ngurtësinë tonë, të kapërcejmë frikën nga ata që janë të ndryshëm, të edukojmë pasionet që ngjallen brenda nesh. Shpirti Shenjtë i shndërron edhe rreziqet më të fshehura që i ndotin marrëdhëniet tona, siç janë keqkuptimet, paragjykimet, shfrytëzimi.
Dëshira për sundim çon në dhunë, Shpirti Shenjt krijon gëzimin e vëllazërisë
Mendoj gjithashtu, e me dhimbje të madhe - vijoi homelinë Papa - marrëdhëniet e mbushura me dëshirën për ta sunduar tjetrin, qëndrim që shpesh çon në dhunë, siç e dëshmojnë, për fat të keq, rastet e shumta dhe të fundit të vrasjeve të grave.
Por - kujtoi në vijim - Shpirti Shenjt, në vend të kësaj, na bën të piqen frytet që na ndihmojnë të jetojmë marrëdhënie të vërteta dhe të mira: “Dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirësia, besnikëria, butësia, vetëkontrolli” (Gal 5:22):
Në këtë mënyrë, Shpirti Shenjt zgjeron kufijtë e marrëdhënieve tona me të tjerët dhe na krijon gëzimin e vëllazërisë. E ky është një kriter vendimtar edhe për Kishën:
“... ne jemi vërtet Kisha e të Ngjallurit dhe dishepujt e Rrëshajëve vetëm nëse ndërmjet nesh nuk ka kufij ose përçarje, nëse në Kishë dimë të dialogojmë dhe të mirëpresim njëri-tjetrin duke i pranuar ndryshimet tona, nëse si Kishë bëhemi hapësirë ??mikpritëse për të gjithë”.
T’i lutemi Shpirtit Shenjt t’i hapë edhe kufijtë ndërmjet popujve
Së fundmi - kujtoi Papa - Shpirti hap edhe kufijtë ndërmjet popujve. Gjatë Rrëshajëve Apostujt flasin gjuhët e atyre që hasin dhe kaosi i Babelit qetësohet më në fund prej harmonisë së krijuar nga Shpirti.
Dallimet, kur Shpirti hyjnor bashkon zemrat tona dhe na bën të shohim në njëri-tjetrin fytyrën e një vëllai, nuk bëhen rast për ndarje dhe konflikt, por trashëgimi e përbashkët nga e cila të gjithë mund të përfitojmë, e që na nis të gjithëve për udhë, së bashku, në vëllazëri.
Shpirti shkatërron kufijtë dhe rrëzon muret e indiferencës e të urrejtjes, sepse "na mëson gjithçka" e "na kujton fjalët e Jezusit" (krh. Gjn 14,26); dhe, prandaj, para së gjithash, ai na mëson, na kujton dhe na gdhend në zemrat tona urdhërimin e dashurisë, të cilin Zoti e ka vendosur në qendër dhe në majë të gjithçkaje. Aty ku ka dashuri, nuk ka vend për paragjykime, për distanca sigurie që na largojnë nga fqinjët tanë, për logjikën e përjashtimit që për fat të keq e shohim të duket edhe në nacionalizmat politike.
Pikërisht duke kremtuar Rrëshajët, Papa Françesku pati vërejtur se ‘sot në botë ka kaq shumë mosmarrëveshje, kaq shumë përçarje. Jemi të gjithë të lidhur, e megjithatë na duket vetja të shkëputur nga njëri-tjetri, të anestezuar nga indiferenca dhe të shtypur nga vetmia" (Homelia, 28 maj 2023). Edhe luftërat, që trondisin planetin tonë, janë shenjë tragjike e gjithë kësaj. Le ta thërrasim Shpirtin e dashurisë dhe të paqes, që t’i hapë kufijtë, të rrëzojë muret, të shpërndajë urrejtjen dhe të na ndihmojë të jetojmë si bij të të vetmit Atë që është në qiell.
Na ndihmoftë Shpirti i Zotit për të ndërtuar një botë ku mbretëron paqja
Vëllezër dhe motra - nënvizoi në përfundim të homelisë Papa - Rrëshajët e përtërijnë Kishën dhe botën! Le të fryjë era e fortë e Shpirtit mbi ne dhe në ne, të na i hapë kufijtë e zemrës, të na japë hirin e takimit me Zotin, të zgjerojë horizontet e dashurisë dhe të mbështesë përpjekjet tona për të ndërtuar një botë ku mbretëron paqja”.
Në përfundim të homelisë, lutja Zojës:
Maria e Shenjtnueshme, Gruaja e Rrëshajëve, Virgjëra e vizituar nga Shpirti, Nëna plot hir, na shoqëroftë dhe ndërmjetësoftë për ne.