Papa: asnj? shp?rdorim nuk lejohet n? Kish?, fal? gazetar?ve q? k?rkojn? t? v?rtet?n
R.SH. / Vatikan
Një grua, guximi i saj kundër abuzimit dhe korrupsionit, dëshmi për botën dhe për Kishën dhe ftesë për lirinë e shenjtë të shtypit - mbasi nëse gazetarëve u mbyllet goja, demokracia e një vendi është në rrezik - por, mbi të gjitha, një thirrje:
Të rrënjoset në të gjithë Kishën kultura e parandalimit, që nuk lejon asnjë formë abuzimi: as të pushtetit a të autoritetit, as të ndërgjegjes a të përshpirtërisë e as të shpërdorimit seksual!
Realiteti frymëzon trillimin, i cili e zmadhon punën gazetareske, që festohet dhe inkurajohet edhe nga Papa. E gjithë kjo ndodh ndërmjet Romës e Limës, ku, në Teatro Plaza, nga 3 deri më 29 qershor është në skenë Proyecto Ugaz, shfaqje teatrale që ka ndërmjet spektatorëve të saj kryesorë (edhe pse nga distanca) Leonin XIV. Papa deshi të dërgonte një mesazh për të përsëritur rëndësinë e dy temave kryesore të të gjithë shfaqjes: luftën kundër shpërdorimit dhe rëndësinë e punës gazetareske, kryer në vërtetësi e në liri!
Guximi i Paola Ugaz
Proyecto Ugaz në të vëretë, i kushtohet Paola Ugaz, e njohur në vendin e Amerikës së Jugut për punën e saj hetimore kundër një prej lëvizjeve më të fuqishme të së kaluarës, në të gjithë Amerikën Latine, titulluar Sodalizio di Vita Cristiana, e më shpesh, "Sodalicio". Lëvizje e shtypur nga Papa Françesku më 14 prill, në një nga aktet e tij të fundit të qeverisjes, për shkak të rasteve të shpërdorimit të llojeve të ndryshme dhe të korrupsionit brenda saj - duke nisur nga vetë udhëheqësit dhe themeluesi Luis Figari - që pas një hetimi të vëmendshëm nga Selia e Shenjtë, nxorën në pah "mungesën e karizmës themeluese".
Paola Ugaz ishte ndër të parat që hodhi gurin nga llastiku kundër një lëvizjeje gjigante dhe të degëzuar. E bëri këtë, kur nënshkroi një libër, në vitin 2015, së bashku me kolegun e saj Pedro Salinas, që përmblodhi dëshmitë e viktimave. Nga ato faqe dolën disa dispozita të Prokurorisë Peruviane si dhe po aq hetime brenda vetë Shoqatës, deri në ndërhyrjen e Papës Françesku, i cili i kushtoi gjithnjë vëmendje të madhe çështjes. Të njëjtat faqe gazetares së pavarur i kushtuan vite me ankesa, persekutime, sulme në jetën e saj private dhe profesionale, veçanërisht përmes mediave sociale. Në nëntor 2022, Ugaz i kërkoi Papës Bergoglio ndihmë e mbrojtje për të dhe tre gazetarë të tjerë, të cilët u pritën të gjithë në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, duke e inkurajuar punën e tyre.
Mbështetja e Papës Leoni
Mbështetje që vazhdon e është edhe më e fortë tani me Papën Leoni XIV, i cili e njeh realitetin peruan dhe çështjen Sodalizio në thellësi, si dhe punën e vetë Paola Ugaz, përqafuar në maj, me rastin e audiencës së parë me përfaqësuesit e medias pas Konklavit (fotoja me të duke i dhënë Papës një chalina, shallin e punuar me dorë nga Andet Peruviane, është e paharrueshme). Pikërisht në këtë audiencë, në Sallën Pali VI, katër ditë pas zgjedhjes së tij, si e kujton Papa në mesazhin e lexuar në teatër nga Imzot Jordi Bertomeu, zyrtar i Dikasterit për Doktrinën e Fesë dhe komisioner apostolik në Peru për çështjen Sodalicio.
Dhimbje lënë në heshtje për një kohë shumë të gjatë
Por së pari, Papa dëshiron të përsërisë tri herë “faleminderit”. Së pari kushtuar atyre që konceptuan dhe krijuan Proyecto Ugaz, i cili nuk është vetëm shfaqje teatrale, por sidomos "kujtesë, padi e, përmbi të gjitha, akt drejtësie", që i dha "zë dhe fytyrë një dhimbjeje të heshtur për një kohë tepërtë gjatë". Përmes saj, "viktimat e familjes së vdekur shpirtërore të Sodalitium dhe gazetarët që i shoqëruan - me guxim, durim dhe besnikëri ndaj së vërtetës - ndriçojnë fytyrën e plagosur, por plot shpresë të Kishës", shkruan Papa. "Lufta juaj për drejtësi është edhe lufta e Kishës", shton ai, sepse "feja që nuk prek plagët e trupit dhe të shpirtit njerëzor, është fe që ende nuk e ka njohur Ungjillin":
Sot e njohim atë plagë në shumë fëmijë, të rinj dhe të rritur, që u tradhtuan aty ku kërkuan ngushëllim; e edhe tek ata që rrezikuan lirinë dhe emrin e tyre në mënyrë që e vërteta të mos varrosej
Thirrjet e Papës Françesku
Papa Leoni u dërgon një tjetër falënderim atyre, që këmbëngulën në këtë kauzë, "edhe kur u injoruan, u skualifikuan ose edhe u persekutuan gjyqësorisht". Citon, në këtë kuptim, Letrën drejtuar Popullit të Zotit të gushtit 2018, shkruar nga Papa Françesku pas udhëtimit të vështirë në Kili dhe takimit me viktimat e shpërdorimit:
"Dhimbja e viktimave dhe e familjeve të tyre është edhe dhimbja jonë e, për këtë arsye, është urgjente të riafirmojmë angazhimin tonë për të garantuar mbrojtjen e të miturve e edhe të rriturve të cenueshëm".
Leoni e bën të vetën thirrjen e paraardhësit të tij i cili, në të njëjtën letër, i ftoi të gjithë "për një kthesë të thellë kishtare". "Nuk është retorikë, por rrugë konkrete përvujtërie, vërtetësie e dëmshpërblimi" - nënvizon Papa - parandalimi dhe trajtimi nuk janë strategji baritore: janë zemra e Ungjillit".
"E vërteta nuk është pronë e askujt"
Së fundi, Papa i shpreh mirënjohjen më të thellë vetë Paolës "për guximin që tregoi duke iu drejtuar Papës Françesku më 10 nëntor 2022, dhe duke kërkuar mbrojtje nga sulmet e padrejta që pësuan ajo dhe tre gazetarë të tjerë, Pedro Salinas, Daniel Yovera dhe Patricia Lachira, për shkak se denoncuan abuzimet e kryera nga një grup kishtar me bazë në vende të ndryshme, por me origjinë nga Peruja":
Ndërmjet viktimave të shumta të shpërdorimit, kishte edhe viktima të abuzimit ekonomik, anëtarë të bashkësive të Catacaos dhe Castillas, të cilët e bënë atë që u raportua edhe më të patolerueshme.
Pastaj kthehemi te fjalët drejtuar medias më 12 maj: jo "përshëndetje zyrtare" - shkroi vetë Papa - por "riafirmim i misionit të shenjtë të atyre që, përmes profesionit të gazetarit, bëhen ura lidhëse ndërmjet fakteve dhe ndërgjegjes së njerëzve. Edhe përballë vështirësive të mëdha".
E vërteta nuk është pronë e askujt, por është përgjegjësi e të gjithëve ta kërkojnë, ta mbrojnë dhe t'i shërbejnë!.
Gazetari e lirë dhe etike
Përmes një teksti të shkruar dhe të lexuar në teatër, Papa Leoni e ngre fort zërin, plot me "shqetësim dhe shpresë", për popullin peruan. Popullin e tij "të dashur" peruan. "Në këtë kohë tensionesh të thella institucionale dhe shoqërore, mbrojtja e gazetarisë së lirë dhe etike nuk është vetëm akt drejtësie, por sidomos detyrë e të gjithë atyre që dëshirojnë demokraci të fortë dhe pjesëmarrëse."
Kultura e takimit nuk ndërtohet mbi fjalime boshe apo histori të manipuluara, por mbi fakte të rrëfyera me objektivitet, rigorozitet, respekt dhe guxim.
Papa u drejtohet vetë autoriteteve peruane, si dhe shoqërisë civile e çdo qytetari, në mënyrë që t’i mbrojnë ata të cilër, nga radiot komunitare - deri te media tradicionale, tregojnë realitetin "me integritet dhe guxim".
"Kudo që një gazetar detyrohet të heshtë, ligështohet shpirti demokratik i një Vendi".
Bujq drite, ndërmjet hijesh
"Liria e shtypit është një e mirë e përbashkët e patjetërsueshme. Ata që e ushtrojnë me ndërgjegje këtë thirrje, nuk mund ta detyrojnë zërin e tyre të heshtë nga interesat e vogla apo nga frika e së vërtetës" - thotë Papa - që u lë një mesazh plot “dashuri baritore” të gjithë komunikuesve peruanë: “Mos kini frikë”, shkruan, “përmes punës suaj, mund të jeni arkitektë të paqes, të unitetit dhe të dialogut shoqëror. Jini, prandaj, mbjellës drite, ndërmjet hijeve”. E drita....
“... i zgjoftë zemrat, i nxistë ndërgjegjet dhe na ndihmoftë të ndërtojmë një Kishë, ku askush nuk duhet të vuajë kurrë në heshtje dhe ku e vërteta nuk shihet si kërcënim, por si rrugë drejt çlirimit!”.