杏MAP导航

K?rko

Papa, familja e bashkuar mund t? jet? shenj? paqeje

Fest? e madhe sot, n? Vatikan: kremtohet Jubileu i Familjeve: i F?mij?ve, Gjysh?rve dhe t? Moshuarve

R.SH. / Vatikan

Janë familjet që sigurojnë "të ardhmen e popujve", sepse ato mund të jenë "shenjë paqeje për të gjithë, në shoqëri dhe në botë". Me këto fjalë, Papa Leoni XIV përshëndeti familjet, prindërit, fëmijët, gjyshërit dhe të moshuarit, 70 mijë vetë të cilët, që nga orët e para të mëngjesit, e pritën në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Breza të ndryshëm, të cilët erdhën nga mbarë bota për të jetuar në unitet Jubileun që u kushtohej.

Familjeve Papa Prevost u besoi mandatin e çmuar të Ungjillit të sotëm nga Luka (Lk 24, 46-53): të jetojnë në “bashkim universal”, nëpërmjet të cilit të arrijnë një bashkim të themeluar mbi dashurinë. Një bashkim që Papa Leoni e shpreh në përqafimin e besimtarëve gjatë xhiros së tij në shesh me papamobilin, kur bekon, përkëdhel dhe puth fëmijët, që ia zgjasin prindërit. Të gjithë e “marrin jetën përpara se ta dëshirojnë”, thotë Papa, dhe ata, më të vegjlit, kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve, sepse askush nuk mund të jetojë vetëm, e sepse jetojmë “falë një marrëdhënieje, domethënë një lidhjeje të lirë dhe çliruese të njerëzimit dhe kujdesit të ndërsjellë”.

Ungjilli i sapo shpallur i festës së sotme të Të Shelbuemit - vijoi Papa - na tregon Jezusin që, në Darkën e Mbrame, lutet për ne (shih Gjoni 17,20): Fjala e Zotit, bërë njeri, tashmë pranë fundit të jetës tokësore, mendon për ne, për vëllezërit e tij, duke u bërë bekim, lutje e lavdërim për Atin, me forcën e Shpirtit Shenjt. E edhe ne, ndërsa hyjmë, plot habi e besim në lutjen e Jezusit, përfshihemi nga dashuria e tij në një projekt të madh, që ka të bëjë me të gjithë njerëzimin:

Krishti kërkon që të gjithë të jemi "një" (vargu 21). Kjo është e mira më e madhe që mund të dëshirohet, sepse ky bashkim universal realizon ndërmjet krijesave bashkimin e përjetshëm të dashurisë, në të cilin vetë Zoti identifikohet, si Ati që jep jetë, Biri që e merr atë dhe Shpirti që e ndan.

Uniteti i Jezusit, bashkim i themeluar mbi dashurinë

Zoti nuk do që ne, për t’u bashkuar, të mblidhemi në një masë të paqartë, si bllok anonim, por do që ne të jemi një: “Ashtu si ti, o Atë, je në mua e unë në ty, edhe ata qofshin një në ne” (v. 21).

Uniteti për të cilin lutet Jezusi është kështu bashkësi e themeluar mbi të njëjtën dashuri me të cilën na do Zoti, e nga e cila jeta dhe shpëtimi vijnë në botë. Dhe si i tillë është para së gjithash dhuratë, të cilën Jezusi vjen ta sjellë.

Nga zemra e tij njerëzore, Biri i Zotit i drejtohet Atit e i thotë: “Unë në ta e ti në mua, që ata të përsosen në unitet dhe që bota të dijë se ti më dërgove dhe i deshe ata, ashtu siç më do mua” (v. 23).

Zoti na do ashtu si do vetveten

T’i dëgjojmë me admirim këto fjalë - kujtoi në vijim Papa Leoni XIV - Jezusi na zbulon se Zoti na do, ashtu siç do veten. Ati nuk na do më pak sesa do Birin e tij të Njëlindur Jezus, domethënë pafundësisht. Zoti nuk do më pak, sepse ai do i pari, ai do i pari! Vetë Krishti dëshmon për këtë kur i thotë Atit: “Ti më deshe para krijimit të botës” (vargu 24). Dhe është pikërisht kështu: në mëshirën e tij, Zoti gjithmonë ka dashur t’i përqafojë të gjithë njerëzit, dhe është jeta e tij, e dhuruar për ne në Krishtin, që na bën një, që na bashkon ndërmjet nesh:

Dëgjimi i këtij Ungjilli sot, gjatë Jubileut të Familjeve dhe të Fëmijëve, të Gjyshërve dhe të Moshuarve, na mbush me gëzim.

Jetojmë sepse Dikush na shpëton

Këtë gëzim e kujtoi Papa, duke shpjeguar më pas se e morëm jetën përpara se ta donim. Siç na mësoi Papa Françesku, “të gjithë njerëzit janë fëmijë, por asnjëri prej nesh nuk zgjodhi të lindte” (Engjëlli, 1 Janar 2025). Jo vetëm kaq:

 Sapo lindëm, kishim nevojë për të tjerë për të jetuar, nuk mund ta bënim vetëm: dikush tjetër na shpëtoi, duke u kujdesur për ne, për trupin tonë, si dhe për shpirtin tonë. Ne të gjithë jetojmë, pra, falë një marrëdhënieje, domethënë, një lidhjeje të lirë dhe çliruese të njerëzimit dhe kujdesit të ndërsjellë.

Nëse duhemi mbi themelin e Krishtit, jemi shenjë paqeje për të gjithë

Njerëzimi nuk shpëton nga tradhtia. Tradhtohet sa herë që liria thirret jo për të dhënë jetë, por për ta marrë atë; jo për të ndihmuar, por për të fyer. Megjithatë, edhe përballë së keqes, që kundërshton dhe vret, Jezusi vazhdon t'i lutet Atit për ne, dhe lutja e tij vepron si balsam mbi plagët tona, duke u bërë për të gjithë gurrë faljeje dhe pajtimi.

Kjo lutje e Zotit u jep kuptim të plotë çasteve të ndritshme të dashurisë sonë për njëri-tjetrin, si prindër, gjyshër, bij dhe bija. Dhe pikërisht këtë duam t'ia shpallim botës: jemi këtu për të qenë "një" si dëshiron Zoti që të jemi në familjet tona dhe aty ku jetojmë, punojmë dhe studiojmë: të ndryshëm, por një, shumë, por një, gjithmonë, në çdo rrethanë dhe në çdo moshë të jetës:

 Të dashur, nëse e duam njëri-tjetrin kështu, mbi themelin e Krishtit, i cili është ‘Alfa dhe Omega’, ‘fillimi dhe fundi’ (krh. Zb 22,13), do të jemi  shenjë paqeje për të gjithë, në shoqëri dhe në botë. Dhe të mos harrojmë: e ardhmja e popujve gurron nga familjet.

Një shenjë që jep gëzim, por që na bën edhe të reflektojmë

Në dekadat e fundit - kujtoi në vijim Papa Leoni XIV - morëm një shenjë që jep gëzim e, në të njëjtën kohë, na bën edhe të reflektojmë: Po kujtoj se bashkëshortët janë shpallur të Lumtur dhe Shenjtorë, e jo veçmas, por së bashku, si çifte të martuara. Po mendoj për Louis dhe Zélie Martin, prindërit e Shën Terezës  së Krishtit Fëmijë; si dhe për të Lumët Luigi dhe Maria Beltrame Quattrocchi, jeta familjare e të cilëve u jetua në Romë, në shekullin e kaluar. E të mos harrojmë familjen polake Ulma: prindër dhe fëmijë të bashkuar në dashuri e në martirizim. Po thoja se kjo është një shenjë që na bën të mendojmë.

Po, duke i paraqitur bashkëshortët si dëshmitarë shembullorë, Kisha na tregon se bota e sotme ka nevojë për aleancën bashkëshortore për të njohur dhe për  të mirëpritur dashurinë e Zotit dhe për të kapërcyer, me forcën e saj bashkuese dhe pajtuese, forcat që shpërbëjnë marrëdhëniet dhe shoqëritë.

Për këtë arsye, me zemër plot mirënjohje dhe shpresë, ju them juve bashkëshortëve:

 …martesa nuk është ideali, por kanuni i dashurisë së vërtetë ndërmjet burrit dhe gruas: dashuri e plotë, besnike, e frytshme (krh. SHËN PALI VI, Letra Enc. Humanae vitae, 9). Ndërsa ju shndërron në një korp të vetëm, kjo dashuri, sipas shëmbëlltyrës së Zotit, ju bën të aftë të dhuroni jetë.

Shembuj për njëri-tjetrin

Në vijim Papa Leoni XIV i  inkurajoi të pranishmit të jenë shembuj qëndrueshmërie për fëmijët e tyre, duke u sjellë ashtu siç dëshirojnë që ata të sillen, duke i edukuar drejt lirisë përmes bindjes, duke kërkuar gjithmonë tek ata të mirën dhe mjetet për ta rritur atë.

Më pas kujtoi edhe fëmijët, të cilët i porositi të jenë mirënjohës ndaj prindërve:

…të thuash "faleminderit" për dhuratën e jetës dhe për gjithçka që na jepet çdo ditë me të, është mënyra e parë për të nderuar babanë dhe nënën tuaj (shih Eksodi 20:12).

Së fundmi, Papa Leoni XIV nuk i harroi as  gjyshërit dhe të moshuarit e dashur. I këshilloi të kujdesen për ata që i duan me mençuri dhe dhembshuri, me përvujtërinë dhe durimin që na mësojnë vitet. Në familje, besimi transmetohet së bashku me jetën, brez pas brezi: ndahet si ushqimi i tryezës dhe dashuria e zemrës. Kjo e bën atë një vend të privilegjuar për të takuar Jezusin, i cili na do dhe dëshiron të mirën tonë, gjithmonë. Dhe do të doja të shtoja edhe diçka të fundit - kujtoi Papa.

Lutja e Birit të Zotit, e cila na jep shpresë gjatë rrugës, na kujton se një ditë të gjithë do të jemi një unum (krh. SHËN AUGUSTINI, Sermo super Ps. 127): një, në një Shpëtimtar, të përqafuar nga dashuria e përjetshme e Zotit.

E jo vetëm ne, por edhe baballarët e nënat, gjyshet e gjyshërit, vëllezërit, motrat e bijtë që na paraprinë në dritën e Pashkëve të Tij të amshuara, të cilët i ndiejmë të pranishëm këtu, së bashku me ne, në këtë çast festimi!

01 qershor 2025, 13:08