Papa: martesa ?sht? dashuri e v?rtet? mes burrit dhe gruas
R.SH. / Vatikan
"Martesa nuk është një ideal, por kanuni i dashurisë së vërtetë midis burrit dhe gruas: dashuri e plotë, besnike, e frytshme". Papa Leoni XIV e ripohoi këtë në homelinë e Meshës së djeshme kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit me rastin e Jubileut të familjeve, fëmijëve, gjyshërve dhe të moshuarve. Papa Prevost i nxiti rreth 70,000 të pranishmit të mos harrojnë se "e ardhmja e popujve varet nga familjet" sepse ato mund të jenë "shenjë paqeje për të gjithë, në shoqëri dhe në botë".
Kisha na tregon se bota e sotme ka nevojë për aleancën bashkëshortore, për ta njohur dhe për ta mirëpritur dashurinë e Zotit dhe për t’i kapërcyer, me forcën e saj bashkuese dhe pajtuese, forcat që shpërbëjnë marrëdhëniet dhe shoqëritë.
Të gjithë, vërejti Papa Leoni, "e morën jetën para se ta dëshironin", e ata, më të vegjlit kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve, mbasi askush nuk mund ta bëjë vetëm, sepse ne jetojmë "falë një marrëdhënieje, domethënë lidhjes së lirë dhe çliruese të njerëzimit dhe kujdesit të ndërsjellë". "Ndonjëherë ky njerëzim tradhtohet" - shtoi menjëherë pas. Kjo, për shembull, ndodh "sa herë që liria thirret jo për ta dhuruar jetën, por për ta marrë atë, jo për ta ndihmuar, por për ta fyer".
Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore mendimet e Papës shkuan tek familjet që kalojnë çaste të vështira si dhe tek ato që vuajnë nga shkaku i luftës në Lindjen e Mesme, në Ukrainë e në vise të tjera të botës. Në vijim Leoni XIV iu lut Marisë Virgjër t’i mbështesë familjet dhe "të na ndihmojë të ecim së bashku në rrugën e paqes".
Pas Meshës, Papa Prevost shkoi për drekë tek Etërit Augustinianë, një hedhje guri nga kolonada e Shën Pjetrit, për të festuar 70-vjetorin e lindjes së meshtarit dhe mikut të tij, Atë Alejandro Moral. "Ishte gjë e mirë të festonim së bashku" - u tha më vonë Ati Moral gazetarëve, duke kujtuar edhe shakatë e Papës Prevost: "Më tha se është më i ri se unë, e më porositi edhe të jem i kujdesshëm" (Papa do të mbushë 70 vjeç më 14 shtator, red.).
"Unë ende po mësoj", tha Papa Leoni më vonë, duke theksuar se "ka shumë aktivitete, shumë takime" dhe "nuk është e lehtë" t’i organizojë gjërat.
Në orët e para të pasdites, më në fund, Papa deshi të përshëndeste çiklistët e Giro d'Italia që përshkuan fazën e fundit (rreth 3 kilometra) brenda Mureve Leonine. Në fjalimin e tij të hapur, në italisht dhe anglisht, Papa Leoni XIV u kujtoi çiklistëve se janë "model për të gjithë të rinjtë në botë", duke i nxitur të "kujdesen për trupin e tyre", por " pa e harruar kurrë shpirtin". "Jini gjithmonë të vëmendshëm ndaj të gjithë qenies njerëzore: trupit, mendjes, zemrës, shpirtit"- i porositi përsëri.