Floribert Bwana Chui, postulatori: nj? jet? e shkrir? p?r t? mundur err?sir?n e s? keqes
R.SH. / Vatikan
“Martir afrikan”, “njeri i paqes” në troje të shkatërruara nga dhuna, si ato të Gomës, në Republikën Demokratike të Kongos, model i luftës kundër korrupsionit, nxitje për shumë të rinj, me të cilët kontinenti afrikan është i pasur, për të qenë “një maja paqeje e çarmatosur dhe çarmatosëse”. Me fjalë të zjarrta, Papa Leoni XIV kujtoi Floribert Bwana Chui, kongolezin e ri, kreun e Bashkësisë së Shën Egjidin në Goma, oficer doganor i vrarë më 8 korrik 2007 për shkak se nuk lejoi kalimin e ngarkesave me ushqime të prishura, duke mbrojtur kështu shëndetin e më të varfërve. Dje, e diel, 15 qershor, Floribert u lartua në nderimet e altarit në një kremtim ndjekur në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, kryesuar nga Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Të gjithë të pranishmit, që ishin dje pasdite në Bazilikën Papnore, u priten sot në audiencë në Pallatin Apostolik nga Papa Leoni; ndërmjet tyre, nëna dhe e gjithë familja e të Lumit të ri, si dhe anëtarët e Bashkësisë së Shën Egjidit, së cilës i përkiste. Për ta Papa pati një mendim të veçantë: ia besoi ndërmjetësimit të Floribert-it “paqen e shumëpritur” në Kongo dhe në mbarë Afrikën.
Kujtimi i Papës Françesku
Papa e filloi fjalimin duke cituar paraardhësin, Françeskun i cili, gjatë shtegtimit në Republikën Demokratike të Kongos, në janar 2023, në takimin përplot me të rinj kongolezë në Stade des Martyrs, ndërmjet muzikës, vallëzimit dhe dëshmive, deshi të ruante një kujtim të paharrueshëm për Floribert Bwana Chui.
Një i ri si ju… vetëm në moshën 26 vjeç, u vra në Goma për bllokimin e kalimit të prodhimeve ushqimore të prishura, të cilat do të kishin dëmtuar shëndetin e njerëzve. Si i krishterë, u lut, mendoi për të tjerët dhe zgjodhi qëndrimin e njeriut të ndershëm, duke i thënë jo ndyrësisë së korrupsionit. Kjo do të thotë t’i kesh duart të pastra, ndërsa duart që trafikojnë para njollosen me gjak. Të jesh i ndershëm është të shkëlqesh gjatë ditës, është të përhapësh dritën e Zotit, është të jetosh lumturinë e drejtësisë: të mposhtësh të keqen me të mirën!
Familjaritet me fëmijët e rrugës, të shtyrë në Goma nga lufta
Por ku e mori një i ri nën 30 vjeç gjithë këtë “forcë për t’i rezistuar korrupsionit?”, pyeti Papa Leoni. Një korrupsion, për më tepër, “i rrënjosur në mendësinë e sotme dhe i aftë për çdo dhunë”. Përgjigjja është në fe: “Zgjedhja për t’i pasur duart të pastra - ishte nëpunës doganor – u poq në një ndërgjegje të formuar nga lutja, nga dëgjimi i Fjalës së Zotit, nga bashkimi me vëllezërit e tij”, theksoi Papa. I Lumi Floribert “jetonte përshpirtërinë e Bashkësisë së Shën Egjidit, të cilin Papa Françesku e përmblodhi me tri fjalë: lutja, të varfrit, paqja”.
Të varfrit ishin vendimtarë në jetën e tij. I Lumi Floribert jetonte familjaritet të përkushtuar me fëmijët e rrugës, të shtyrë në Goma nga lufta, të përbuzur e jetimë. I donte me dashurinë e Krishtit: interesohej për ta dhe shqetësohej për formimin e tyre njerëzor e të krishterë.
Beteja e butë për paqen
Një mik kujton se Bwana Chui “ishte i bindur se kishin lindur për të bërë gjëra të mëdha, për të ndikuar në histori, për të transformuar realitetin”. Ndërsa një murgeshë, përsërit fjalët e tij: “Bashkësia i fton të gjithë popujt në të njëjtën tryezë”. “Ai ishte njeri paqeje”, vëren Leo XIV.
Në një rajon aq të vuajtur sa Kivu-ja, të shkatërruar nga dhuna, e luftoi betejën e tij për paqe me butësi, duke u shërbyer të varfërve, duke praktikuar miqësinë dhe takimin, në një shoqëri të copëtuar.
Besimi në të ardhmen, pavarësisht nga gjithçka
Nuk i qe dorëzuar aspak së keqes Floribert Bwana Chui. "Kishte një ëndërr, e cila ushqehej nga fjalët e Ungjillit dhe afërsia me Zotin". Nëse shumë nga bashkëmoshatarët e tij ndiheshin "të braktisur dhe pa shpresë", ai "dëgjonte fjalën e Jezusit: 'Nuk do t'ju lë jetimë; do të kthehem tek ju'". "Asnjë tokë nuk braktiset nga Zoti!", pohoi Papa, e Floribert ishte i sigurt për këtë: "Pavarësisht nga gjithçka, shprehu besimin në të ardhmen". E tha: “Zoti po përgatit një botë të re, ku lufta nuk do të ekzistojë më, urrejtja do të fshihet, dhuna nuk do të shfaqet më si hajduti natën…
Fëmijët do të rriten në paqe. Po, është një ëndërr e madhe. Të mos jetojmë, pra, për atë që është e pavlerë. Por të jetojmë për këtë ëndërr të madhe!
Vlera e dëshmisë së laikëve dhe e të rinjve
Fjalë të thëna nga një doganier njëzet e gjashtë vjeçar, që nuk e dinte se një ditë do të shpallej i Lum nga Kisha Katolike. Fjalë të thëna nga një laik, të cilat, thekson Papa, “nxjerrin në pah vlerën e çmuar të dëshmisë së laikëve dhe të rinjve”.
U realizoftë atëhere sa më shpejt, me ndërmjetësimin e Virgjëreshës Mari dhe të Lumit Floribert, paqja e shumëpritur në Kivu, në Kongo dhe në mbarë Afrikën