杏MAP导航

K?rko

Papa: Pjetri dhe Pali, shembuj bashkimi q? nuk e zhvler?son lirin? personale

Duke kryesuar Mesh?n n? solemnitetin e shenjtor?ve mbrojt?s qiellor t? dioqez?s dhe qytetit t? Rom?s, pran? Altarit t? Rr?fimit n? Bazilik?n e Sh?n Pjetrit — me bekimin dhe vendosjen e palios mbi kryeipeshkvijt? e rinj metropolit? — Leoni XIV fton t? soditen dy figurat apostolike, t? ndryshme n? karizma dhe ndonj?her? n? kund?rshtim, por t? aft? t? jetojn? “nj? harmoni t? frytshme n? diversitet”. Hapja e tyre ndaj ndryshimit b?het sot nj? nxitje p?r forma t? reja ungjill?zimi.

R.SH. / Vatikan

Duke parë Shën Pjetrin dhe Palin, Papa Leoni XIV – i cili sot paradite kremtoi Meshën me rastin e Solemnitetit të Pajtorëve të Romës – kujtoi dy aspekte: bashkësinë kishtare dhe vitalitetin e fesë. Shkëmbime të sinqerta, pa maska, "me fytyrë të çiltër" - kështu i përshkroi Pali, në Letrën drejtuar Galatasve, takimet e tij me Pjetrin. Dy "shtigje" të ndërthurura, pasqyrim i origjinave dhe karizmave të ndryshme: njëri, "intelektual rigoroz", i penduar nga shkëndijat e rrugës për në Damask; tjetri, "peshkatar i përvujtë nga Galilea", i cili "la menjëherë gjithçka" për të ndjekur Mësuesin.

Dallimet e tyre, të përballura me "sinqeritetin ungjillor", nuk ishin pengesa, por fara e "harmonisë së frytshme në larmi":  bashkim që nuk i anulon "liritë" individuale. Përkundrazi, i forcon, duke lejuar të lulëzojë Ungjilli i rrënjosur në "pyetjet" dhe plagët e njerëzimit. Me këto fjalë e nisi Papa Leoni XIV homelinë kushtuar solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, pajtorë të dioqezës dhe qytetit të Romës. Duke kryesuar sot, 29 qershor, Meshën në Altarin e Rrëfimit në Bazilikën e Shën Pjetrit - me bekimin dhe vendosjen e palio-s mbi 54 kryeipeshkvijtë e rinj metropolitanë, ndër ta edhe imzot Giovanni Peragine - Papa i përshkroi dy figurat apostolike si "shtylla të vërteta të Kishës".

Martirizimi i përbashkët

Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë  Prevost u përqendrua në dy aspekte të dëshmisë së tyre, duke filluar nga "bashkimi kishtar", e duke komentuar tekstet liturgjike: në Leximin I, nga Veprat e Apostujve, Pjetri arrestohet dhe burgoset nga Herodi; në Leximin II, Pali – edhe ai “në zinxhirë” - i beson Timoteut një testament shpirtëror, duke pohuar se gjaku i tij do të “derdhet dhe do t’i ofrohet Perëndisë”.

Pra, si Pjetri, edhe Pali,  dhurojnë jetën e tyre për kauzën e Ungjillit.

Vëllazëri, që nuk i zhduk dallimet

Ky bashkim, i vulosur nga “martirizimi”, nuk është “pushtim paqësor”, por “qëllim” pjekurie përmes qëndrimeve ndaj besimit dhe apostolateve, jetuar në mënyra të ndryshme.

Vëllazëria e tyre në Shpirt nuk i fshin dallimet nga të cilat ata filluan.

Pjetri, peshkatar i përvuajtur galileas, i përgjigjet menjëherë thirrjes së Zotit, duke ua drejtuar predikimin e tij në veçanti hebrenjve. Pali, nga ana tjetër, duke i përkitur “grupit të farizenjve”, nis si persekutues i të krishterëve, derisa “shndërrohet nga Krishti i Ngjallur” dhe thirret për t’ua çuar mesazhin “johebrenjve”, domethënë, popujve!

Përballje me sinqeritetin ungjillor

Papa citoi, në vijim, fragmentin e njohur nga Letra drejtuar Galatasve: "Kur Kefa erdhi në Antioki, e kundërshtova ballë për ballë, sepse e kishte gabim". Një referencë për sinqeritetin me të cilin dy apostujt u përballën me njëri-tjetrin, veçanërisht në temën e përfshirjes së "paganëve", e cila më pas do të ishte objekt diskutimi edhe në Koncilin e Jerusalemit.

Historia e Pjetrit dhe e Palit na mëson se bashkimi në të cilin Zoti na thërret, është harmoni zërash dhe fytyrash dhe nuk e fshin lirinë e secilit. Pajtorët tanë përshkuan rrugë të ndryshme, patën ide të ndryshme, herë pas here u ballafaquan e u përplasën me sinqeritetin ungjillor. Po kjo nuk i pengoi të jetonin në concordia apostolorum, domethënë, në bashkim të gjallë në Shpirt e në harmoni, të frytshme në larmi.

Duke huazuar fjalët e Shën Augustinit: "një ditë e vetme u shenjtërua në festën së dy apostujve. Por edhe ata ishin një gjë e vetme. Edhe pse u martirizuan në ditë të ndryshme, ata ishin një".

Shumëllojshmëria e dhuratave në shërbim të kumtimit

Ky bashkim u bë i mundur nga Shpirti Shenjt, i aftë “të bashkojë larmitë” dhe të ndërtojë “ura uniteti në larminë e karizmave, dhuratave dhe shërbesave”.

Është e rëndësishme të mësojmë për ta jetuar bashkimin në këtë mënyrë, si unitet në larmi, në mënyrë që shumëllojshmëria e dhuratave, e bashkuar në rrëfimin e një besimi të vetëm, të kontribuojë në shpalljen e Ungjillit.

Larmia, laboratorë uniteti

Bota - dhe vetë Kisha - ka nevojë urgjente për një “vëllazëri” të tillë. Në jetën baritore, në “dialogun ekumenik”, në marrëdhëniet “miqësore” me botën, çdo realitet kishtar është i thirrur të jetë “laborator uniteti”.

Në mënyrë që secili në Kishë, me historinë e tij personale, të mësojë të ecë së bashku me të tjerët.

Duke dëgjuar pyetjet e së tashmes

Aspekti i dytë i homelisë - vijoi Papa Leoni XIV - ka të bëjë me “gjallërinë e fesë” së Pjetrit e të Palit. Kundër rrezikut të “rënies në zakon”, në “ritualizëm”, në “skema baritore” të përsëritura pa ripërtëritje ose shtysë drejt “sfidave të së tashmes”, dy apostujt e shenjtë e kundërshtojnë pranimin e ndryshimeve që sjellin pyetjet dhe takimet me “situatat konkrete të bashkësisë”. Ata kërkojnë shtigje të reja për një ungjillëzim që fillon nga pyetjet reale të njerëzve.

Risimi i dinamizmit dhe i gjallërisë së fesë

Pyetja e bërë nga Jezusi në Ungjillin e lexuar gjatë Meshës - “Po ju, kush thoni se jam unë?” - përshkon shekujt, duke e nxitur çdo besimtar të dallojë nëse udhëtimi i tij ose i saj i besimit ruan “dinamizëm” dhe “gjallëri”, domethënë, atë “flakë” që ushqen “marrëdhënien me Zotin”. Çdo ditë, në çdo orë të historisë, duhet t’i kushtojmë gjithmonë vëmendje kësaj pyetjeje.

Leoni XIV kujtoi edhe paralajmërimin e Papës Françesku për rrezikun e një feje të reduktuar në “trashëgimi të së kaluarës”, “të lodhur dhe statike”. Pyetjet që duhen bërë, pra, bëhen të shumta:

Kush është Jezu Krishti për ne sot? Çfarë vendi zë ai në jetën tonë dhe në veprimin e Kishës? Si mund ta dëshmojmë këtë shpresë në jetën e përditshme dhe t'ua shpallim atë atyre që takojmë?

Kisha e Romës, shenjë uniteti

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve na lejon të ripërtërijmë shpalljen dhe misionin e Kishës. Në veçanti, bashkësia kishtare e Romës është e thirrur të jetë, më shumë se çdo tjetër, "shenjë uniteti dhe bashkësie, Kishë e zjarrtë me fe të gjallë, bashkësi dishepujsh, që e dëshmojnë gëzimin dhe ngushëllimin e Ungjillit në çdo situatë njerëzore".

Paliumi, shenjë bashkimi

Pastaj Papa Leoini XIV përshëndeti "kryeipeshkvijtë vëllezër" të thirrur për të marrë Paliumin. Veshje, që është shenjë uniteti me vetë Papën, në mënyrë që në bashkësinë e fesë, "secili prej jush ta ushqejë atë në Kishat lokale që ju janë besuar".

Delegacionet e Kishës Greko-Katolike Ukrainase dhe Patriarkanës Ekumenike

Papa kujtoi edhe anëtarët e Sinodit të Kishës Greko-Katolike Ukrainase, duke i falënderuar për "zellin e tyre baritor". Zoti i dhëntë paqe popullit tuaj! Një mendim, më pas, edhe për delegacionin e Patriarkanës Ekumenike, "të dërguar këtu nga vëllai ynë më i dashur, Shenjtëria e Tij Bartolomeu", i përshëndetur "me mirënjohje të thellë".

Ndërmjetësimi i shenjtorëve

Papa Leoni XIV e përfundoi homelinë duke shpresuar për një udhëtim të përbashkët "në fe e bashkim", e duke kërkuar ndërmjetësimin e Shenjtorëve Pjetër dhe Pal "mbi të gjithë ne, mbi qytetin e Romës, mbi Kishën dhe mbi të gjithë botën".

Bekimi dhe vendosja e palios

Më pas kryhen ritet e bekimit dhe vendosjes së palios. Diakonët marrin paramentet apo veshjet nga Altari i Shën Pjetrit dhe ia paraqesin Papës. Kardinali Protodiakon, Dominique Mamberti, paraqet kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, të cilët bëjnë betimin e besnikërisë ndaj Papës dhe Kishës së Romës. Vetë Papa vë petkun mbi supet e secilit metropolit, duke shkëmbyer me secilin prej tyre shenjën e paqes!

29 qershor 2025, 09:08