杏MAP导航

K?rko

2025.06.12 Clero della Diocesi di Roma

Papa, meshtar?ve t? Rom?s: “Mos ikni para sfidave, t? jeni shembullor?”

Duke pritur n? audienc? klerin e dioqez?s s? Rom?s, Leoni XIV i fton meshtar?t t? ecin s? bashku, t? rizbulojn? thirrjen e tyre n? k?t? epok? me dhun?, karakterizuar, n? territorin e Rom?s, nga varf?ria dhe emergjenca e strehimit. “Meshtari duhet t? jet? njeri i bashkimit”, d?shmitar i “nj? jete t? p?rvuajtur”, i aft? ta b?j? t? dukshme “forc?n rip?rt?rit?se t? Ungjillit”

R.SH. – Vatikan

         Ipeshkvi i Romës takoi sot në Vatikan dioqezën e tij, meshtarët dhe seminaristët, të cilët i quajti “thesar i çmuar”, duke kërkuar “një duartrokitje të fuqishme” e duke u shprehur dëshirën për “t'i njohur nga afër e për të ecur së bashku”. Papa Leoni XIV, i cili më 25 maj hyri si Ipeshkëv i Romës në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u foli të pranishmëve me “zemrën e atit dhe të bariut”.

“Të impenjohemi të gjithë për të qenë meshtarë të besueshëm dhe shembullorë! Jemi të vetëdijshëm për kufizimet e natyrës sonë e Zoti na njeh thellë; por, kemi marrë një hir të jashtëzakonshëm, na është besuar një thesar i çmuar për të cilin jemi mbarështues, shërbëtorë. E shërbëtorit i kërkohet besnikëri”.

  (@Vatican Media)

Të çmuar në sytë e Zotit

Papa Leoni XIV i falënderoi meshtarët për shërbimin e tyre bujar, që nganjëherë bëhet në heshtje, shoqëruar me vuajtje e keqkuptime. Por, “të gjithë jeni të çmuar në sytë e Zotit”, u theksoi atyre, duke i ftuar të ecin së bashku në këtë dioqezë të veçantë, siç është Roma, ku kleri përbëhet nga njerëz, që vijnë nga vende të ndryshme të botës, shpesh, për të studiuar. Prandaj, uniteti e bashkimi ishin në qendër të fjalëve të Atit të Shenjtë.

“Meshtari është i thirrur të jetë njeri i bashkimit, sepse është i pari, që e jeton atë dhe e ushqen vazhdimisht. E dimë se ky bashkim sot pengohet nga një atmosferë kulturore, që favorizon izolimin, ose vetëreferimin. Askush prej nesh nuk përjashtohet nga këto gracka, që kërcënojnë qëndrueshmërinë e jetës sonë shpirtërore dhe forcën e shërbesës sonë”.

Thirrje të ndryshme e besnikëri ndaj Ungjillit

         Papa vuri në dukje se, nganjëherë, meshtarët ndihen të lodhur, pasi jo gjithnjë kuptohen. “Unë dua t’ju ndihmoj – u tha Leoni XIV – dua të eci bashkë me ju”, në mënyrë që secili të rigjejë qetësinë në misionin e tij. Por nuk mjafton. Ati i Shenjtë u kërkoi të rigjejnë atë vëllazërim meshtarak, që i ka rrënjët në jetën shpirtërore, në takimin me Zotin e në dëgjimin e Fjalës së Tij. Duhet të jeni shembull për botën: ky, shqetësimi i Papës.

         “Lëreni veten të tërhiqeni sërish nga thirrja e Mësuesit hyjnor, për ta ndjerë dhe për ta jetuar dashurinë e orës së parë, atë që ju shtyu të merrni vendime të fuqishme dhe të bëni sakrifica të guximshme. Nëse, së bashku, përpiqemi të jemi shembullorë brenda një jete të përvuajtur, atëherë do të jemi në gjendje ta shprehim fuqinë ripërtëritëse të Ungjillit për çdo burrë dhe çdo grua”.

  (@Vatican Media)

Roma ndërmjet bukurisë, varfërisë dhe emergjencës së strehimit

Ati i Shenjtë vuri në dukje se në Romë, krahas bukurisë e artit, ka edhe shumë “pabarazi, varfëri, forma të përjashtimit shoqëror e vuajtje”,  përfshirë “emergjenca serioze si strehimi". U bëri thirrje meshtarëve të mos ikin para këtyre sfidave. E kujtoi drejtorin e dikurshëm të Karitasit dioqezan, i cili është i mirënjohur edhe për shqiptarët, pasi kontribuoi në ngritjen e Karitasit të Tiranës e realizoi binjakëzimin e tij me atë të Romës.

“Këtu në Romë patëm don Luigi Di Liegro-n, i cili, para kaq shumë varfërive, ia kushtoi jetën kërkimit të rrugëve të drejtësisë dhe të promovimit njerëzor. Të mbështetemi në forcën e këtyre shembujve për të vazhduar të mbjellim fara shenjtërie në qytetin tonë”.

Reina: një dioqezë besnike ndaj Papës

Në përshëndetjen e tij, vikari i përgjithshëm i dioqezës së Romës, kardinali Baldo Reina, kryeprift i Bazilikës papnore të Shën Gjonit në Lateran, paraqiti klerin romak të përbërë nga 809 meshtarë dhe 149 diakonë të përhershëm, por nëse shtohen edhe meshtarët nga dioqezat e tjera, të pranishëm në kryeqytetin italian, numri i përgjithshëm arrin në 8020. Dioqeza ka 333 famulli. Kardinali Reina nënvizoi se nuk mungojnë vështirësitë, pasi edhe meshtarët "nuk përjashtohen nga kushtëzimi kulturor i kësaj kohe të ndërlikuar”, por e rëndësishme është që ata reflektojnë së bashku si të reagojnë para presioneve të shumta të botës. Së fundi, kardinali theksoi respektin dhe dashurinë për Atin e Shenjtë, si edhe gatishmërinë “për të qenë bashkëpunëtorë të tij të bindur në shërbimin baritor”.

  (@Vatican Media)
12 qershor 2025, 10:52