Papa fal?nderon ipeshkvijt? skalabrinian? dhe redemptorist? p?r sh?rbimin e tyre
R.SH. – Vatikan
Faleminderit “për punën e madhe” dhe për shërbimin, që i bëni Kishës. Papa Leoni XIV i pret me fjalë mirënjohjeje ipeshkvijtë, që u përkasin familjeve rregulltare të skalabrianëve dhe redemptoristëve, në audiencën e paradites së sotme, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. “Jam i lumtur për këtë takim dhe e konsideroj të bukur rastin që e solli: vendimin e dy Kongregatave rregulltare fetare për t’u takuar dhe për të diskutuar me ata sivëllezër”, që janë bërë ipeshkvij në Kishë, u tha Ati i Shenjtë.
Dhuratë e madhe për Kishën
“Kisha u është mirënjohëse Instituteve tuaja”, shtoi Papa, duke nënvizuar faktin se emërimi i ipeshkvijve nga radhët e anëtarëve të tyre sigurisht që përfaqëson “një sakrificë të rëndësishme në kohë mungese rregulltarësh”, prandaj, kur atyre u duhet të largohen nga shërbimet e ndryshme, për shkak të detyrës së re, kjo sjell shumë probleme. Por, njëkohësisht, vërejti Papa Leoni XIV, dy Kongregatave u është bërë “një dhuratë e madhe, sepse shërbimi për Kishën universale është për çdo familje rregulltare hiri dhe gëzimi më i bukur, siç do ta konfirmonin me siguri themeluesit tuaj”.
Karizma e dy themeluesve
“Në veçanti, ju, rregulltarë skalabrinanë dhe redemptoristë, të zgjedhur dhe të shuguruar për shërbimin ipeshkvnor e, edhe kardinalor, bartni në shërbesën tuaj trashëgiminë e dy karizmave të rëndësishme, veçanërisht në ditët tona: shërbimin për emigrantët dhe ungjillëzimin e të varfërve dhe të të largtëve”, theksoi Papa. Më pas, kujtoi themeluesit e dy instituteve: Shën Alfons Maria de’ Liguorin, i cili “duke rënë në kontakt me varfërinë e lagjeve më të braktisura të Napolit të shekullit XVIII, hoqi dorë nga jeta e rehatshme dhe nga karriera fitimprurëse, duke përqafuar misionin e ungjillëzimit të më të vegjëlve”; pastaj, Shën Gjon Pagëzuesi Skalabrini, një shekull më vonë, i cili “diti t’i bëjë të vetat shpresat dhe vuajtjet e kaq shumë njerëzve që niseshin, duke lënë gjithçka pas, për të kërkuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre”.
Edhe ata u bënë ipeshkvij dhe qenë në gjendje t’u përgjigjeshin sfidave të sistemeve shoqërore dhe ekonomike, të cilat, vuri në dukje Papa, “nga njëra anë, hapën horizonte të reja në nivele të ndryshme, por, nga ana tjetër, lanë pas kaq shumë mjerim e probleme, duke krijuar fasha degradimi të popullsisë, me të cilat dukej se askush nuk donte të merrej”.
Kultivoni marrëdhënie të ndihmës vëllazërore
Sot, në këtë çast historik, që paraqet edhe “mundësi të mëdha” pavarësisht se nuk mungojnë “vështirësitë dhe kontradiktat”, ndërsa kremtojmë Jubileun e shpresës – nënvizoi Leoni XIV – “duam të kujtojmë se, sot si dje, zëri që duhet dëgjuar për të kuptuar se çfarë duhet bërë është ai i dashurisë së Zotit të dikuar në zemrat tona përmes Shpirtit Shenjt, që na është dhuruar”. “Edhe në botën tonë, vepra e Zotit na paraprin gjithmonë: jemi të thirrur t’ia përshtasim mendjet dhe zemrat tona nëpërmjet një shoshitjeje të urtë; e jam i bindur se konfrontimi, që keni organizuar, do të jetë shumë i dobishëm për këtë qëllim”, përfundoi Papa. Së fundi, inkurajimi “për t’i ruajtur dhe për t’i kultivuar këto marrëdhënie të ndihmës vëllazërore edhe në të ardhmen, me bujari dhe pa interes, për të mirën e gjithë grigjës së Krishtit”.